Nga Mitro Çela

Në vitin 1993 në Tiranë ishte hapur hotel “Rogner”. Duke qënë deputet, sipas lafit të Nastradinit: “Ha o xhype, pi o xhype”, pronari për Vitin e Ri na ftoi në restorantin e hotelit.

Biro o Mina! Shampanja u derdh lumë! Vera e kuqe “Gaja”, që siç morëm vesh kushtonte 200 dollarë.

Zonja ime u “tromaks” nga çmimi, sepse në atë mot rroga ime si deputet ishte 58 dollarë.

Po menuja? Zgjatu e zgjatu dhe ishte bërë tërkuzë. Por kujtoj vetëm biftekun me mish korkodili. Atë natë mësova se lëkura e korkodilit përdoret për të bërë çanta për “mise” dhe mishi për të ngrënë “zengjinët”.

Duke “kullotur” në kujtime pozitive, mendja mori arratinë dhe qëndroi edhe në kujtime negative.

Në vitin 1987 isha shef I sektorit ekonomik në gazetën “Bashkimi”. Vartës kisha Filip Çakulin.

Ishte pragu I Vitit të Ri. Tregu I Tiranës ishte “trokë”. Nuk arritëm të blejmë gjel deti, sepse duke zbatuar teorinë e “tufave dhe arrzave”, fashtarët e kishin të daluar të rrisnin pula, derra, dhën e dhi. Nuk gjetëm as verë, as raki, as mollë e as portokalle.

Po halli?

Por ka edhe raste kur nuk më ka harruar fati. Në atë vit, në Përmetit, drejtor I tregëtisë ishte bërë një miku im. I rashë telefonit .

-…Alo…Disa ditë më parë na erdhën nga Tirana njerëz me “nishane”. U therën disa bagëti. Me të brendëshmet kemi bërë kukurec. Kam ruajtur për ty me Filipin katër steka. Do u gjejmë edhe verë…

Sajuam një shërbim për në Jug të Shqipërisë se na duhej makina. Filipin e prita në shtëpi. Në dorë mbante një çantë. E hapi dhe I thotë mamasë:

-Kam një pako kafe dhe vëllimin 19 të shokut Enver. Zgjidh e merr! Unë të këshilloj të marrësh librin e shokut Enver. Libër I rrallë. Flet për tradhëtinë e Hrushovit…

Mamaja pa mëndushje rrëmbeu pakon me kafe duke thënë:

-Filipi! Librat mi blejnë djemtë…Kam një javë pa kafe dhe nuk më shtyhet dita?!

U nisëm për rrugë. I zumë qytetet me radhë: Durrës, Kavajë, Lushnjë, Fier, Ballsh. Nuk gjetëm askund të pinim nga një filxhan kafeje. E shumta pimë kafe më çikore?!

Arritëm në Tepelenë. Përfunduam në zyrën e Garamoz Ruçit, sekretar në Komitetin e Partisë…

Me porosi të shokut Gramoz shkuam në turizëm…Nuk kishte mish, sepe nuk kishte pasur “therje të sforcuar”. Me fjalën e shokut Gramoz, hëngrëm nga një pjatë fasule dhe nga një garuzhde me pilaf…

Ndërkohë në Meksikë u nis një delegacion I lartë. Do të merte një medaljë të artë për ushqimin e popullit shqiptar!..Haberin për medaljen e dëgjuam në radio, duke pirë çaj mali, në vend të kafesë…Qeshëm me gjithë zëmër. Për të justifikuar gazin, Filipi tregoi një barcaletë:

-Në Moskë një kasap nisi universitetin, pa shkëputje nga puna. Erdhën ditët e provimeve. Kasapi doli I pari në provimin e filozofisë. Çudi e mesme?…Si? Qysh? Tek?

-Me zanat jam kasap,- tha kasapi.- Por mishi në dyqan vjen me hënë. Për të vrarë kohën, u bëra filozof duke kënduar libra…

Në darkë arritëm në Përmet. Na priti drejtori I tregëtisë. Disa kohë më parë, në breg të Vjosë, ishte ndërtuar një restorant. Arqitekti kishte punuar me “gusto”. Lokali kishte formë kazani ( kupolë). Kishte disa salla. Zumë vend në restorant. Shumë tavolina. Klientët numëroheshin me gishtin e dorës. Afrohet kamarjeri, Pandi Nasi. E kishim “fans” të shkrimeve tona.

“Do u shërbejmë peshk lumi…Peshkun e kini pa para, sepse e kam zënë vet me grep në Vjosë…”

Me gotën e rakisë përpara, drejtori pasi hodhi vështrimin rreth e rrotull, nisi të tregoi nën zë:

-Është marrëzi! Na kanë ngarkuar si detyrë të furnizojmë fshatrat me vezë, qumësht dhe mish nga qyteti?! Është ngritur një pulari në Përmet, por vezët dhe pulat që prodhohen nuk mjaftojnë për qytetin …

Në darkë vonë, kur rrugët ishin të shkereta, me makinë u futëm në magazinë. Morëm katër steka me kukurec, katër shishe me verë të kuqe dhe dy shishe me raki…

-E po kja hata,-tha Filipi.-Ta blesh mallin me para dhe ta marrësh si hajdu, vetëm në atdheun tonë socialist bën vaki?! …

Dhe Vitin e Ri 1988 e pagëzuam: “Festa e kukurecit?!” Gjë e rrallë në atë mot , si puna e biftekut me mish korkodili?!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: