Pas suksesit më Tiranën, Kukësi merr një tjetër fitore të rëndësishme, duke mposhtur 2-0 skuadrën e Egnatias në stadiumin e qytetit të Laçit. Tri pikë me shumë vlera për verilindorët, duke treguar se humbja në kupë ndaj rrogozhinasve dhe që i eliminoi nga ky kompeticion, ishte thjesht rastësi, pasi ndaj kësaj skuadra arrijnë fitoren e tretë për këtë vit.

Për skuadrën verilindore të Diego Longos realizuan dy blerjet e verës, Edi Basha në minutën e 53′ dhe kapakun kësaj sfide e vulosi Luka Milunoviç në minutën e 84′.

Një fitore me shumë vlera në këtë stacion të garës për Kukësin pas ndalesës së Tiranës ndaj Skënderbeut, teksa i shkojnë bardhebluve në -1 pikë në kreun e klasifikimit, ndërsa ekipi rrogozhinas klasifikohet në vendin e 8 në kuotën e 11 pikëve.

Ndeshja tjetër e së dielës, Dinamo-Kastrioti, luajtur në Elbasan, përfundoi 1-0 në favor të bluve. Dinamo merr 3 pikë të vuajtura në një sfidë ku portieri Edvan Bakaj ishte vendimtar me ndërhyrje e tij, sidomos në fundin e ndeshjes.

Sfida u vendos nga kapiteni Agim Ibraimi që realizoi një perlë nga goditja e këndit në minutën e 66-të. Fundi i takimit ishte vërtetë dramatik, pasi u akordua një penallti në favor të Kastriotit, por gjyqtari Kridens Meta iu drejtuar vetë VAR-it duke e korrigjuar penalltinë me një faull në limite dhe karton të kuq për Edi Maliqin.

Kastrioti provoi me të gjitha forcat në fundin e ndeshjes por heroi ishte Edvan Bakaj që bëri dy superpritje në fund. Tri pikë që çlirojnë trajnerin Bledi Shkëmbi që shikon ekipin të fitojë pas disa rezultateve jo të mira.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb