Komisioni Europian njoftoi sot se ka thirrur gjashtë shtete anëtare, përfshirë Belgjikën dhe Gjermaninë, për të shpjeguar brenda 10 ditësh masat kufizuese të trafikut, të lidhura me COVID-19, të cilat i konsideron si joproporcionale.

“Ekzekutivi i BE-së u ka dërguar letra Belgjikës, Danimarkës, Finlandës, Gjermanisë, Suedisë dhe Hungarisë, pasi gjashtë vendet zbatojnë kufizime më të ashpra sesa ato të rekomanduara nga BE, përfshirë ndalimet për hyrjen në territorin e tyre”, shpjegoi një zëdhënës i Komisionit.

“Këto rregulla tregojnë për një rrezik copëzimi, pengesa për lëvizjen e lirë, përçarje të zinxhirëve të prodhimit”, theksoi ai.

KE këmbënguli se kufizimet duhet të jenë jodiskriminuese dhe proporcionale dhe u bën thirrje qeverive të interesuara të rreshtohen me rekomandimet e përbashkëta të miratuara katër muaj më parë nga të 27 vendet anëtare, shkruan atsh.

Krerët e BE-së pritet ta diskutojnë koordinimin e luftës kundër pandemisë në një samit të posaçëm me videokonference të enjten dhe të premten.

Shtetet e interesuara kanë 10 ditë për t’iu përgjigjur Komisionit, i cili nuk përjashton fillimin e procedurave të shkeljes kundër tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: