Kosova do të përballet me Izraelin me 25 mars, ndërsa pret Andorrën 3 ditë më pas. Nga grumbullimi i “Dardanëve” para ndeshjeve të kualifikueseve të Euro 2024, ka folur lojtari Vedat Muriqi.

“Jemi duke u përgatitur me optimizëm prej ditës së parë. Jemi me fat që kemi lojtarë në formë. Grupi ynë nuk është i lehtë por kemi gjasa të mëdha për kualifikim. Gjithsesi nuk mjaftojnë vetëm fjalët, por këtë duhet ta bëjmë edhe me punë brenda fushës dhe jashtë fushës. Mendoj që kemi kualitet për dy pozitat e para që na e sigurojnë kualifikimin në Evropian”.

“Me përkrahjen e tifozëve dhe të shtetit tonë, besoj se me shokët e mi brenda fushës do t’ia arrijmë qëllimit dhe do ta bëjmë historinë bashkë. Shumica e lojtarëve janë që kanë shumë minutazh në ekipet e tyre dhe janë në formë të shkëlqyeshme, prandaj sigurisht që kjo do të vërehet që nga ndeshja e parë”.

“Normalisht duhet edhe pak fat, por do të shkojmë në Izrael për fitore. Izraeli së bashku me Zvicrën janë rivalët më të fortë në grup dhe që parashikohet ta kalojnë grupin. Por, ne do të shkojmë atje ta bëjmë surprizën”.

“Kur them surprizën e them në aspektin medial, ngase për neve nëse fitojmë atje nuk është surprizë sepse ne po shkojmë atje për fitore, pasi synojmë t’i fillojmë mbarë kualifikimet. Me këtë kualitet që kemi besoj se do të arrijmë diçka që e kemi pritur për shumë vite”.

“Na ka marrë malli për tifozët tanë ‘Dardanët’, të cilët na përkrahin anë e mbanë botës pa marrë parasysh se ku jemi. Dua që ata vetëm të kenë durim dhe të na përkrahin si gjithmonë” – tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: