I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, mjeku veteriner dhe sipërmarrësi Ervin Resuli ka folur mbi gjendjen që po kalon veterinaria në kohën e coronavirusit, si dhe mbi reagimin e ministrit të Bujqësisë Bledi Çuçi, që sipas Resulit ishte i duhuri edhe pse i vonuar.

“Përshendes reagimin e ministrit të Bujqësisë, edhe pse i vonuar pas kaq kërkesash të adresuara prej javësh. Ata që duhen të jenë më të kujdesshëm dhe luftarakë në kohën e pandemisë janë mjekët, infermierët dhe mjekët veterinerë, pasi këta të fundit janë ata që tregojnë kujdesin ndaj kafshëve. Gjatë kësaj kohe, veterinerët kanë qenë të cunguar në ushtrimin e duhur të lëvizjes së tyre, pasi lëvizja ka qenë problem ku ka patur edhe përplasje me forcat e rendit”-u shpreh Resuli.

Ervin Resuli foli mbi sanksionet ndaj farmacive veterinare dhe se si rajoni e ka zgjidhur problemin e ushtrimit të këtij profesioni pa kufizim.

“Është thelbësor roli i mjekut në këtë pandemi. Ndaj nesh parashikohen edhe sanksione, përmend këtu rastin e gjobitjes së një farmacie veterinare në Gjirokastër. Është kulmi që ndodh në këtë situatë, të gjobitesh pse mban farmacinë hapur, pra që ushtron profesionin tënd. Rajoni e ka rregulluar me vendim qeverie, që lejon të ushtrohet profesioni pa kufizim. Orari i vendosur me vendim qeverie në vendin tonë është nga ora 05:00-13:00, në një kohë që ne jemi 24 orë në dispozicion të kafshëve. Organizata Botërore për Kafshët e cilëson se puna e mjekut veterinar nuk duhet ndërprerë në asnjë moment, sidomos në këtë situatë që ne ndodhemi”-tha Resuli.

Problematikë në këtë periudhë sipas mjekut veteriner janë zoonozat të ndryshme të kafshëve, teksa hodhi kritika mbi qeverinë që sipas tij duhet të zbresë në terren dhe të japë zgjidhje afatgjata.

“Ne rrezikojmë të kapemi nga zoonoza të ndryshme të kafshëve, po lejojmë një sektor që është i rrezikshëm të krijojë probleme të tilla, si bruceloca, tubekulozi. Ne përveçse kontrollojmë zoonozat, japim edhe informacion, këshillojmë në këtë periudhë fermerin mbi masat që duhet të marrin për mbrojtjen ndaj coronavirusit. Qeveria në asnjë pikë të planit të saj nuk ka dhënë asnjë mbështetje ndaj bujqësisë, blegtorisë, vetrinerëve, presim rënie në vazhdim. Qeveria duhet të jetë në terren për t’i dhënë një zgjidhje afatgjatë”-nënvizoi Ervin Resuli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb