Roja Kufitare e Shteteve të Bashkuara ka regjistruar më shumë se 8000 vdekje emigrantësh përgjatë kufirit SHBA-Meksikë që nga viti 1998. Në një qark në jug të Teksasit ka ndodhur numri më i madh i vdekjeve të emigrantëve.

Një vëmendje e madhe është përqendruar tek emigrantët që kalojnë kufirin SHBA-Meksikë, por qarku Brooks, rreth 130 kilometra në veri të lumit Rio Grande, përballet me një krizë të veçantë emigrantësh. Nga viti 2012 deri në vitin 2019, në këtë zonë pati më shumë vdekje emigrantësh se në çdo qark tjetër të Teksasit të Jugut, duke marrë emrin “fushat e vrasjeve”, sipas një raporti të vitit 2020 nga Qendra ‘Strauss’ e Universitetit të Teksasit.

Emigrantët që kalojnë pa u diktuar nga autoritetet në Shtetet e Bashkuara shpesh përdorin qarkun Brooks si një korridor për të arritur në destinacionin e tyre të ardhshëm.

Për të shmangur pikën e kontrollit të Patrullës Kufitare pranë Falfurrias, qyteti më i madh në qarkun Brooks, ata ecin për ditë të tëra nëpër ferma private. Një numër i tyre vdesin nga lodhja, nxehtësia, dehidratimi dhe temperaturat e ulëta.

“Vitin e kaluar ne gjetëm gjithsej rreth pesë trupa ose mbetje trupash. Viktimat kishin vdekur në kohë të ndryshme”, thotë Fernando Cervantes, menaxher e një ferme në qarkun Brooks.

Toka është me rërë. Temperaturat shpesh arrijnë deri në 38 gradë celsius. Pikat orientuese janë të pakta dhe dallimi i tyre është i vështirë, duke bërë që emigrantët të humbasin rrugën. Zoti Cervantes thotë se ata që gjenden të gjallë marrin ndihmë dhe u dorëzohen Patrullës Kufitare.

“Vitin e kaluar, ne gjetëm një numër pothuajse të njëjtë emigrantësh. Ne gjetëm gjashtë njerëz, duke ecur të cilët e kishin humbur rrugën dhe ishin në prag të vdekjes”, thotë fermeri Fernando Cervantes.

Ata që kanë humbur, ose që kanë lënë pas njerëz të tjerë ndonjëherë kërkojnë ndihmë.

Shefi i policisë në qarkun Brooks, Benny Martinez thotë se më shumë emigrantë vdesin në qarkun Brooks se kudo tjetër përgjatë kufirit SHBA-Meksikë. Kur emigrantët telefonojnë për ndihmë, personeli përpiqet t’i mbajë ata në telefon sa më gjatë që të jetë e mundur. Personeli i zyrës së Shefit të Policisë gjithashtu punon me oficerët e Patrullës Kufitare për të shpëtuar emigrantët në vështirësi ose për të hequr trupat e emigrantëve të vdekur.

“Në ditët e nxehta, ata mund të vdesin brenda 72 orëve. Patrulla Kufitare tani është e përgatitur shumë mirë. Ata kanë ekipin e ndihmës së shpejtë, që mund t’i trajtojë menjëherë emigrantët me probleme shëndetësore”, thotë zoti Martinez.

Ata që nuk mbijetojnë dërgohen në morgun e qytetit.

“Qarku Brooks ka morgun e vet dhe me ndihmën e Patrullës Kufitare dhe disa nga policët e trajnuar, pas u merren shenjat e gishtërinjve, viktimat dërgohen atje. Më pas informacioni dërgohet në konsullatat e vendeve përkatëse dhe ata identifikohen nga pjesëtarët e familjes”, thotë ai.

Trupat që nuk i kërkon asnjëri dërgohen në Universitetin Shtetëror të Teksasit. Në vitin 2022, zyrtarët kufitarë amerikanë gjetën eshtrat e 858 emigrantëve përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara. Në vitin 2021, u gjetën trupat e 657 viktimave, ndërsa në vitin 2020, 255.

Por aktivistët që mbështesin emigrantët thonë se këto shifra janë shumë të ulëta. Eduardo Canales, drejtor i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Teksasin Jugor, një organizatë jofitimprurëse që drejton një program për rikuperimin e personave të zhdukur, thotë se mbi 200 trupa u zbuluan në dy vitet e fundit vetëm në qarkun Brooks. Ai thotë se gjetja e personave të zhdukur është e vështirë.

“Kjo është më e lehtë vetëm kur kemi koordinatat e sistemit global të navigimit dhe jemi në gjendje t’i transferojmë ato tek patrullat kufitare ose ekipet që gjurmojnë trupat e emigrantëve”, thotë ai.

Zoti Canales shpesh i kontrollon pikat e ujit në kryqëzimin e autostradave, që përdoren nga emigrantët për të shkuar në San Antonio./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: