Mediat peruane kanë lëshuar ‘bombën’ mediatike duke akuzuar “AFA-n”, Federatën Argjentinase të Futbollit, se po bashkëpunon me FIFA-n e CONMEBO-l për të manipuluar ndeshjen ndërmjet këtyre skuadrave që vlen kualifikimin për në Kupën e Botës “Rusi 2018”.

Është pikërisht ‘Todosport’ ajo që ka publikuar lajmin e bujshëm dhe që po e bën tashmë xhiron e botës. Sipas kësaj të përditshmeje, të tre institucionet kanë arritur në një marrëveshje për të manipuluar këtë përballje delikate sidomos për Argjentinën, e cila rrezikon jo pak që të mbetet jashtë Kupës së Botës së vitit të ardhshëm.

Sfida mes Argjentinës dhe Perusë do të zhvillohet në ‘Bombonera’ të Bueno Airesit dhe skuadrat janë me kuotë të barabartë pikësh në klasifikimin e Grupit të Amerikës Latinë të kualifikueseve, me Perunë që ndodhet në vendin e katërt për shkak të golavarazhit më të mirë se skuadra e Sampaolit.

Për këtë arsye kjo sfidë merr vlera të mëdha, ajo që do të fitojë është me një këmbë në botërorin e Rusisë. Sigurisht kjo akuzë duhet vërtetuar, megjithatë ajo u ngrit nga diçka.

Gazetarët “Todosport” i kanë ngritur akuzat duke marrë shkas nga prania e Gianni Infantinos në Buenos Aires. Kreu i FIFA zhvilloi një takim me drejtuesit e Federatës Argjentinase të Futbollit për të diskutuar për kandidaturën e përbashkët me Uruguain e Paraguain për organizimin e Botërorit 2030.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb