Ndalimi i 34-vjeçarit Eduart Caushaj dhe lënia e tij në burg, ka bërë që dy gra të sëmura, nëna Vitore, 62 vjeçe dhe motra, Brunilda, 37 vjeçe të mbetet të pambrojtura. Eduardi, si i vetmi kujdestar i motrës dhe nënës së tij, pasi vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, ka mbetur ne burg, ndërkohë që motra e Vitores, Dylbere Murgu, apelon për ndihmë. Ajo i trembet faktit që vajza mund të mbetet shtatzënë, ndërsa tregon se familja është pa bukë, pa ujë e drita.

Dylberja i bën apel shtetit që dy gratë të shoqërohen në spital, pasi jeta e tyre, nëse qëndrojnë jashtë është në rrezik.

Edhe pse nënë e bijë janë kuruar dhe kanë qenë në spitalin psikiatrik, kanë qëndruar nën kujdesin e mjekëve për një kohë të shkurtër.

Dy gratë e sëmura, në pjesën me të madhe rrinë në rrugë e për më tepër janë edhe agresive. Djali i shtëpisë, Eduardi, u ndalua nga policia pasi akuzohet për vjedhjen e një biçiklete në date 21 gusht të këtij viti, ndërsa këtë të shtunë nga gjykata e Fierit i është dhënë edhe masa “arrest me burg”. Familja në fjalë jeton mes vështirësive të medha ekonomike në lagjen ’29 Marsi’ në Patos, njohur ndryshe si ‘Transporti’.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb