Në prag të ndeshjes me Izraelin, e katërta e Kombëtares kuqezi për eliminatoret e Botërorit 2018-të, trajneri Xhani De Biazi nuk e sheh të pamundur kualifikimin, por këshillon që futbollistët të jenë të bashkuar si një grup i vetëm që ka një qëllim, aq më shumë në momente vështirësie.

“Ëndrrat e bëjnë jetën e një njeriu më të bukur, nëse nuk do të ishin ato jeta e njeriut do bëhej e zymtë. por nëse futbollistët do japin maksimumin edhe në momentet e vështira, nëse do bashkohemi si një grup dhe një forcë e vetme, diçka do arrijmë”,- tha ai në konferencën e sotme për shtyp, ku shpalli edhe listën e futbollistëve të grumbulluar për sfidën e së shtunës.

E si për të na mbushur mendjen që edhe ai beson tek kjo ëndërr, trajneri i kuqezinjve shtoi se realizimi i saj është arsyeja pse ka vendosur të qëndrojë në krye të skuadrës.

“Lojtarët janë mësuar me shijen e fitores dhe humbjeve, më shumë më shqetëson ambienti përreth, se mendojmë që jemi më të mirët në botë pas Europianit. E rëndësishme është që të bashkohemi të gjithë në momente të vështira. Bëmë një mrekulli arritëm të dalim dytët nga grupi për eliminatoret e Europianit, shpresojmë në një tjetër mrekulli, ndryshe nuk do rrija në drejtimin e skuadrës”,- vijoi trajneri.

Kundërshtari i radhës, Izraeli për De Biazin duhet marrë seriozisht, pasi ta mundësh nuk do të jetë aspak e lehtë.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb