TIRANË

Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, qetësoi të gjithë shqiptarët, lidhur me përhapjen globale të koronavirusit, teksa tha se raporti i vdekshmërisë deri më tani është më pak se 2%.

I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, mjeku infeksionist deklaroi se raporti i vdekshmërisë nga gripi stinor është 2-3 herë më i lartë se koronavirusi.

“Nuk i takon koronavirusit ta quajmë virus vdekjeprurës. Në SHBA, deri tani janë prekur mbi 20 milionë me gripin stinor, mbi 180 mijë të shtruar, dhe mbi 10 mijë të vdekur. Pra, gripi stinor e ka vdekshmërinë dy-tre herë më të lartë se koronavirusi, por me gripin ne kemi dekada që jetojmë me të. Vend për panik nuk ka”, tha mjeku Pipero.

Më tej, mjeku infeksionist tha se Shqipëria ka marrë masat dhe ka të gjitha kapacitetet për të përballuar rastet e para, nëse do të ketë të tillë, ndërsa këshilloi të gjithë qytetarët që të lajnë sa më shpesh duart, si dhe të përdorin kartëpeceta, kur teshtijnë ose kolliten.

Intervista:
A është e drejtë të ketë kaq shumë frikë e panik?
Situata është në aspektin shëndetësor është për t’u vlerësuar seriozisht, në aspektin e panikut është i tepërt, i ekzagjeruar. Paniku në këtë rast është aleat i virusit, jemi në një situatë epidemie të gripit sezonal dhe shenjat e para klinike, qoftë të koronavirusit, qoftë të gripit, janë të njëjta. Pra, qytetarët sulmojnë dyert e spitaleve edhe për gjëra të rëndomta. Asnjë indikator shëndetësor nuk justifikon panikun, pra ka më shumë panik, se rrezik. Është krijuar ky lloj paniku, që është i pajustifikuar.

Në Rinas ka matje të temperaturës, sa efektive është kjo?
Mendoj që masat e marra në Rinas, apo në pikat e tjera kufitare, janë në përputhje me orientimet e OBSH, janë të nevojshme. Por, nuk ka deri më sot asnjë indikator që të thotë se kishte apo jo infeksion koronavirus, dhe as metoda të tjera për ta përcaktuar, kjo pasi ky virus e ka periudhën e fjetjes në organizëm të gjatë, e ka dy javë minimumi. Pavarësisht masave të marra, mundësia për ta verifikuar një person nëse është apo jo i infektuar është shumë e vogël, pasi temperatura nuk mjafton.

Çfarë u diskutua sot në mbledhje?
Ne çdo ditë ja dedikojmë koronavirusit, mbledhjen e mëngjesit. Sot u dhanë më shumë porosit se si do të përballemi me rastin e parë, nëse na vjen. Janë ndarë punët te infektivi për personin që vjen nga Urgjenca Kombëtare, deri te Urgjenca e Sëmundjeve Infektive, dhe si do të procedohet hallkë pas hallke, dhe ne i kemi kapacitetet, për një, dy apo tre raste.

Si do veprohet, nëse do të kemi një rast të parë?
Mundësitë janë të mëdhaja që ta kemi një rast. Janë marrë të gjitha masat, që një rast, që vjen si i dyshuar, pra ka shenjat e gripit dhe kthehet nga një zonë ku koronavirusi është i lartë, përballet me personel të veshur tërësisht, futet në dhomën e veçantë, që është e izoluar, me aspirator. Unë jam kundër karantinës së ekzagjeruar, unë mund të bëj karantinë për një person që vjen nga Italia ose Kina, i vë termometrin në Rinas dhe është me temperaturë, dhe e mbaj disa orë, derisa të vërtetoj nëse ka apo jo koronavirus. Vështirësia në frymëmarrje është shenjë e rëndësishme klinike, që tregon koronavirusin. Asnjë vend në botë, sado i sofistikuar e i pasur të jetë, nuk i ka kapacitet për të përballuar një virus. Rasti i Kinës e tregoi këtë. Pra, momenti i parë është shumë i vështirë, se nuk dihet sa të prekur do ketë. Unë them që kemi të gjitha kapacitetet të mirëadministrojmë rastet e para.

Për sa kohë dalin analizat?
Kemi një laborator të standardeve bashkëkohore, që në disa orë vë diagnozën. Jap mesazhe realiste, jo qetësuese, pra i kemi të gjitha kapacitetet të përballemi për fazën e parë, më tej kapacitetet do të krijohen në bazë të situatës.

A ka pasur ndonjë rast të dyshuar për ju?
Patjetër, jemi të njohur me rastin e një mësueseje të ardhur nga Kina. U dyshuar fort që mund të ishte i prekur, kishte temperaturë dhe u konsiderua si rast i mundshëm. Pacienti u fut direkt në reanimacion, u bënë analizat dhe doli negativ dhe sot është në shtëpi. Edhe në spitalin tonë, sot me porosi të Tas Forcës, janë marrë masa si do veprohet, hallka e parë, e dytë dhe e tretë.

Sa efektive janë maskat?
Maska është e nevojshme, mbron shumë mirë personat e tjerë ndaj një të prekuri. Maskat normale nuk e parandalojnë futjen e koronavirusit në rrugë aspiratore, por kufizojnë splektat e pështymës të hyjnë te personat e tjerë. Këto maska, pavarësisht se sa profesionale janë, na mbrojnë në mënyrën maksimalisht të mundshme për të mos e përhapur virusin, por edhe për të mos u infektuar.

Fëmijët janë më pak të rriskuarit dhe të moshuarit më të rriskuar… sa e vërtetë është?
Ky virus ka prekur kryesisht moshat mbi 60 vjeç dhe të sëmurët. Këtë vit edhe gripi sezonal ka bërë më shumë dëme se vitet e tjera. Fakti që fëmijët e vegjël dhe moshat më të reja janë më të prekura ndoshta vjen për shkak të mungesës së ekspozimit, mbrojtjes së mjaftueshme imunitare. Nuk kemi ende një studim pse ndodh që fëmijët preken më pak dhe të moshuarit më shumë.

Si është raporti me vdekshmërinë për të infektuarit?
Nëse iu referohemi të dhënave raporti i vdekshmërisë është më pak se 2% në personat e prekur. Nëse kemi 80 mijë të prekur, kemi mbi 2 mijë të vdekur, po të bësh raportin është më pak se 2%. Fakti që në Itali ka gjashtë të vdekur dëshmon se virusi nuk ka hyrë dje në Itali, ka së paku tre javë që është aty. Rastet që kanë humbur jetën janë të prekur kronikë. Nuk i takon koronavirusit ta quajmë virus vdekjeprurës. Në SHBA, deri tani janë prekur mbi 20 milionë me gripin stinor, mbi 180 mijë të shtruar, dhe mbi 10 mijë të vdekur. Pra, gripi stinor e ka vdekshmërinë dy-tre herë më të lartë se koronavirusi, por me gripin ne kemi dekada që jetojmë me të. Vend për panik nuk ka.

Disa këshilla?
Larja e duarve dhe ujë dhe sapun. Mbajtja e kartëpecetës kur teshtijmë ose kollitemi është masë elementare, por e rëndësishme për të parandaluar koronavirusin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb