Nga LUCIA NADIN*

Do të botohet rishtas në revistën “Res Albanicae”, drejtuar nga Franco Altimari dhe Matteo Mandalà, organ i cili i drejtohet pikërisht kujt është i interesuar të thellohet mbi argumentin, një artikull mbi Mesharin e Gjon Buzukut, nga i cili dalin refleksione të reja e të pabotuara mbi ngjarjet për librin, i nënshkruar siç dihet nga autori në 1555 dhe për të cilin ekziston vetëm një ekzemplar në Bibliotekën Vatikane në Romë.

Në esse-n time të fundit Shqipëria e rigjetur, Zbulim gjurmësh shqiptare në kulturën e Venetos në shek. XVI, (përkthim në shqip nga Pëllumb Xhufi, Tiranë, Onufri, 2012), studioja e botimeve te Bernardino (de) Vitali, botues -siç dihet – i veprave të Marin Barletit (tregimi i pushtimit te dytë të Shkodrës dhe Jeta e Skënderbeut), ka hapur një skenar tepër interesant mbi historinë publicistike të këtij botuesi. Mbi të gjitha ka dalë në pah një marrëdhënie e ngushtë mes Vitalit dhe njërit prej personaliteteve më të spikatura të humanizmit venecian Girolamo Donà. Natyrisht kjo marrëdhënie midis tyre duhet të përfshinte dhe Marin Barletin dhe për këtë duhet pasur parasysh në studimin e veprave të tij, sidomos përsa i përket kuadrit humanist, një drejtim, siç besohet, i influencuar nga i madhi Donà.

Pra, studioja e botuesit Bernardino Vitali, që shpalosi një skenar të botimeve veneciane në gjysmën e parë të 1500-ës, aktive deri në vitet ’40-të të këtij shekulli, me shtypshkrues të tjerë që qenë dhe ortakë, realizoi shumë libra të tij (më shumë se dyqind tituj të gjetur) me një cilësi figurative të mrekullueshme. Rëndësia e figurës së tij risillet me insistim, sepse, siç do të shihet, ajo na përcjell në ato vitet e ’50-ta në të cilat shfaqet në Venecia Meshari i Buzukut; po, në Venecia, sepse pikërisht në esse-në e sipërpërmendur është rindërtuar klima në të cilën kjo vepër është maturuar; dhe shtypshkrimi “venecian” duket tashmë i verifikuar.

Është kërkuar, gjithnjë tek Shqipëria e rigjetur, të vërehet një qëndrim i mundshëm i Buzukut në Venecia, ose ndryshe si njihet Giovanni Bosichio, në brendësi të ndonjërës nga tre polet françeskane të qytetit, në atë të San Giobbe më specifikisht: një hipoteze, gjithsesi, në stadin aktual të njohjeve. Por hipotezat, në rrugën e vështirë të kërkimeve, në mungesë të dokumenteve të sigurt, mund të jenë thjesht stimuj të nevojshëm për të ngritur pyetje të reja.

Përse për Mesharin nuk ka gjurmë në listën e Indeksit të librave të ndaluar në periudhën post “Koncilit të Trentos”? Pas 1558, është tashmë e ditur, se u ndalua nga Roma të botoheshin tekste fetare të shkruara në gjuhë kombëtare.

A pati ndonjë arsye tjetër përse kjo vepër të hiqej nga qarkullimi? Përse u grisën faqet e fundit, ku duhet të shkruhej emri i njësisë tipografike nga kishte dalë libri? Pikërisht studimi i gamës së botimeve veneciane në mesin e 1500-ës, nisur nga Bernardino Vitali, botues i Marin Barletit, mundet të rihapë sot perspektiva të reja kërkimi e t i përgjigjet mbase disa çështjeve që lidhen mbi Mesharin.

Studimi i mekanizmit figurativ i pranishëm në vepër, në të vërtetë shumë i kufizuar për shkak të mbajtjes së kostove të ulëta, na ka lejuar të kuptojmë se si dy imazhe janë përcjellë nga repertori i botuesit Bernardino Benali, më saktësisht imazhi i engjëllit duke u lutur dhe profetit (fig. 1-2). Deri këtu do të mund të thonim se është normale që janë marrë nga një shtypshkrues në tjetrin, në një qarkullim materialesh tipografike të përhapur në një Venecia që ishte tashmë kryeqendra europiane e shtypit prej nga koha e Aldo Manuzio-s.

Por ngjarja merr trajta të tjera, pasi janë gjetur gjithashtu edhe dy shkronja kapitale të figuruara tek Meshari (fig.3-4), të marra nga repertori i botuesit Bernardino Bindoni, një botues, puna e të cilit qe në të njëjtën kohë me atë të Vitalit dhe Benalit; e i përkiste një dinastie të tërë botuesish, sepse ishin gjithashu edhe katër vëllezrit Bindoni të ardhur në Venecia nga territori i Milanos që punuan që nga vitet e para të 1500-ës; e më pas aktiviteti i kaloi fëmijve e nipërve.

Një nga vëllezrit e Bernardino-s, Alessandro, ishte botuesi i Paolo Angeli dhe kjo përbën interes për lidhjet me botën shqiptare të pranishme asokohe në Venecia. Kësisoj, Bernardino Bindoni qe një botues që iu përkushtua veprave fetare, pranë ambienteve “reformuese”, ose më mirë atyre të ndjeshme ndaj ideve të reformës protestante, vepra të cilat shtypeshin në mënyrë modeste, madje ishin dhe të lëna pas dore. Ky u ndoq nga drejtësia për një botim (tregimi i një historie gjaku) të publikuar pa lejen e duhur në 1551; e për këtë shkak, bashkë me të birin, u thirr në një gjyq në të cilin ai nuk u prezantua asnjëherë, si pasojë ndëshkimi iu dyfishua, u përjashtua duke mos u lejuar të rifutej më në Venecia, ku ndër të tjera ndodhej dhe ofiçina e tij dhe e familjarëve të tjerë. Ndoshta, besohet, gjeti strehë në zonën e Padovas, ku vite më parë kishte bashkëpunuar me shtypshkrues të tjerë.

Po çfarë do të thoshte rimarrja e dy shkronjave kapitale në 1555 nga një botues i përzënë zyrtarisht nga Venecia? Përse të përfshihej në “Meshar” një element i tillë nga një botues i përzënë?
Apo është e tërë vepra e dalë nga shtypshkronja e Bindonit, Bernardinos apo një familjari, dhe në të mbetet një citat me dy shkronja kapitale që mund të kalonin pa u vënë re në aparatin figurativ, edhe pse jo shumë të pasur?

Qe caktimi i ofiçinës së Bernardino Bindonit, botues i përjashtuar nga Venecia, që përcaktoi tërheqjen e veprës, të publikuar jashtë ligjit? Pra, një tërheqje që nuk kishte të bënte me Indeksin e librave të ndaluar, ku nuk shfaqet asnjëherë?

Nëse Bernardino Bindoni i përjashtuar gjendet në zonën e Padovas dhe madje arrin të disponojë edhe materialet e tij tipografike, kjo mund të përbënte një rast më ekonomik, pikërisht siç kishte nevojë ai që i porositi punën.

Gjon Buzuku porositës? Absolutisht jo, mendohet që Buzuku ishte një person i spikatur për kompetencën e tij në fushën gjuhësore, e në këtë kuptim është për tu verifikuar një prezencë e tij mes emigrantëve për shkak të luftës së Moresë e përmbyllur “me shpejtësi” nga Venecia në 1540 (një kapitull i ri për një studim tjetër!), të ardhur rishtas në tokën veneciane dhe që posedonin atë gjuhë që tashmë po zbehej nga brezat e ardhura dhjetëra vjet më parë. Porosia është për tu kërkuar dhe kjo pistë është në zhvillim e sipër nga autorja, në ngjarjet e marrëdhënieve të familjes Angeli.

Duhet përfunduar së nënvizuari se familja Angeli ishin falsifikues të origjinës së tyre fisnike; po, pse jo, krijuan dhe ata, si pjesa më e madhe e fisnikërisë italiane dhe europiane, gjenealogji “të pamundshme”, duke marrë të ashtuquajturat çertifikime nga “Curia romana”. Por sa fisnikë europianë u çertifikuan si pasardhës të Karlit të Madh, apo madje dhe refugjatë të shquar troianë e deri tek heronjtë mitologjikë të Olimpit!

Paolo dhe Andrea Angeli, me dy vëllezërit e tjerë, ndoqën damarin e të atit Pietro që jetoi në Padova (nga i cili u kishte kaluar atyre një kuotë mujore e përcaktuar nga autoritetet veneciane), ai Pietro që kishte luftuar për të ruajtur kujtimin e Atdheut të humbur. Ishte familja Angeli nga mesi i 1500-ës në veprën e promovimit të kujtimeve historike të Shqipërisë, në një fazë rënieje progresive të kësaj të fundit, kujtim që i duhej kushtuar dëshmisë së tyre gjuhësore, tashmë e rrethuar nga ajo e dominuesve të rinj, po ashtu nga ajo zyrtare e vendeve pritëse. Një projekt që kishte synimin e qartë të ruajtjes së katolicizmit verior të Shqipërisë e që nëpërmjet dokumenteve gjuhësorë, të shqitjes nga harresa e padrejtë e historisë së tokës shqiptare.

Meshari i jep zë një projekti të madh për ripërtëritjen e kujtimit historik të Shqipërisë në mes të 1500-ës, nënvizohet. Dhe jo rastësisht, një vit përpara publikimit në Venecia të Mesharit, në 1554, shtëpia botuese Rocca, pra në të njëjtën periudhë kur shkruante Buzuku, ripropozoi Jetën e Skënderbeut të Marin Barletit të përkthyer në italisht.

Dhe në 1554 kishte filluar cikli i pikturës së Paolo Veronese në San Sebastiano në Venecia, ku shfaqet një simbol i Kastriotëve i cili paraqitet – edhe me elemente të tjerë – ngjarjen biblike të Mardokeut dhe atë të Miles Christi Scanderbeg. (Një histori komplekse është ajo e kishës së San Sebastianos, protagonistë të së cilës janë dy klerikët shqiptarë Niccolò Franco dhe Girolamo Messio, autorë të teksteve të ndryshëm dhe prandaj për tu shtuar në listën e historisë së shkrimtarëve shqiptarë! Po ashtu dhe Messio u përjashtua nga Venecia).

Dhe tre vjet përpara u bë riorganizimi i praktikave fetare të komunitetit katolik shqiptar, që i përkiste kishës së San Maurizio-s, të transkriptuar në kopje luksoze, të Matricola della Scuola, pikërisht të shqiptarëve. Transkriptuesi ishte Giovanni Vitali, familjar, mbase nip, i Bernardino Vitalit, botues i Marin Barletit, nga ku u nisëm.

Meshari i Gjon Buzukut, ose ndryshe Giovanni Bosicchio, nuk është pra një “lule në shkretëtirën” e 1500-ës: studimi i emigrantëve shqiptarë të disa gjeneratave dhe të procesit të integrimit të tyre në Republikën e Venecias tregon realitete të tjera përveç arbëreshëve të jugut të Italisë dhe vazhdon ti kthejë Shqipërisë faqe të pashkruara të historisë së saj.

Ka qenë ofiçina (studioja) e Bernardino Bindonit, i përjashtuar si botues, të shtypë Mesharin? Mos ndoshta duhen bërë llogaritë me rrjedhën e ngjarjeve gjyqësore për shtypshkrimin e Mesharit?
Kërkimi, me të dhënat e tjera të dala rishtas, duhet konsideruar i rihapur, me durimin e pareshtur dhe modestinë e përhershme që i përket.

Përktheu nga origjinali, Xhana Belegu

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: