NGA ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANË- Rreth 3.500 mësues që dhanë provimin e kualifikimit në muajin prill do të përfitojnë shtesë mbi pagën, në varësi të kualifikimit që kanë fituar. Shtesa e pagës për mësuesit pasi kanë marrë kualifikimin nuk llogaritet mbi pagën bruto, por llogaritet mbi pagën bazë. Shtesa mbi pagën e arsimtarëve që kanë kaluar me sukses kualifikimin do të fillojë në muajin qershor. Ndërkohë që, brenda javës që vjen do të dalin edhe vlerësimet përfundimtare, pasi gjatë kësaj jave mësuesit kanë pasur mundësi të bëjnë ankimimin e rezultateve që kanë marrë. Drejtuesit e Institutit të Zhvillimit të Arsimit kanë sqaruar se fillimin e javës që vjen, Komisioni i Vlerësimit do të nisë shqyrtimin e ankimimeve që do të vijnë nga Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe pas këtij procesi do të nisin certifikatat përfundimtare të vlerësimit, ku është edhe titulli i kualifikimit që marrin mësuesit, në bazë të të cilit përfitojnë edhe shtesën mbi pagën bazë.
KUALIFIKIMI & SHTESA E PAGËS
Kategoritë e kualifikimit të mësuesve janë: “Mësues i kualifikuar” ose ndryshe kategoria III, për të cilin duhet mbi 5 vite punë, “Mësues specialist” ose ndryshe kategoria II, dhe mësuesit për të dhënë provimin për këtë kategori duhet të kenë mbi 10 vite punë, si dhe kategoria I, “Mësues mjeshtër”, ku arsimtarët duhet të kenë 20 vite eksperiencë pune. Në bazë të kategorisë që mësuesit hynë për të fituar në muajin prill, do të fitojnë edhe shtesën e pagës. Neni 59 i ligjit për Arsimin Parauniversitar përcakton se, çdo kategori kualifikimi e mësuesve shoqërohet me shtesë mbi pagën bazë, masë e cila përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Vendimi i Këshillit të Ministrave ku përcaktohet edhe masa e shtesës që përfitojnë mësuesit pas kualifikimit është përcaktuar 21 vite më parë. Pasi shtesa e pagës që mësuesit përfitojnë është përcaktuar në vendimin nr. 537 të datës 26.09.1994 dhe varion nga 5 deri në 20%. Për mësuesit që fitojnë kategorinë III, pra “Mësues të kualifikuar”, shtesa mbi pagën do jetë 5%, për mësuesit që marrin kualifikimin “Mësues specialist” shtesa do të jetë 10%, ndërsa për mësuesit “Mjeshtër”, që marrin kategorinë I, shtesa është më e lartë, pasi shkon në 20% të pagës bazë. Nisja e llogaritjes së shtesës së pagës për rreth 3.500 mësues do fillojë në muajin qershor.

Në nenin 19, në pikat 3 dhe 4 të udhëzimit të MAS për kualifikimin e mësuesve përcaktohet se, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të vlerësimit të mësuesve, Ministria e Arsimit u nis shkresën njësive arsimore vendore për shtesën e pagës. “Mbështetur në rezultatet përfundimtare të kandidatëve, Drejtoria e Shërbimeve të Brendshme në MAS u dërgon njësive vendore arsimore shkresën për shtesë page.

Për mësuesit e shkollave profesionale, Drejtoria e Shërbimeve të Brendshme në MAS i dërgon shkresën Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me rezultatet e kualifikimit”, përcaktohet në udhëzimin e MAS për kualifikimin e mësuesve. Brenda muajit maj, IZHA do të dërgojë pranë çdo DAR/ZA certifikatën e mësuesve që kanë fituar kualifikimin përkatës, ku përcaktohet dhe vlerësimi i tyre me shkronjë dhe përshkrim. Mësuesit që vlerësohen me E (Dobët), nuk e fitojnë kualifikimin dhe nuk përfitojnë rritje page.
SHEMBULL
Shtesa e pagës që do përfitojnë mësuesit është mbi pagën bazë dhe jo mbi pagën bruto apo pozicionin, pagë e cila shkon në 35.500 lekë. Paga bazë e mësuesve në shkollat 9-vjeçare është 14.000 lekë, pra mësuesit e këtij sistemi që fituan kategorinë III, do përfitojnë 5% të 14.000, pra 700 lekë më shumë në muaj. Mësuesit që fituan kategorinë II do përfitojnë 10%, pra 1.400 lekë, ndërsa mësuesit që kanë fituar kategorinë I, pra kualifikimin mjeshtër, do përfitojnë 20% të pagës bazë, që i bie një shtesë page prej 2.800 lekësh në muaj.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: