TIRANË

Padyshim që kryelajm i ditës në mediat botërore dhe ato shqiptare është sulmi me raketa që Rusia nisi ndaj Ukrainës mëngjesin e sotëm.

Në emisionin “Pikat mbi I” në ‘News24’, analisti Artur Zheji deklaroi se Putin nuk ka shpallur një luftë, por ka bërë një deklaratë, ku foli për të drejtën historike që vetëm ai e di.

Sipas Zhejit, Putin i ka njohur vetes misionin e denazifikimit, ndërsa shton se SHBA e priste këtë sulm ndërkohë që BE e shihte si shantazh.

“Putin nuk ka shpallur as luftë, por ka bërë një deklaratë. Ai foli për të drejtën historike që e njeh vetëm ai dhe për të drejtën historike që e njeh vetëm ai. Putin i shpalli lufte gjithë botekuptimit europian dhe përmendi si precedent ndërhyrjen e SHBA ne Serbi. Presidenti rus i ka njohur vetes misionin e denazifikimit. Asgjë nuk ishte lojë. Të vrarët janë aty dhe të plagosurit po ashtu. Në këto teknalitetet e fundit europanët tanë të dashur e kuptuan mesazhin amerikan dhe janë alarmuar përtej masës. Është më domethënës vendimi që ka marrë Londra, për të larguar dy oligarkë.”, tha Zheji.

Ndërkohë, Agim Nesho, ish-ambasador në OKB theksoi se kishte shpresa që ky konflikt mos të përshkallëzohej. Po ashtu ai e cilësoi vendimin e Putin kërkon të paraqitet si fuqi botërore

“Unë jo vetëm kisha shpresa se nuk do të shkallëzohej deri këtu, kemi një akt fashisht në shekullin XXI, kur Putini i vetëm kërkon jo vetëm të përmbysë atë rend botëror që funksionon deri tani në botën tonë por të krijojë i vetëm rregullat e lojës për të justifikuar krijimin e Perandorisë ruse. Njerëz të tillë të fiksuar që pas 30 viteve kërkojnë të kenë një hapsirë ose një kontakt me historinë, kërkojnë rikthimin e kësaj perandorie duke prishur të gjitha rregullat që funksionojnë sot. Dy gjëra janë: Putin e ka parashtruar që në fillim që tragjedia më e madhe që i ka ndodhur është pikërish shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, dmth ka shumë vetë në Rusi që nuk e kanë pranuar këtë humbje të madhe, bashkë me krenarinë që i bashkonte rusët dhe ka dashur ta kapë këtë ide.

Këtë ide e kapin diktatorët edhe pse është një regjim jashtë rregullave demokratike, ajo që ne e quajmë regjimet putineske ku opozita është e shtypur e goditur nga të gjitha, funksionon në bazë të një pushteti oligarkik, ku interesat e disa personave të zgjedhur nga lideri kontrollojnë ekonominë e vendit, këto kanë bërë që Putin të tejkalojë, shteti është i personalizuar te një person dhe ky është rreziku që ne gjithmonë diskutojmë kur prishen balancat e funksionimitë të shtetit ligjor.

E dyta, mosvëmendja e Perëndimit që në shumë raste e ka tejkaluar kur me të drejtë Kisinger ka thënë se nuk mund të ketë perandori të re ruse pa Ukrainën. E ka shprehur këtë me idenë që Rusia do të intensifikohet për rëndësinë strategjike, që unë ruaj sovranitetin dhe sigurinë time kur forcat e kundërshtarit arrijnë në një hapsirë gjeografike e cila mua më rrëzikon. Por arsyeja tjetër dhe kryesorja është se Rusia në vazhdimësi, pas 2008, me ngjarjet në Gjeorgji ku i shprehu ambiciet e saj, në Krime, me aneksimin e Krimesë, ka patur tendencën për t’u shprehur dhe të qënit e barabartë me  SHBA në tavolinën e vendosjes së cështjeve kryesore në botë, gjë që i kanë munguar gjithmonë.

Ndaj edhe Putin i kthehet Kosovës, ku nuk ka patur mundësi edhe pse Perëndimi i ofroi bashkëpunim, në Kosovë i dërguar i Rusisë ka qenë pjesë e grupit të kontaktit në cdo vendimmarrje. Tani ai po thyen rregullat e lojës. Unë mendoj kjo është një teori që është ‘veprimet jashtëlogjike për të trembur kundërshtarin’. Ideja e Putinit është që kërkon të shkojë në tryezën e diskutimeve si i barabartë, për të diskutuar rendin e mbrojtjes europiane dhe po bën presion me luftë për të vajtur i avancuar në tavolinë.”, tha Nesho.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: