PSG dhe Dortmund me një këmbë në fazën e 1/8 të Champions League. Falë suksese 0-3 në transfertë respektivisht ndaj Brest dhe Sporting Lisbonë, të dyja këto skuadra do ta kenë thjesht një formalitet kualifikimin nga faza “play-off”.

Kampionët francezë të PSG nuk patën vështirësi të mposhtnin ekipin francez të Brest. Surpriza e këtij sezoni Bresti debutues duket se arriti maksimumin duke shkuar deri në fazën “Play-off”, por u duk e dorëzuar përballë një skuadre pretentendente dhe shumë të uritur për të shkuar sa më larg këtë sezon në Champions.

Sfida u hap falë një penalltie, me VAR që sinjalizoi gjyqtarin kryesor për një prekje të topit me dorë. Vitinha nga pika e bardhë u tregua gjakftohtë duke zhbllokuar rezultatin. Në minutën e fundit të pjesës së parë do të ishte Osman Dembele që praktikisht do të mnyllte llogaritë që në pjesën e parë me një diagonale potente në shtyllën e parë. Dembele do të ishte edhe autori i golit të 3 në mesin e pjesës së dytë, me të besuarit e Luis Enriques që hipotekojnë kalimin më tej.

Kualifikim që kanë siguruar mes 16 më të mirave edhe gjermanët e Borussias së Dortmundit. Fitorja e parë e verdhezinjve në erën e teknikut Kovaç erdhi në një fushë të vështirë si ajo e Jose Alvalades, ndaj kampionëve portugezë të Sporting Lisbonës.

Pjesa e parë ishte më e ekuilibruara me vendasit madje që ishin më kërkues, por në fraksionin e dytë eksperienca më e madhe në këtë kompetiicon e Dortmund doli në pah. Guirassy me kokë në të 60 do të shfrytëzonte një harkim të Julian Brandt për golin e epërsisë. 8 minut më vonë rolin e njeriut asist do ta bëne Guirassy që harkon saktë për Gross që nuk do ta kishte të vështirë të shtynte topin drejt rrjetës. Golin e vulosjes së rezultatit ndërkohë do ta realizonte Adeyemi 8 minuta nga fundi i kohës së rregullt, duke e bërë edhe më thjeshtë kualifikimin për gjermanët, një javë më pas ku në Signal Iduna Park do të zhvillohet edhe akti i dytë i kësaj përballje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: