Nga: FATOS ÇOÇOLI*
Në intervalin e kohës ndërmjet prill 1988-mars 1992, në një impiant djegës parash për llogari të Bankës së Anglisë në Loughton pranë Londrës, katër punonjës të impiantit vodhën mbi 600 mijë sterlina që duhej të digjeshin. U kapën nga policia dhe gjykata urdhëroi të kthenin paratë e vjedhura.

Në bazë të një pune të imtë dhe profesionale të Prokurorisë angleze, kthyen 500 mijë sterlina dhe për pjesën tjetër që i kishin shpenzuar në sende luksi e jetë pasanikësh, u dënuan dhe bënë burgim, si dhe për aktin e vjedhjes. Në më pak se katër muaj, vjedhësit ishin dënuar dhe paratë ishin kthyer. Tek ne, në vjedhjen më të madhe të kryer në një bankë qendrore në Ballkan (të paktën janë marrë nga Thesari i Shtetit 6 milionë dollarë), ka më shumë se dy vite nga zbulimi i vjedhjes (ose më saktë, marrësi fizik i atyre parave u vetëdorëzua) dhe Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të kthejë një qindarkë. Edhe pse lajmi në shtyp këto ditë për një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit që vërteton se janë vjedhur tri herë më shumë, 21.5 milionë euro nuk qëndron (ky institucion këtë shumë e ka për dëmin, sipas tij, në Buxhetin e Shtetit nga marrja nga ana e bankave tregtare të parave të dëmtuara ose tejet të përdorura me 20 për qind më pak të vlerës dhe nga rimbursimi me 100 për qind nga ana e Bankës së Shqipërisë, pra një aktivitet që s’ka të bëjë me vjedhjen) sërish lajmi i dalë duhet të na bëjë të ngremë zërin për një punë dyvjeçare aspak të përgjegjshme të Prokurorisë.

Pse hesht institucioni ynë i akuzës dhe nuk shpjegon çfarë mendimi ka se ku përfunduan 713 milionë lekët e reja (gjashtë milionë dollarët) e vjedhur? Si po punon që të rikuperojë këto para? Ka dy vite dhe nuk është ndjerë. Në fillim, në të ngrohtë të ngjarjes, në muajt gusht-shtator 2014, u përfol se paratë i la në bixhoz e lojëra fati vjedhësi-punonjës i Bankës i vetëdorëzuar. Edhe po të pranojmë se është kështu (vështirë, sepse i bie që vjedhësi të ketë luajtur çdo ditë mesatarisht 100 mijë dollarë!), paratë e lëna në lojërat e fatit janë lehtësisht të gjurmueshme dhe të gjendshme. Por kjo për Prokurorinë tonë nuk ndodhi. Nëse, sikur anon të jetë e vërteta, paratë kanë përfunduar në një destinacion tjetër, atëherë ngrihen shumë pyetje që duan përgjigje. Pse Prokuroria nuk jep asnjë pistë se ku mendon të kenë shkuar paratë e qytetarëve të këtij vendi, të vjedhur nga shkelje të përbindshme të një protokolli sigurie të një banke qendrore, që e vetme, neglizhenca edhe ajo më e pafalshmja e drejtuesve dhe përgjegjësve të sigurisë, nuk mund t’i prodhojë? Protokolli i sigurisë i bankës sonë qendrore është e pamundur të jetë shkelur vetëm nga neglizhenca.

Këtu Prokuroria i kishte të gjitha mundësitë të hetonte dhe të shkonte pranë pritësve të vërtetë të atyre parave të nxjerra nga një punonjës i vetëm me tri palë çelësa kasaforte në xhep! Por nuk ka shkuar. A mendon të shkojë ndonjëherë, apo do të kënaqet me dënimin nga gjykata të vjedhësit të trembur dhe të vetëdorëzuar? A i ka shkuar ndonjëherë ndër mend ndonjërit nga prokurorët që kanë hetuar vjedhjen e Bankës së Shqipërisë, se përse u tremb ky vjedhës dhe u vetëdorëzua? Nga të gjitha anët ta marrësh hetimin për ngjarjen më të rëndë në sigurinë bankare të vendit, të ngjan se ky hetim më shumë është marrë me mbulimin e porositësve të vërtetë të vjedhjes, se sa me gjetjen e parave, pronë e taksapaguesve shqiptarë.

Ndoshta reforma në drejtësi, kur të marrë shpejtësinë dhe plotësinë e saj, do të na krijojë mundësinë që të dihet më shumë për destinacionet e gjashtë milionë dollarëve të vjedhura, por sidomos të arrihet të merren dhe të kthehen në Buxhetin e Shtetit një pjesë e këtyre parave. Këtu luhet jo vetëm me imazhin e bankës sonë qendrore, por edhe me forcën dhe autoritetin e shtetit tonë, sidomos të organeve hetuese të tij. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të qëndrojë indiferent kur institucioni i akuzës, i cili varet prej tij, nuk e kryhen detyrën si duhet dhe nuk rimerr as edhe një qindarkë të vetme nga paratë e vjedhura në Bankën e Shqipërisë. Komisioni për Financat mund edhe të zhvillojë një seancë pyetjesh me prokurorët e çështjes apo me vetë Prokurorin e Përgjithshëm, për të nxitur Prokurorinë të kërkojë paratë e të gjithë neve që humbën dhe nuk po gjenden as edhe sot e kësaj dite nga një papërgjegjshmëri totale e institucionit që i ruante këto para dhe e institucionit që kishte për detyrë të gjente ku këto para përfunduan dhe t’ia kthente shtetit.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb