Pesë të vrarë e po kaq të plagosur. Ky është bilanci i sulmit rus me dy raketa mbi kullën televizive në Kiev, që ndërpreu transmetimin e të gjitha kanaleve kryesore televizive në këtë shtet. Mediat, kanë publikuar pamje të rënda të viktimave, të cilësuar si civilë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Ata shihen të karbonizuar nga djegia që ndodhi pas sulmit. Për të shuar flakët, u angazhuan shumë mjete zjarrfikëse dhe trupa ushtarake, e deri më tani, situata në atë pjesë e qytetit duket e normalizuar. Për këtë ngjarje tejet të rëndë, reagoi edhe presidenti Volodymyr Zelensky, i cili me anë të një postimi në Twitter shkroi:

“Çfarë kuptimi ka të thuash “kurrë më” për 80 vjet, nëse bota qëndron e heshtur kur një bombë bie në të njëjtin vend të Babyn Yar? Të paktën pesë të vrarë. Historia po përsëritet”.

Vlen të theksohet se Qendra është ndërtuar mbi varrin masiv më të madh në Evropë të Holokaustit, ku skuadrat e vdekjes naziste vranë më shumë se 33,000 njerëz hebrenj në hapësirën e vetëm dy ditëve në 1941.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb