Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i është përgjigjur deputetes së PD Jorida Tabaku, pasi kjo e fundit nga salla e Kuvendit, shtroi pyetjet se ku ndodhet drejtësia sot dhe pse u bë reforma në Drejtësi.

Ulsi Manja: Shumë shkurt një përgjigje që duhet t’i shërbejë kësaj salle dhe kolegëve. Kolegia Tabaku pyeti pse  e bëmë reformën në drejtësi dhe ku është drejtësia sot. E para, e bëmë që në këtë sallë të mos flitet më për drejtësinë, që politika të rrijë larg politikës, sepse deri dje ishte në këmbët e politikës dhe u desh vullneti i kësaj shumice që ajo të jetë e pavarur, s’ke pse e bën këtë pyetje në këtë sallë. E dyta, drejtësia sot po bën detyrën dhe nëse keni raste konkrete ku është ndërhyrë hapur tek drejtësia, është mirë t’ua thoni shqiptarëve në këtë sallë. Ndryshimi jonë me ju në raport me drejtësinë edhe si dita me natën.

Sot ke ministra e ish ministra që po përgjigjen para drejtësisë dhe ka qenë kjo maxhorancë që ka inkurajuar drejtësinë që të hetojë për këdo. Nuk mund t’i thuhet drejtësisë pse nuk bën këtë e atë, dil këtu dhe thuaj kush është personi dhe çështja konkrete që ka bërë këtë gjë e nuk po hetohet. Lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet. SPAK është duke bërë detyrën, hetimi nuk mbaron brenda ditës, ka rregullat e veta, duroni pritni hetimin.

Përgjigjja është për të dy pyetjet.

Jorida Tabaku: Nuk e kam sulmuar kurrë drejtësinë, besoj se jam në detyrën time që të kërkoj informacion se ku janë hetimet? Pse e kërcënoni SPAK? Pse është bërë organi më i sulmuar nga të gjithë ata që kanë një dosje në prokurori? Ku është parë t’i jepni urdhër se çfarë të hetohet? Për mua do të ketë drejtësi kur të hetohet dosja 184 dhe 339, i drejtohem politikës dhe pushtetit të djeshëm, të sotme, të nesërm, kushdo që ka pushtet duhet të jetë para drejtësi sikundër duhej të ishit edhe ju zoti Manja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: