Kthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit ka ngjallur debate për mënyrën se si do të jetë kthimi i tij , si figurë e rëndësishme albanologjike, politke, apo si kreu i Ballit Kombëtar.

Të ftuar në “Dritare me Rudinën”, studiuesi Auron Tare dhe historiania Valentina Duka kanë folur për kontributin në kulturë të Mid’hadit, por edhe rolin e tij në luftë me pushtuesit.

Historiania Duka theksoi se Balli Kombëtar ka luftuar kundër fashistëve italianë, por për nazizmin dhe gjermanët nuk ka qenë e njëjta histori. Ajo tha se ai ka bashkëpunuar  me nazistët, por kontributi i tij për historinë shqiptare dhe albanologjinë është shumë i lartë.

“Mid’hati nuk ka ardhur nga Kozmosi. Një njeri që e ka dashur dhe ka respektuar librin. Më vjen mirë që eshtrat e tij do prehen  në Shqipëri.  Mid’hati është një albanolog i madh.  Ajo që na ndan është lufta. Ne do ta tregojmë historinë siç ka ndodhur. Ka qenë një politikan. Ka qenë një nga diplomatët më të mirë të Shqipërisë.  Me thënë të drejtën Balli Kombëtar ka luftuar fashizmin.  Çetat e Ballit u angazhuan edhe në luftime kundër fashistëve italianë. Çështja ndryshon tek qasja ndaj gjermanëve. Në 1943 ka iniciativa  për të mos mbështetur luftën ndaj nazistëve.”, tha Duka.

Gjithashtu Auron Tare deklaroi se figura e Mid’hat Frashëri mbetet e madhe në lëminë e shkencës dhe kulturës shqiptare, por sipas tij, ajo që nuk i bashkon shqiptarët është pjesa e luftës.

“Jam në të njëjtën linjë me profesor Milon. Mid’hati ka qenë një figurë me shumë rëndësi në lëmine e shkencës dhe  librit. Ai ka dritë hijet në pjesën e politikës. Mid’hati është pjesë e një bashkëpunimi me gjermanët. Këtë e kanë thënë të huajt. Pra që balli ka marrë pjesë në luftë kundër aleatëve është faktuar dhe dokumentuar.  Ky angazhim që bëri Mid’hati nuk ia humb vlerat dhe kontributin. Mid’hati ishte palë humbëse. “, shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb