Nga Prof. Dr. Hazbi M. Shehu

                                                   

                                              Të lire në jetë si dhe në burg

Natyra i përkëdhel, i përqafon, por jo rrallë dhe i tërbon njerëzit me stinët e saj. Me anë të vjeshtës i paralajmëron bijtë e saj që të mbrohen për të parandaluar fatkeqësitë që sjell dimri i ftohtë. Kush e studjon dhe e kupton natyrën, i kalon goditjet dhe furtunat dimërore në paqe. Stina e vjeshtës e parapërgatit trupin e njeriut fizikisht, ndërsa trurit i hap dyert e optimizmit për të pritur dimrin i ashpër. Njeriu gradualisht e humbet të qeshurit; trupi i tij kërkon rrobat e rënda të dimrit dhe ai vetë pa e kuptuar i drejtohet pesimizmit? Në rrugë, njeriu duhet të mendohet mirë para se ta hedhi këmbën sepse rrëshqet dhe thyen kokën?

Afrimi i klimës së ftohtë e detyron Mjeksinë të qëndrojë në këmbë. Vjeshta është një ‘xhaketë’ e thjeshtë, simpatike dhe paralajmëruese për afrimin e palltove të rënda dimërore? Në këtë stinë mprehen sëpatat për të prerë drurin e zjarrit dimëror. Njerëzit e mbyllur në strofkat e tyre diskutojnë ate që kanë dhe kërkojnë ate që nuk e kanë?

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vjeshtë, o vjeshtë e dashur! Sa e dhimsur je për bijtë e tu!

Furtunat dhe të ftohtin e dimrit i ndjejnë kryesisht njerëzit e varfër. Përse nuk mendonin drejtuesit politikanë të vendit tonë për popullin; siç mendon natyra për bijtë e saj?!

Specialistët gjeolog të Institutit të Kërkimeve Gjeologjike të Naftës dhe Gazit, gjatë regjimit diktatorial kanë ndjerë vetëm goditjet dhe stuhitë e stinës dimërore. Ata gjatë dimrit shtrëngonin mirë rrobat e trupit dhe prisnin, sipas rradhës të shkonin në rrugën e madhe dhe të fshehtë të burgut. Kur dikush nga specialistët e Institutit mendonte për pranverën dhe sa fillonte të zhvishej se po ngrohej koha mbi kokën e tij, binte çekiçi për t’i kujtuar se për ty ka vetëm dimër. Kështu vazhdoi jeta dimërore në Institut deri sa erdhi demokracia.

Ca kohë para mbledhjes famëkeqe që u zhvillua në sallën e Patosit, mars 1975; në rrugë takova kolegun tim, Thanas Naston. I thashë: “Hajde ulemi dhe të pimë kafe”.

Ai më pa direkt në sy dhe më tha: “Largohu nga unë”.

“Ti po dridhesh, ç’fare ke” i thashë.

“Më kanë zënë ethet”, u përgjigj ai.

“E ku pyet ti për ethe, megjithatë shko në shtëpi pi një çaj dhe shtrihu të qetësohesh”, i’a ktheva.

“Unë po dridhem për ty”, vazhdoi Thanasi, “kam frikë se mos të zënë dhe ty këto ethe, sepse janë shumë të forta dhe nuk di në se do mund ti përballosh”.

“Nuk po të kuptoj’, i thashë, ‘hajde të shoqëroj për në shtëpi”. “Ik, largohu dhe lamtumirë”.

“O Thanas, leri shakatë dhe më thuaj se ç’po ndodh me ty”.

“Më vonë do më kuptosh”, dhe u largua duke nxituar…!

Me të vërtetë, pas një farë kohe, mbledhja e zhvilluar në sallën e Patosit, i sqaroi ‘ethet’ dhe shprehjet e kolegut, shokut dhe mikut tim Thanas Nastos. Atje koleget tonë të punës, u shpallën “sabotatorë dhe armiq”.

Pas vitit 1990, njerëzit filluan të lëvizin, të shpreheshin dhe të diskutonin lirisht për të kaluarën. Kolegët e mi dolën nga burgu të sakatuar, por me shpresë për të ardhmen. Por deri tani që kanë kaluar rreth 30 vjet jetë në demokraci, njerëzit vazhdojnë të jetojnë në varfëri. Papunësia qëndron në këmbë!

Një ditë duke biseduar me shokun dhe mikun tim Ing. Beqir Alia, që jeton në Moskë bashkë me familjen e tij, u shpreha: “Këtu në New York, takon njerëz të të gjitha vendeve, racave dhe ngjyrave të hapësirës botërore. Por as të flasin dhe as i flet, vetëm kur përplasesh me ta shprehen “Sorry (më fal)”. Në New York, nuk kam asnjë koleg pune, as shokë apo miq të vjetër. Më kupto drejt o Beqir se kur nuk punon, nuk ke miq dhe shokë për të kaluar kohën mërzitesh. Kur je emigrant dhe shumë larg vendit tënd pa miqtë dhe shokët me të cilët ke punuar dhe ke kaluar gjithë jetën, mërzitesh. Por kur kujtoj vuajtjet e kolegëve të mi, të ndershëm që u burgosën duke qenë krejtësisht të pafajshëm i them vetes: “Merr shembull nga ata; duro dhe vazhdo jetën ashtu siç vjen”.

“I dashur Hazbi, vuajtjet tona qenë të tmerrshme për periudhën nga arrestimi e deri në dhënien e dënimit përfundimtar nga gjykata”, u shpreh Beqiri. “Në këtë kohë, ne dridheshim dhe vuanim, por jo aq shumë nga goditjet fizike, se sa nga shkatërrimi shpirtëror për familjet dhe veçanërisht, kur kujtonim fëmijët tanë, në internim. Pas dënimit, u vendosëm në qelitë e burgut dhe kaluam në një gjendje tjetër shpirtërore, sepse atë që kishin për të bërë xhelatët, e benë. Ne e mblodhëm mendjen dhe kaluam në një qetësi (sigurisht relative), sa dhe ju kolegët tanë që punonit në Institut, do na kishit “zili”, sepse i kishte ardhur fundi torturave. Ndërsa ju rrinit në një “qetësi” mbi gjemba të një torture pafund. Ishte një periudhe kohe ironike, sepse ju na qanit hallin neve, kurse ne mendonim se si ju jetonit në një torturë pafund. Më mirë i burgosur, por “i qetë” sepse e dinim fundin tonë; sesa i “lirë”, por që jeton me ankth duke pritur burgun ç’do ditë.

Ju ishit të predispozuar për t’u rrëzuar përtokë; ndërsa ne ishim të shtrirë në qelitë e burgut dhe herë herë qeshnim si rrjedhojë i anekdotave që tregonin kolegët e burgosur; ndërsa juve nuk ju lejohej të qeshnit me anekdota, sepse ç’do e qeshur tuaj të çonte në qelitë tona. Ju, jo vetëm që nuk guxonit të qeshnit, por as nuk qanit. Sepse do t’ju pyesnin përse qani? Partia ju ka siguruar të gjitha të mirat. Ju dhe kur bisedonit me shokun tuaj më të ngushtë dridheshit nga frika, se gjate bisedës mos padashur keni lëshuar ndonjë fjalë që mund të shtrembëronte realitetin e jetës suaj “të bukur”. Kështu i dashur, në burg formalisht ishim ne, ndërsa në fakt burgun e vuanit ju”.

“Domethënë ju ishit më mirë në burg”, e pyeta Beqirin!

-“Po, për atë regjim ashtu ishte. Në ate regjim pranvera përgatiste kartat për të na përvëluar në verën e nxehtë, ndërsa në vjeshtë, kartat shkruheshin për të na ‘ngrirë’ në dimrin e ashpër. Ata ju qeshin në pranvere për t’ju ‘djegur’ në stinën e verës dhe ju përkëdhelin në vjeshtë për t’ju ngrirë në dimër. Stinët pranverë dhe vjeshtë i përdornin hetuesit; ndërsa vera e nxehtë dhe dimri i ashpër, i përkisnin gjykatësve. Dhe stinat e natyrës nuk kishin qetësi në ate regjim diktatorial “të bukur”. Torturat më të tmerrshme ishin ato kur hetuesit hakmerreshin tek familja; e sidomos tek fëmijët. Në ate regjim këto ishin të vetmet tortura, për t’i dorëzuar të burgosurit. Për t’i shtënë ata në kurthin e gënjeshtrave trilluese. Torturat fizike, zakonisht të burgosurit dhe i duronin, por ishin torturat shpirtërore ato që të dhembin aq shumë, sa që e humbisje mendjen, çoroditeshe dhe hetuesit bënin ate, që atyre ju duhej për t’ë arritur qëllimet e ulta dhe ç’njerëzore. Ç’farë të ardhme priste populli nga ai regjim, kur torturonin fëmijët për të ngrenë tortën e përgatitur me gjakun e kolegëve të mi të pafajshëm.”

“I dashur Beqir, të faleminderit për bisedën tonë të ngrohtë, si kolegë, shokë dhe miq të paharruar.”

Ishte e dielë, ditë e bukur dhe me diell; bie zilja e telefonit. Gruaja përgjigjet dhe pyet “Alo, kush jeni?”.

Një zë i përgjigjet “Jam Thanas Nasto.

Si jeni zonjë?

A është Hazbiu aty?” Telefonin e marr unë.

“Nuk je Thanasi”, i dashur mik.

“Ore Hazbi, akoma armik më quan mua ti”?!

“Tani po e besoj se je Thanasi. Po ku e gjete numrin e telefonit”?

“Ma dha Beqiri”, u përgjigj Thanasi.

Atëhere filluam te flisnim dhe midis te tjerave, i them: “O Thanas, më ka marrë malli shumë për ty, për shoqërinë tonë të papërsëritshme, për shakatë e tua të bukura dhe të pashtershme që gjallëronin të gjithë shokët dhe shoqet që të donin aq shumë. Dua që të kemi lidhje të vazhdueshme, prandaj më dërgo e-mailin tënd, sepse biseda me telefon nuk shpreh gjithçka”.

Thanasi u përgjigj: “Unë nuk e përdor kompjuterin, por kam vajzën, Tatjanën, që do na ndihmojë të lidhemi”.

“O Thanas, dua që të më dërgosh kujtimet e tua, shakatë mbresëlënëse dhe gjithçka që të kujtohet për shoqërinë tonë, pasi jam duke përfunduar një libër dhe mendoj që kujtimet e tua, t’i botoj në këtë libër”.

“Do përpiqem që ta kryej porosinë tende vëllazërore dhe shoqërore”.

Ndërmjet shokëve të m’i të klasës dhe të punës në Institut, Ing. Thanas Nasto ka shkëlqyer në shoqërinë tonë. Me shakatë e tij të këndshme, të bukura herë herë dhe thumbuese, ai e gjallëronte shoqërinë. I pastër në shpirt, i ndershëm, i ëmbël me ndërhyrjet e tij madje dhe kur ato ishin thumbuese nuk të trondisnin, por vadisnin shpirtrat tanë të ngarkuara nga ethet e projektimit të puseve për kërkimin e naftës dhe të gazit. Nuk e pashë asnjëherë Thanasin të mërzitej, të shante apo të ofendonte; ai vetëm buzëqeshte. Buzëqeshja e tij përkëdhelte shoqërinë tonë. Atë e burgosën, por dhe në burg, ai vazhdoi me shakatë e tij të mbante gjallë shpirtin e kolegëve të burgosur. Kur doli nga burgu e pyeta: “Pse të vunë prangat dhe të burgosën i dashur Thanas?” Ai m’u përgjigj: “Siç dukej ose kuptohet se unë i duhesha burgut, për të mbajtur gjallë me shakatë e mia kolegët e pafajshëm!”

A duhet burgosur këngëtari, sepse këndon, pëllumbat pse fluturojnë, apo Thanasi pse i bënte kolegët e punës shpirtërisht të qeshur, për t’ju larguar mërzitjen?! Kur mendoj për kolegun, shokun dhe mikun tim Thanas Naston, dridhem dhe ndjej shpirtërisht gëzim, sepse kujtoj shoqërinë tonë të pastër, të ndershme, punëtore dhe me shpresë për të ardhmen. Me gjithë goditjet, burgosjen, tronditjet shpirtërore familjare dhe shoqërore, Thanasi mbeti po ai që ishte: i qeshur, i ëmbël, i pastër në shpirt dhe i ndershëm për shoqërinë. Ai tani jeton në Moskë me familjen e tij dhe me dy vajzat e zgjuara, punëtore, të bukura, që e duan aq shumë. Thanasi është shumë larg dhe na mungon, por unë dhe të gjithë kolegët e ti e duam dhe do ta duam gjithmonë. Ne i duam të shkruara kujtimet dhe shakatë e tij, sepse duke i lexuar ato na duket se jemi bashkë me të.

Populli mendonte dhe diskutonte se: kolegu dhe shoku im i punës, Koço Plaku që punonte në Kabinetin e Përgjithësimeve dhe Projektimit të Puseve për kërkimin e vendburimeve të reja të naftës dhe gazit të Institutit, së bashku me Thanas Naston, Milto Gjikopullin, etj., u pushkatua si i vëllai i Panajotit. Po Milto Gjikopulli pse u pushkatua?

Për Milton, nuk kishte asnjë pëshpëritje ndërmjet njerëzve, pse e pushkatuan, por vetëm heshtje…?! Pushkatimi i Milto Gjikopullit, ka ngelur enigmë! Milto Gjikopulli ishte njeri i thjeshtë, punëtor, i aftë në profesionin e gjeologut dhe i zgjuar. Ai ishte në përgjithësi i qeshur në shoqëri, i pëlqente shakatë, rrallë përdorte dhe ironinë, por në sensin e humorit dhe jo për të nënvlerësuar të tjerët. Miltua studjonte shumë. Atij i pëlqente shkenca e ideologjisë. Me Milton kam punuar prej vitit 1963, në Kabinetin e Projektimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës në Kuçovë dhe më vonë në Institutin Gjeologjik të Naftës me qendër në Fier deri në 15 mars të vitit 1975, kur e arrestuan si sabotator bashkë me kolegët e tjerë të kabinetit.

Po a kishte mundësi të sabotonte Miltua apo dhe kolegët e tij, në projektimin e puseve për kërkimin e naftës apo të gazit? Askush nuk guxonte në ate kohë të shprehte ate që mendonte, të thoshte të vërtetën e thjeshtë, jo vetëm në shoqëri, por as në familje. Meqënëse kam punuar në të njëjtin kabinet me Milton dhe kolegët e tjerë; sot në demokraci jo vetëm që kam dëshirë, por e kam breng në zemër dhe jam i detyruar shpirtërisht të shpreh dhe të argumentoj të vërtetën.

Kabineti i Përgjithësimeve dhe i Projektimit, kishte disa grupe pune, të cilët merreshin me përgatitjen e materialit, për dhënien e pikës së projektimit të pusit. Ç’do pus që propozohej për projektim duhej që të diskutohej në grupin e punës, të argumentohej dhe të bindej grupi. Pastaj grupi përkatës do i paraqiste Kabinetit materialin përkatës për projektimin e pusit. Pra, Miltua ose ndonjë pjesëtar tjetër i grupit, nëse do të propozonte puse shpimi, në një rajon jo prespektivë për naftë; duhej ta argumentonte perspektivën atij rajoni. A ishte e mundur kjo?! Le ta supozojmë se i bindi. Ky material do kalonte për diskutim dhe miratim në Kabinet, ku ndodheshin specialistët gjeologë më të mirë të industrisë së naftës. Duhet të bindeshin të gjithë anëtarët e Kabinetit, të cilët e njihnin shumë mirë ndërtimin gjeologjik të vendit tonë. Ata kishin punuar në të gjitha rajonet dhe i njihnin në detaje problemet stratigrafike apo tektonike.

Kështu që ishte e pamundur të pranohej nga Kabineti një material fiktiv që nuk paraqiste ndërtimin e saktë gjeologjik dhe që nuk ishte perspektivë për naftë dhe gaz. Megjithatë, le të supozojmë se u pranua materiali për shpimin e pusit dhe nga Kabineti. Pas aprovimit nga Kabineti, materiali duhej të kalonte dhe në dy hallka të tjera, për t’u diskutuar dhe aprovuar. Ato ishin Këshilli Shkencor i Institutit dhe ai i Ministrisë.

Atëhere llogjikisht, ka dy variante shpjegimi: ose a) do të pranojmë se të gjithë specialistët gjeologë të Kabinetit, Këshillit Shkencor të Institutit dhe të Ministrisë ishin të paaftë; ose b) ata të gjithë duhet të ishin pjesëmarrës në sabotim. Si përfundim, jo vetëm llogjikisht, por dhe praktikisht, kolegët e mi të Kabinetit të Përgjithësimeve dhe Projektimeve: Milto Gjikopulli, Koço Plaku, Thanas Nasto dhe cilido tjetër specialist, edhe sikur të donte të sabotonte në projektimin e puseve të naftës e kishte të pamundur teorikisht dhe praktikisht. Kështu që sipas argumentimit të dhenë më sipër vendimi “sabotator” dhenë nga gjykatat si shërbëtorë të udhëheqjes partiake ishte një shpikje dhe trillim i drejtuesve të lartë të regjimit diktatorial.

Kishte dhe ka thënie edhe pëshpëritje në popull, se kolegët e mi: Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Thanas Nasto, etj., i burgosi dhe i dënoi regjimi në fuqi i asaj kohe. Këto shprehje mbulojnë dhe arsyetojnë krimet e kryera nga politikanët drejtues të asaj kohe.

Regjimi ndërtohet nga njerëzit që drejtojnë shtetin dhe qeverinë. Pikërisht mendimet, thëniet e politikanëve që drejtojnë vendin, të shkruara në letër shprehin ligjet dhe regjimin përkatës. Ashtu siç janë dhe mendojnë politikanët drejtues do të jetë dhe regjimi përkatës. T’i shërbesh popullit do të thotë të mendosh për fukaranë; po kush e do fukaranë?!

Populli i thjeshtë luftoi për çlirimin e vendit nga të huajt dhe u bashkua me partizanët kundër zaptuesve. Pas ç’lirimit të vendit, parrullat “liri, barazi” për të gjithë popullin, i ç’orientuan njerëzit e thjeshtë. Ata nuk e njihnin ideologjinë botërore, nuk e dinin se çfarë ishte komunizmi, kapitalizmi, etj, dhe u tërhoqën nga shprehjet “Do jetojmë në bollëk dhe të gjithë njësoj”.

Kolegët e mi që u burgosën dhe u pushkatuan, janë martirë pasi punuan me ndërgjegje, pasion dhe ndershmëri për kërkimin dhe zbulimin e vendburimeve të reja të naftës dhe gazit; ndërsa politikanët drejtues të regjimit dictatorial, i dënuan me shpatën gjakatare të pabesisë. Këta drejtues jo vetëm që i pushkatuan, por nuk kanë guxim të tregojnë madje as vendin ku i kanë varrosur. Njerëzit e familjes dhe të gjakut, pyesin me të drejtë; a i kanë varrosur? Ata duan të paktën të dinë vendin ku të qajnë dhe të vendosin lulet, si për të gjithë njerëzit e dashur që kane ndërruar jetë në shenjë dashurie dhe kujtimi. Kjo tregon se drejtuesit politikanë të atij regjimi, nuk guxojnë të tregojnë sepse kanë pasur frikë, por dhe kanë akoma nga krimet e tyre karshi popullit të thjeshtë?! Jo vetëm njerëzit e gjakut, por dhe ne kolegët e tyre që derdhëm djersë dhe punuam bashkarisht me ta të kishim mundësi të vendosim nga një tufë me lule në kujtim të shoqëris sonë të pastër./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb