TIRANE- Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj ka dhënë sot detaje në lidhje me shumën e 3.2 milionë dollarëve të BKT-së, që u grabitën pak ditë më parë në aksin Qafë-Kashar dhe që një pjesë e të cilave u gjetën sot nga policia gjatë aksionit për kapjen e 4 autorëve të dyshuar.

Pa përmendur shifrën e saktë se sa ka qenë shuma e sekuestruar sot nga efektivët blu, Hodaj thekon se paratë janë gjetur në disa vende të ndryshme, ku i kishin fshehur autorët. Pas verifikimit të kryer, u vu re se ato kishin të njëjtën prerje me ato që iu grabitën BKT-së në 9 shkurt. Personat e arrestuar janë Neim Avdulaj, Ernest Kupa, Ditjon Memlika si dhe Fation Xhyliu, ndërsa në kërkim janë shtetasit me inicialet M.A dhe C.A.

“Sasia e lekeve është gjetur në disa vende. Ndaj janë veprimet hetimore të karakterit sekret dhe mund të ketë të tjerë që mund të jenë në hetim.”, pohoi Hodaj.

Nga ana tjetër Hodaj bëri të ditur se 4 autorët e dyshuar grabitjes, janë persona me precedentë të mëparshëm penal, brenda dhe jashtë vendit. “Është çështje në hetim por nga informatat që ka policia, disa nga këta persona kanë background të mëparshëm penal brenda dhe jashtë vendit. Duke kuptuar edhe interesin tuaj (i drejtohet gazetarëve), çështja është në hetim dhe e kam të pamundur që të përcaktoj rolin e tyre në këto ngjarje kriminale. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka mbledhur prova të pakontestueshme që i implikojnë ata në këto ngjarje”, – tha Hodaj.

Teksa u pyet nga gazetarët nëse emri i një prej të arrestuarve, Ernest Kupa, ishte pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”, Hodaj pohoi se nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë fakt. “Nuk mund të them këtë në ka apo jo. Nuk kemi asnjë person që ka status të penduarit.”, theksoi ai. Në fund Drejtori i Policisë së Tiranës tha se të arrestuarit nuk kanë lidhje familjare më njëri-tjetrin. “Nga informacionet që ka policia nuk ka lidhje familjare mes tyre.”, përfundoi ai.

Deri më tani Policia ka arrestuar 4 nga 6 autorët e dyshuar për supergrabitjen e 3.2 milionë dollarëve të BKT-së më 9 shkurt 2017 në rrugën e Rinasit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: