Nga OLA MITRE*

Çdo familje që merr në kujdestari një fëmijë në nevojë përfiton nga shteti një shumë prej 133 mijë lekë në vit. Ndërkohë që, përmes udhëzimit më datë 9 mars 2015, të ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili është botuar dje në Fletoren Zyrtare, janë përcaktuar dhe kriteret që duhet të plotësojë një familje kujdestare për të “birësuar” fëmijën.

Sipas tij, këto familje duhet të aplikojnë pranë seksionit të ndihmës ekonomike dhe përkujdesjes shoqërore, në njësinë e qeverisjes vendore ku banojnë, për të ofruar shërbimin e kujdestarisë për fëmijët në nevojë, sipas formularit tip, i cili kërkon plotësimin e disa të dhënave si: Motivi që i shtyn për t’u bërë prind kujdestar, marrëdhëniet me ligjin, të ardhurat mujore, edukimi, sipërfaqja e banesës, etj. Ndërkohë që, janë administratorët shoqërorë të njësive të pushtetit vendor, ata që vlerësojnë familjet aplikuese kujdestare nëpërmjet vizitave në shtëpi, realizimit të intervistave me babanë, nënën, anëtarët e tjerë të familjes e që vendosin nëse plotësohen kushtet apo jo. Po ashtu, ai harton raportin e vlerësimit të familjes aplikuese kujdestare.

Familjet e seleksionuara paraprakisht nga sektori i ndihmës dhe përkujdesjes shoqërore në bashki apo komunë, ftohen në sesione informimi për shërbimin e kujdestarisë, përgjegjësitë, të drejtat dhe detyrimet e familjes kujdestare. Ndërkohë që, në përfundim të tyre, ato vendosin nëse do të duan të jenë pjesë e këtij shërbimi duke paraqitur një letër interesi. Po ashtu, aplikantët ftohen në intervistë, gjatë së cilës përfshihen të gjitha elementet e përshkruara në një tjetër formular, ndërsa u kërkohet, që krahas informacionit të deklaruar, të paraqesin dhe dokumentet e kërkuara, të cilën e gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Më pas, komisioni multidisiplinar vlerëson dosjen e familjes aplikuese kujdestare dhe merr vendimin që familja të vazhdojë procedurat në gjykatën e rrethit gjyqësor ku ka vendbanimin për t’u legjitimuar si familje kujdestare.

Kërkesa për kujdestari, së bashku me kopje të dokumentacionit dërgohet nga administratori shoqëror në gjykatën e rrethit gjyqësor për t’u legjitimuar si familje kujdestare dhe menjëherë pas marrjes së vendimit të gjykatës nga familje aplikuese kujdestare në familje kujdestare, kjo familje regjistrohet në regjistrin e posaçëm në listën e familjeve kujdestare, si në gjykatë edhe në njësinë e qeverisjes vendore në të cilën banon. Pasi përcaktohet fëmija që do merret në kujdestari, administratori shoqëror i seksionit të ndihmës dhe përkujdesjes sociale ose vetë familja kujdestare depoziton kërkesën në gjykatën e rrethit për të marrë fëmijën në kujdestari ligjore si familje kujdestare e legjitimuar me vendim gjykate të formës së prerë.

Pasi gjykata merr vendimin, familja kujdestare duhet të plotësojë 3 formularë të tjerë tip, pranë njësisë së qeverisjes vendore, të cilët duhet të shoqërohen edhe me dokumentet që i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Pasi mbarojnë këto procedura, administratorët shoqërorë, vizitojnë shtëpinë e familjes kujdestare ku është vendosur fëmija, interviston fëmijët, babanë dhe nënën kujdestare, si dhe pjesëtarët e tjerë të familjes dhe vlerëson përshtatshmërinë e familjes. Ndërkohë që, në përfundim të procesit hartojnë raportin për përshtatshmërinë e familjes kujdestare dhe fëmijës. Në këtë raport mund të jepen edhe rekomandime për familjen kujdestare në interesin më të lartë të fëmijës.

MASA E FINANCIMIT DHE DOKUMENTET

Masa e financimit për shërbimin e kujdestarisë
1. Masa e financimit për familjen kujdestare, për shpenzimet e ushqimit të një fëmije në kujdestari, është 9 000 lekë në muaj.
2. Masa e financimit për familjen kujdestare, për shpenzimet e ushqimit të një fëmije me aftësi të kufizuara, të vendosur në kujdestari, është 10 000 lekë në muaj.
3. Masa e financimit për familjen kujdestare, për çdo fëmije të vendosur në kujdestari, është, për:
a) veshmbathjen, 10 000 lekë në vit;
b) shpenzime të tjera indirekte, 10 000 lekë në vit;
c) shpenzime për shkollën, 5 000 lekë në vit.

Dokumentet për fazën I
a) Certifikata e gjendjes familjare dhe fotografi të prindërve;
b) Dëshmi penaliteti për anëtarët e familjes mbi 14 vjeç;
c) Raporti mjeko-ligjor, që vërteton se prindërit e familjes janë të aftë fizikisht dhe mendërisht;
ç) Vërtetimi i lëshuar nga qendra e punës apo organet e tatim-taksave për të ardhurat që kanë nga punësimi/vetëpunësimi prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes;
d) Dëftesa e shkollës për fëmijët e familjes kërkuese, të cilët janë duke ndjekur shkollën/studimet;
dh) Referenca për familjen nga 2 persona (njëri prej të cilëve duhet të jetë një përfaqësues i komunitetit në të cilin familja jeton

Dokumentet që shoqërojnë formularët
I. Formulari nr. 1 “Mbi të dhënat e aplikuesit” dhe raporti i përgatitur nga subjekti privat që ofron shërbimin e kujdestarisë për familjen aplikuese kujdestare.

II. Formulari nr. 2, “Me të dhënat e detajuara të familjes kujdestare” dhe dokumentacionet e mëposhtme:
• certifikatën e gjendjes familjare dhe fotografi të prindërve;
• dëshmi penaliteti për anëtarët e familjes mbi 14 vjeç;
• raportin mjekoligjor që vërteton se prindërit e familjes janë të aftë fizikisht dhe mendërisht;
• vërtetim të lëshuar nga qendra e punës apo organet e tatim-taksave, mbi të ardhurat që kanë nga punësimi/vetëpunësimi, prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes;
• dëftesë të shkollës për fëmijët e familjes kërkuese, të cilët janë duke ndjekur shkollën/-studimet;
• referenca për familjen nga 2 persona (njëri prej të cilëve duhet të jetë një përfaqësues i komunitetit në të cilin familja jeton).

III. Formularin nr. 3, së bashku me dosjen e fëmijës
me dokumentacionet, si më poshtë vijon:
• certifikatë personale e fëmijës me fotografi;
• 4 fotografi të fëmijës në këmbë;
• certifikatë familjare e fëmijës;
• raportin mjekoligjor për gjendjen shëndetësore dhe psikike të fëmijës;
• kopje të fletores së fëmijës për vaksinimet e kryera;
• dëftesën shkollore për fëmijën, nëse fëmija frekuenton një të tillë;
• vërtetim nga institucioni i përkujdesjes shoqërore, nëse fëmija frekuenton/te një të tillë;
• vërtetim mbi të ardhurat financiare të prindërve biologjikë;
• vendimin e gjykatës për marrjen në kujdestari nga familja aplikuese kujdestare;
• raportet mbi takimet fillestare të fëmijëve dhe familjes;
• planin individual të ofrimit të shërbimit të kujdestarisë.

Botuar sot në Gazetën Shqiptare
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb