Analisti Agron Gjekmarkaj tha në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se kryeministri Edi Rama po bën propagandë dhe po ndërton monumentin e shpëtimtarit në mënyrë abuzive, duke shfrytëzuar situatën e krijuar nga koronavirusi.

Për këtë arsye, Gjekmarkaj tha se është kundër dënimit me 15 burg për ata persona që shkelin masat kundër koronavirusit, duke thënë se duhet bërë një ndarje e atyre që dalin me qëllim për të infektuar njerëz, dhe atyre që dalin pa një qëllim të tillë.

Nga ana tjetër, analisti Skënder Minxhozi tha se këto ndryshime në Kodin Penal mund të jenë dhunim i të drejtave të njeriut, por jo i të drejtave politike, pra që nuk prekin më shumë ata që janë opozitarë.

Pjesë nga diskutimet:
Gjekmarkaj: Nëse dikush del në publik për të infektuar të tjerët, ai është një vrasës, killer. Duke qenë se BE nuk e ka fare mendjen te Shqipëria, SHBA është në hallet e veta, opozita nuk është në parlament, unë e shoh këtë për të forcuar status quo-në. Ne nuk kemi raport të mirë me frikën në fakt, kemi krijuar precedent. Masat shtrënguese po japin efektin e vet pozitiv. Kryeministri po ndërton monumentin e shpëtimtarit në mënyrë abusive. Ndërkohë që të gjithë kryeministrat nuk po dalin si shpëtimtarë, por mbajnë mbi supe me pikëllim gjithë gabimet dhe situatën. Këtu, kryeministri do të dalë si shpëtimtar dhe shfrytëzon këtë moment. Për këtë duhet reaguar dhe jam me ata që kanë reaguar.

Minxhozi: Të bësh thirrje për të dalë në rrugë nuk është fare sanitare, nuk jam dakord.

Gjekmarkaj: I kam mbështetur të gjitha masat dhe kam bërë thirrje që të respektohen. Por ne e dimë që ka njerëz që dalin pa qëllim të keq, hajde të bëjmë një ndarje.

Minxhozi: I kujtoj Agronit se kultura e jetës fillon te të jesh gjallë. Të gjitha që thua mund të jenë veç e veç të drejta, por më duket artificiale të thuash që kjo paketë ligjore prek më shumë një pjesë të popullit që është opozitar dhe mbështet pjesën tjetër. Mund të ketë dhunim të të drejtave të njeriut, por jo të atyre politike.

Gjekmarkaj: Në vendet e tjera ka dënim deri në 5 vite, këtu te ne 10 deri në 15 vite. Mund të marrësh model vendet e tjera dhe ta aplikosh në Shqipëri, por jo të marrësh një gjë dhe të bësh bum.

Minxhozi: A mendon Agroni se ka një tendencë dhunimi jo vetëm të drejtash në kuptimin gjeneralist, por ka tendencë dhunimi të drejtash edhe politike, që i bie një krahu dhe jo një krahu tjetër?
Gjekmarkaj: Debati shkon përtej kësaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb