KUÇOVË – Më shumë se 10 gra shqiptare në 1000 që kanë bërë mamografinë, kanë rezultuar me një diagnozë tumori të gjirit.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se “nga të dhënat e disa analizave paraprake, bazuar në gjetjet e fushatës së ndërgjegjësimit tetor-nëntor 2014, vlerësohet se më shumë se 10 në 1000 gra të ekzaminuara përfundon në një diagnozë tumori të gjirit. Ky tregues rezulton mjaft më i lartë se ai i raportuar nga programet rutinë të depistimit me mamografi në vende të tjera evropiane, ku 1000 mamografi primare depistuese prodhojnë jo më shumë se 4 raste zbulimi të hershëm të kancerit.”

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj inspektoi sot njësitë e mamografive të lëvizshme, që tashmë ndodhen në Kuçovë, një nga zonat që kanë akses të kufizuar për të marrë këtë shërbim.

“Këto ekzaminime ofrohen pa pagesë, – tha Beqaj, – për të rrëzuar kështu barrierat finaciare që mund të kenë gra nga shtresa të ndryshme në përmbushje të angazhimit për mbulim universal. Këto ekzaminime ofrohen pranë vendbanimit në zonat me periferike të vendit, për të rrëzuar dhe barrierat gjeografike.”

Njësitë lëvizëse ofrojnë shërbim me kapacitet të plotë. Mesatarisht çdo njësi bën rreth 15 ekzaminime në ditë duke bërë të mundur që çdo muaj të mund të ekzaminohen rreth 600 gra. Aktualisht, njëra prej njësive ndodhet në Ersekë që prej javës së kaluar pasi kreu tre javë në Gjirokastër, ndërsa njësia tjetër, pas Përmetit, ka filluar tashmë punën në Kuçovë. Përveç këtyre qyteteve, është ofruar shërbim edhe në Ballsh, 1 javë dhe Tepelenë, 2 javë.

Për rastet e dyshimta, ISHP ka planifikuar që në fund të vitit të kryjë një verifikim përmes krahasimit të emrave të përfshirë ne proçesin e kapjes së hershme me emrat e përfshirë në regjistrin e kancerit.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb