Policia e Tiranës ka finalizuar sot operacionin e koduar “Komuna”, dhe vunë në pranga disa persona, mes tyre pronarin e lokalit që përshtati lokalin për shpërndarje dhe përdorim droge. Po ashtu në pranga ka rënë edhe kamerieri i lokalit, njëri prej tyre me precedent të mëparshëm në fushën e narkotikëve.

Procedohen penalisht edhe 4 shtetas të tjerë, klientë të lokalit, të kapur në flagrancë duke konsumuar lëndë narkotike.

Sekuestrohet rreth 388 gramë lëndë narkotike kanabis, mbetje pluhur me lëndë narkotike kokainë, një shumë pararash, dhe 4 aparat celular.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, se në një lokal në rrugën “Haxhi Kika” shpërndahej lëndë narkotike, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar “Komuna”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve:

I.D., 49 vjeç, (pronar i lokalit) i dënuar më parë për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikëve” dhe O.N., 25 vjeç (punonjës i lokalit).

Mbi bazën e këtyre informacioneve u organizua puna dhe u bë ndërhyrja nga shërbimet e policisë në lokalin në pronësi të shtetasit I.D., dhe punonjës O.N., ku u gjetën dhe u sekuestruan rreth 388 gramë lëndë narkotike kanabis, mbetje pluhur me lëndë narkotike kokainë, një shumë pararash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, dhe 4 aparat celular.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb