Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj i ftuar në emisionin ‘’Kjo Javë’’ të Nisida Tufës në News24 ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit më 25 prill.

Ahmetaj fillimisht ka deklaruar se po punon momentalisht në qarkun e Tiranës, por ngelet për t’u parë deri në 5 mars kur do të publikohen listat e PS.

Ai thekson se kjo fushatë elektorale është dhe më e vështirë prej pandemisë, dhe se fushata virtuale do jetë shumë e rëndësishme, por në fund i qëndron bindjes se kjo mazhorancë ka shumë për të treguar për punët e kryera në këto 8 vite në qeveri.

<


PJESË NGA INTERVISTA E ARBEN AHMETAJT

 Pyetja: Kalojmë pak tek fushata elektorale, ku do te kandidoni zoti Ahmetaj si i angazhuar?

 Arben Ahmetaj: Shpejt është për të folur, besoj që listat do dalin diku në 5 mars, në bazë të kodit të ri, unë jam i pozicionuar që nga 2017 në qarkun e Tiranës, gjithsesi ngelet për tu parë, po punoj në qarkun e Tiranës, le te shohim.

Pyetja: Partia Socialiste kërkon mandatin e tretë, kryeministri e ka shprehur hapur këtë, madje është një fushatë që zhvillohet në kushte jo të zakonshme për shkak të pandemisë. Si do të jetë kjo fushatë e cila tashmë ka nisur, motorët janë ndezur prej kohësh për partitë politike. Për partinë socialiste ka pasur angazhime madje edhe me përcaktimin e kandidatëve, të listave, edhe ende pse nuk janë përfunduar, nuk janë kopsitur të gjitha siç duhet sepse jemi 90 ditë përpara zgjedhjeve, si do të jetë kjo fushatë elektorale dhe çfarë rendimenti do të ketë?

Arben Ahmetaj: Për çdo fushatë ka dinamikat dhe vështirësitë e veta. Por kjo ka një vështirësi, kjo fushatë ka një vështirësi shtesë që vjen për shkak të pandemisë, për shkak të kufizimit të takimeve, të mbledhjeve të mëdha, kështu që do një çikë më zgjuar, qoftë në mesazh, qoftë në instrumentin e përçimit të mesazhit, sepse dhe vëmendja e qytetarëve për shkak të pandemisë dhe jo vetëm, sigurisht që do të duhet të tërhiqet në mënyrë të zgjuar. Unë mendoj që fushata virtuale do jetë shumë e rëndësishme, por takimet me; le të themi grupet e influencës, me kategori të ndryshme do jenë të domosdoshme, të domosdoshme. Nuk diskutohet; dhe, ne kemi çfarë themi, sepse kemi bërë shumë dhe do bëjmë shumë! Pra ne flasim për taksat, ne e kemi bërë taksën progresive me kohë, mbrapsht me llogari do ta nxjerrim aty bashkë një ditë, bashkë do ta nxjerrim atje kur të dali 960 milion dollarë në 8 vite, i janë kthyer qytetarit të zakonshëm vetëm nga taksa progresive. Aty bashkë do ta nxjerrim se sa më shumë kanë paguar kompanitë e mëdha, në krahasim me përpara 2013. Aty bashkë do ta nxjerrim se çfarë do të thotë naftë pa akcizë dhe pa taksa për fermerin. Aty bashkë do ta nxjerrim, se çfarë do të thotë libra falas nga klasa e parë deri në klasën e tetë. Aty bashkë do të numërojmë vendet e punës. Aty ju do më sfidoni do më thoni sa vende pune kane kanë qenë në 2013 dhe sa janë sot. Do ti marrim nga tatimet, do ti marrim edhe nga tatimet e dikurshme edhe nga tatimet e sotme, aty janë. Dhe ne kemi, ne, një gjë është e vërtetë, nuk është se ka qeveri perfekte, bën gabime sa të duash, qeverisë në përgjithësi është trendi tani, është në stil në gjithë botën, që i hidhet baltë edhe asaj që performon në mënyre spektakolare, jo më qeverive modeste normale të vendeve si puna jonë, po ne kemi shumë punë për të treguar, kemi shumë punë për të treguar!

 Pyetja: E pra dua të ju pyes, sa frymëzuese është Partia Socialiste për elektoratin, por edhe për atë elektoratin gri që nuk dëshiron të votojë, nuk ka dëshirë të votojë apo edhe qoftë edhe mendon që nuk ka alternativë zgjedhje. Ju thoni se keni bërë shumë dhe shumë do të bëjmë…

 Arben Ahmetaj: Patjetër!

 Nisida Tufa: …por ekonomia është një sektor shumë sensitiv…

 Arben Ahmetaj: Patjetër!

 Nisida Tufa: Shqipëria nuk ka një ekonomi të artë, përkundrazi mund të flasim dhe mund të zgjerohemi shumë te kjo…

  Arben Ahmetaj: Sa të duash!

 Pyetja: Çfarë do të bëhet ndryshe, për… flasim për gjëra të realizueshme jo për premtime elektorale?

 Arben Ahmetaj: Jo s bëjmë, nuk bëjmë premtime elektorale, po ta shohësh jemi shumë të kujdesshëm në ato që themi, dhe ku i themi i bëjmë! Taksa 0 e biznesit të vogël; po është qesharake të diskutosh për taksat, është qesharake, është e pa precedentë! Më gjej një vend ku biznesi i vogël i ka taksat 0, do thoni ju po ç ‘është ky premtim elektoral?! JO! Ka filluar në një janar! Ka filluar në një janar, biznesi i vogël, BIZNESI I VOGËL deri në 14 me përshkallëzim deri në 10, deri në 10 nuk paguan dhe nuk deklaron TVSH, dhe deri në 14 e ka 0 tatim-fitimin! Pra jemi duke folur për premtime të mbajtura! Është e paprecedentë! Po pse? Se ne, një forcë e majtë që fokusohemi tek punësimi dhe te klasa e mesme, praktikisht biznesin e vogël nuk e trajtojmë si biznes per-se, por e trajtojmë si një burim punë-dhënie! Dhe kur unë ju sfidoj ju, me shumë respekt për televizionin tuaj, të nxjerrim shifrat e punësimit në 2013 dhe në… në janar të 2013 nëse doni. Dhe ti nxjerrim shifrat e punësimit në janar të 21’, nëse do, dhe aty të numërojmë një nga një vendet e punës, dhe ju të më sfidoni dhe me emra po deshët, dhe unë të ju nxjerr listën e emrave, atëherë të kuptojmë ça të thotë vende pune! Pastaj të më sfidoni të më thoni, po mirë këto 960 milion dollarët kush i ka fituar që nuk janë më në buxhetin e shtetit, por janë në xhepat e qytetarit të zakonshëm?! Pastaj do ju sfidoj dhe një gjë tjetër, ose më sfidoni ju mua, unë do ju përgjigjem me korrektesë për ju dhe për televizionin tuaj dinjitoz, do ju them: “46 milionë dollarë kalojnë nga buxheti në duart e bizneseve të mëdha. Ju do më pyesni, cilat biznese? Do ja u numëroj, një nga një, do ju them kaq këtij, kaq këtij, kaq këtij!

Pyetja: Vlen për një bisedë tjetër më të detajuar, por jo për sfidë zoti Ahmetaj por unë ju pyes: “Në të gjitha denoncimet që bën Partia Demokratike, apo në të gjitha mendimet që ajo parashtron dhe pse jo ajo çka i premton vetë Partia Demokratike apo opozita, elektoratit se do të ndryshojë me zgjedhjet apo nëse Basha apo Partia Demokratike vijnë në pushtet.” Për çfarë ka të drejtë, në të gjithë gjërat që rendit Partia Demokratike, a ka diçka për të cilën ju ju shqetëson dhe që duhet ndryshuar, dhe që i jepni të drejtë opozitës?

 Arben Ahmetaj: Nuk është se opozita ka ardhur në një tryezë normale…

Nisida Tufa: …gjithmonë te ekonomia!

Arben Ahmetaj: …po po, nuk është se opozita ka ardhur në një tryezë normale dhe ka bërë një debat normal, dhe aty mund të kishim nxjerrë konkluzione, potencialisht të përbashkëta, të binim dakord për çfarë s’binim dakord…

Pyetja: Një rrahje mendimesh…?

 Arben Ahmetaj: …po, nuk ka! Ajo që unë mendoj që opozita ka të drejtë është që merr më pak se 25% në sondazhe, sepse aq ka. Aty ka të drejtë! Jo, s’ishte ironi, është thjesht reflektim statistikor!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb