TIRANË

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur nga foltorja e parlamentit për dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta i cili ktheu për shqyrtim
“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, të ndryshuar””.

Lleshaj e cilësoi një akt të mirëfilltë politik duke argumentuar qëndrimin e tij për këtë ligj. Ai tha më tej se dekreti i Presidentit nuk ka asnjë brendi juridike dhe se ligji vjen pas diskutimit me partnerët ndërkombëtarë.

“Në thelbin e këtij akti, i cili është i mirëfilltë politik Presidenti pretendon se dhënia e kompetencës për mbikëqyrjen e veçantë për Policinë e Shtetit rrezikon të kthehet në një rrezik për të drejtat dhe liritë e njeriut për arsye se Policia është në varësi të ministrit të Brendshëm”.

“Kjo është thelbi i shqetësimit presidencial. Pra, Presidenti shqetësohet që në qoftë se i japim një kompetencë një institucioni në varësi të Ministrit të Brendshëm, kjo kthehet në rrezik për demokracinë. Ndërkohë që demokracitë funksionojnë pikërisht mbi këtë parim, që organet, pra qeveria që është organ i zgjedhur, duhet ta kontrollojë administratën dhe burokracinë, përndryshe demokracia do të ishte në rrezik”, tha Lleshaj.

Ai deklaroi më tej se neni 221 i Procedurës penale në pikën 5 thotë që mbikëqyrja, joproceduriale, pra parandaluese kryhet me një ligj të veçantë, jo me nenin 241, pra jo me Kodin e Procedurës Penale.

“Ne me ligjin që kemi sjellë e kemi rregulluar veçmas, duke iu përshtatur praktikave më të mira europiane, me një dallim që ne i japim Policisë tonë më pak atribute kontrolli, mbikëqyrje sesa kanë Policitë e tjera të vendeve europiane. Ndërkohë që e gjithë procedura është nën monitorimin e përhershëm të Prokurorisë të Përgjithshme, të SPAK dhe SHÇBA-së”, tha Lleshaj.

Ministri shtoi se, “shqetësimi i dytë i Presidentit të Republikës, është krijimi i Komitetit Kombëtar për Politikat e Parandalimit të Krimit të Organizuar. Dhe shqetësimi i Presidentit është se thotë, “ju i keni vendosur prokurorët në varësi të ekzekutivit”.

“Ky- tha Lleshaj- është një konkluzion krejtësisht i pabazuar sepse prokurorët nuk vendosen në varësi të ekzekutivit. Ulja në një tavolinë me ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë, apo të Financave, nuk i vendos në varësi prokurorët sepse varësia e tyre është e përcaktuar nga ligji. Ndërsa bashkëpunimi është po ashtu i urdhëruar nga ligji”.

Lleshaj nënvizoi se, “shqetësimi tretë ka të bëjë me faktin që në katalogun e detyrave të Policisë së Shtetit është përmendur në mënyrë eksplicite përgjegjësia për të garantuar mjedisin e nevojshëm për sigurinë e zgjedhjeve. Dhe Presidenti shqetësohet edhe në këtë pikë të tretë sepse thotë, në mënyrë paragjykuese, që “Policia po iu dha detyrë të garantojë zgjedhjet do të ndërhyjë në favor të një force politike”.

Sipas tij, “është një paragjykim i papranueshëm që duhet refuzuar në fakt, sepse aludon në mënyrë të padrejtë ndaj Policisë, e cila është struktura që mban barrat më të mëdha për sigurinë e vendit. A mund ta imagjinoni të nderuar deputetë që mund t’i bënim zgjedhjet pa pasur Policinë. Vetëm kjo pyetje mjafton për ta mbyllur diskutimin. Se ka dy mundësi. Ose do t’i japim Policisë mundësinë, ose do ta nxjerrim Policinë jashtë dhe do themi pastaj hajde t’i bëjmë zgjedhjet me metodat popullore. Gjë që është e pamundur”.

Lleshaj kërkoi rrëzimin e dekretit të Presidentit “duke e konsideruar aktin e kthimit të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, si një akt të mirëfilltë politik, pa asnjë brendi juridike”.

Lleshaj theksoi faktin “që ky ligj ka kaluar nëpër një proces të gjatë diskutimesh edhe brenda parlamentit, edhe brenda vetë grupit parlamentar të PS-së, përmes shumë kundërshtive. Ka kaluar filtrin e konsultimit me partnerët tanë, pastaj dhe me prokurorinë dhe me institucione të tjera”.

Kuvendi gjithashtu rrëzoi me 83 vota kundër, 9 pro dhe 9 abstenim Dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11.841, datë 20.11.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar””.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: