TIRANË

Demokratët kanë kujtuar sot 8 dhjetorin e 1990, 28 vite më pas në Ditën e Rinisë me një ceremoni të mbajtur në Qytetin Studenti, aty ku u krijua dhe Lëvizja Studentore që i dha fund diktaturës komuniste.
Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet risolli në kujtesë emocionet e atyre ditëve, ndërsa i quajti studentët e 90-ës heronj të pamposhtur.


“Ditë si kjo janë ditë kujtimesh mbresash në të vërtetë për mua këto janë ditët e shtrëngatave emocionale të fuqishme, për ato përjetime të 28 viteve më parë. Janë ditët e gjenezës në 28 vite kemi pasur ditë të mëdha, të bekuara edhe të vështira, por ditët e dhjetorit 90 janë ditët e gjenezës në këto tre dekada të kombit shqiptar. Për mua janë ditët ku unë përjetova mrekullinë më të madhe të jetës sime sepse, ato ditë unë do të kisha përballë, një grup studentësh 500 por edhe 1000 që në rrugën afër rrugës Elbasanit ishin pozicionuar përball autoblindave tankeve, të gjitha llojeve të armëve. Ishin të vetmuar, 15-16 qytetarë ishin afër tyre, por ishin të pamposhtur ishin heronj. Asnjë nuk thotë se unë isha hero, por vërtetë ato ishin heronj të vërtetë të Kombit shqiptar. Ishin heronj të pamposhtur”, deklaroi Berisha.

Ish-kryeministri tha më tej se ata kishin marrë një vendim epik për nga guximi përsëri në protestë, për t’i kthyer sheshin kombit dhe popullit. “Ishin heronj sepse ai marsh ishte marsh mesjanik. U rrahën me të gjitha mjetet, ju them se vetëm 20 minuta më vonë guxuan t’i përcjellin regjimit ultimatumin e parë, liro studentët ose sheshi e ndërtesat bëhen thërrime. U ngritën fillimisht kundër etërve të tyre, studentët në tërësi ishin të privilegjuarit e rinisë shqiptare, ne ishim akoma më të privilegjuar të inteligjencës. Nuk e harroj ditën kur erdhën baballarët për t’i shpërndarë, por ndodhi e kundërta etërit u bashkuan me bijtë e tyre. Ata ishin heronj sepse kur je trim me mbështetje të madhe, ajo është trimëri. ‘Shqipërinë si gjithë Europa’; ‘liri demokraci’; revolucioni demokratik, kishte platformën më të ndritur në gjithë historinë, Shqipëria zonjë në Europë. Lideri i tyre, heroi i tyre, doli nga këto ndërtesa nga ky shesh si një mesi për shqiptarët, si u zgjodh me një betim, ja ku janë ishin fëmijë, bebe Azem Hajdari u tha studentëve, iu la peng Rudinën e Kirin: Unë do t’ju drejtoj! Dhe ata i besuan një studenti, t’i udhëhiqte drejt përballjes më të egër me një diktaturë mizore. Azem Hajdari formuloi ultimatumin ose lironi studentët, ose sheshin e bëjmë copa. Është Azem Hajdari që bëri gjithçka për kërkesën e pluralizimit politik, e miratoi në këtë shesh. Idealet e dhjetorit janë fryma më e pastër. Ata janë sot më aktuale se kurrë tek dëgjojmë studentë E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Azem ti je gjallë dhe do mbetesh i tillë në jetë të jetëve. Sot prej 4 ditësh kemi një dhjetor të dytë. Si asnjëherë universitetet kanë nisur një betejë të vendosur, kundër regjimit të Edi Ramës. Ky regjim ka përqendruar të gjitha pushtetet në dorën e vet. Ky regjim i ka mbyllur Shqipërisë dyert, ka larguar shqiptarët si në 91, ka vrarë shpresën. Studentët po u ngjallin shpresat shqiptarëve. U shpreh mbështetjen më të fuqishme, u bëj thirrje shqiptarët ti mbështesim me gjithë mundësitë. Mos dëgjoni ata manipulatorë, që kërkojnë t’ju shkëpusin nga shoqëria, që për interesa të padronëve të tyre, përpiqen t’ju paraqesin se po protestoni për një gjobë”, tha më tej Berisha.

Në aktivitet është shfaqur dhe një dokumentar për dhjetorin ‘90.

Fjala e plote e ish kryeministrit Berisha:

Ditë si kjo janë ditë kujtimesh, mbresash, në të vërtetë për mua këto janë ditët e shtrëngatave emocionale më të fuqishme  për ato përjetime të 28 viteve më parë. Janë ditët e gjenezës. Në 28 vite kemi patur ditë të mëdha, të bekuara edhe të vështira, por ditët e dhjetorit ‘90 janë ditët e gjenezës të të gjitha datave dhe ditëve të tjera këto tre dekada të kombit shqiptar.

Për mua janë ditët në të cilat unë përjetova mrekullinë më të madhe të jetës sime. Përjetova mrekullinë më të madhe të jetës time sepse ato ditë unë do të kisha përballë një grup studentësh, 500 por mundet edhe 1000 studentë, të cilët në Rrugën e Elbasnait ishin pozicioniar përballë autoblindave, tankeve, mitralozëve, të gjithë llojet e armëve.

Ishin të vetmuar, 15-16 qytetarë ishin afër tyre, por ishin të pamposhtur, ishin heronj, heronjë të vërtetë. Asnjëri prej tyre nuk thotë se unë isha ose unë kam qenë  apo jam hero. Por  në të vërtetë ato ditë ishin heronj të vërtetë të kombit shqiptar. Ishin heronj sepse kishin dalë përballë diktaturës më të egër të Europës. Ishin heronj të pamposhtur sepse pasi barbarisht ishin rrahur nga policia dhe stampistët në orën 02.00 të natës pas takimit me Ramiz Alinë, kishin marrë një vendim epik për nga guximi, përsëri në protestë, përsëri drejt sheshit për t’i pushtuar rrëgjimit sheshin e pushtetit, për t’i kthyer Skenderbeun sheshin dhe kombin.

Ata ishin heronj, sepse ai marrsh ishte një marrsh mesianik. Ishte vërtet mesianik, u rrahën barbarisht përsëri para syve të mi, me të gjitha mjetet; lopata, gaz, shotgan, të gjitha mjetet u qëlluan. Ju them unë këtu se vetëm 20 minuta më vonë  do të guxonin t’i përcillnin regjimit ultimatumin e parë në historinë e tij: Ndero studentët dhe studentet ose sheshi Skënderbej, ndërtesat do të bëhen thërrime!

Ata ishin heronj. Sepse u ngritën fillimisht, duhet ta pranojmë, ta shohim historinë drejt e në sy,  kundër etërve të tyre. Po, studentët në përgjithësi ishin të privilegjuarit e rinisë shqiptare.

Ne si pedagogë ishin akoma më të privilegjuar të inteligjencës shqiptare. Nuk e harroj kurrë atë ditë kur erdhën autobusët e baballarëve për t’i marrë, për t’i shpërndarë, duke iu thënë se iu ka marrë koka erë. Por ndodhi e kundërta.

Etërit u bashkuan me bijtë, revolucioni nuk u ndal dhe dolën të nesërmen këtu në shesh për të kërkuar pluralizimin politik si shkallën më të lartë të demokracisë, për të kërkuar që etërit si skllevër apo fanatikë kishin ndërtuar në Shqipëri.

Ata ishin heronj, sepse kur je trim me mbështetje të madhe, ajo është trimëri. Por kur je trim pa ndonjë mbështetje të madhe siç ishin ata dy ditët e para, ajo është dy herë trimëri.

Ata ishin vizionarë, “Shqipërinë si gjithë Europa!” , “Liri, demokraci”. Revolucioni demokratik i vitit ‘90 kishte pra platformën më të ndritur në të gjithë historinë kombëtare, mishëronte në një doktrinën e rilindësve tanë, doktrinën e shqiptarisë, Shqipëria zonjë në Europë.

Thashë se ata u nisën në një marrsh mesianik. Po lideri i tyre, heroi i tyre doli nga këto ndërtesa, nga ky shesh, absolutisht si një Mesi për shqiptarët.

Si u zgjodh? Me një betim. Ishin fëmijë, bebe, Azem Hajdari iu tha studentëve natën e 8 Dhjetorit, iu la peng Rudinën dhe Kirin. Kur unë ju tradhtoj ju, unë do t’ju drejtoj. Nuk ka betim më solemn. Dhe ata i besuan  një të riu, një studenti, shumica e të cilëve nuk e kishin njohur. Kurrë.

I besuan t’iu udhëhiqte përballjes më të egër me një diktaturë mizore.

I pamposhtur. Do t’i dërrmonin me datën 9 tek Liceu Artistik. Gabim e patën. Sepse përkundrazi vetëm iu shtuan vullnetin. Është Azem Hajdari që formuloi ultimatumin: Ose lironi studentët dhe studentet ose sheshi do ta bëjmë copa!

Është Azem Hajdari  i cili bëri gjithçka për kërkesën e pluralizmit politik, si forma më e kulluar e demokracisë. E miratoi në këtë shesh, këtu në një miting tashmë të mbushur plot me studentë.  Idealet e dhjetorit janë fryma, energjia më e pastër e shqiptarëve. Ato janë sot më aktuale se kurrë. Tek dëgjojnë studentët përsëri me sloganin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Azem t’i je gjallë” dhe i tillë do të mbetesh i tillë përjetë të jetëve në udhëtimin e shqiptarëve drejt Europës, drejt prosperitetit.

Të dashur studente dhe studentë, sot prej 4 ditësh kemi një dhjetor të dytë  si asnjëherë tjetër universitetet e vendit kanë nisur një betejë të vendosur kundër një regjimi që quhet kakistokraci- nga greqishtja e lartë, më i keqi i të këqijve. Edhe ky regjim është regjimi i Edi Ramës.

Ky regjim ka përqendruar në dorën e vet të gjitha pushtetet. Ky regjim ka mbyllur Shqipërisë dyert e Europës me muret e drogës dhe të krimit. Ky regjim ka varfëruar dhe largon shqiptarët nga Shqipëria njëlloj si në ’91-in. Sepse ka vrarë shpresën në çdo shesh, në çdo rrugë, në çdo vatër, në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare.

Studentët në lëvizjen e tyre po ngjallin shpresat shqiptarëve. Dhe unë do u shpreh atyre mbështetjen më të fuqishme duke iu bërë thirrje shqiptarëve t’i mbështesin më të gjithë mundësitë e tyre.

Ju bëj thirrje mos dëgjoni ata manipulatorë, që kërkojnë tu shkëpusin ju nga shoqëria. Ata manipulatorë të cilët për interesa të patronëve të tyre përpiqen t’u paraqesin ju se po protestoni prej 4 ditësh për një gjobë apo për një tjetër. Por unë ju kujtoj vetëm një fjalë këtu, në takimin e parë me Ramiz Alinë, ky burrë do t’i thoshte: Nuk jam këtu për një gotë çaj më shumë!

Dhe ju sot jeni në rrugë, jeni në protestë, aty përfaqësoni prindërit tuaj,  nënat tuaja, baballarët tuaj, vëllezërit tuaj, motrat tuaja, interesat e tyre, interesat e shoqërisë shqiptare.

Ju protestoni sot për ato motive që protestuan 28 vjet më parë studentët shqiptarë: drejtësi sociale, drejtësi sociale, drejtësi sociale.

Dhe një herë nderim përjetë studentëve të dhjetorit, liderit të tyre Azem Hajdari!

Nderim të madh studentëve në protestë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb