Jo vetëm tifozët e Skënderbeu, por fitoren ndaj Partizanit e shijuan edhe tifozët e Kukësit. Korçarët ndalën të kuqtë duke zvogëluar hendekun me kreun edhe për verilindorët. 4 pikë me vendin e parë nuk janë shumë, por më parë Kukësi duhet të mposht Flamurtarin. Pas dy fitoreve radhazi, Kukësi kërkon të tretë, por sigurisht këtë herë ka një kundërshtarë më të vështirë pasi presin Flamurtarin.

Ashtu si verilindorët edhe vlonjatët janë të etur për pikë për të mos humbur akoma më shumë terren ndaj rivalëve që janë në garë për titullin kampion, apo për zonën euro. Armando Cungu ka shumë arsye për tu shqetësuar në vigjilje të këtij takimi, mbi të gjitha i duhet të bëjë nga e para repartin e mbrojtjes. Me Rumubullakun mungesë të sigurt, në seancën e fundit stërvitore nuk është paraqitur as Ylli Shameti i cili ka vijuar terapinë e rikuperimit në palestër në pritje të rezonancës magnetike.

Kapiteni do të ishte një mungesë e madhe për Cungun pasi është jo vetëm lider në prapavijë por shpesh herë ka marrë dhe rolin e “bomberit”. Pas “emigrimit” të tyre në Elbasan, drejtuesit e Kukësit kanë preferuar të shpërngulin skuadrën në Kamzës, në një “bastion” tifozësh. Me anë të një postimi në faqen e tyre zyrtare klubi i Kukesit njofton se takimi kundër Flamurtarit do të zhvillohet ditën e premte në stadiumin e Kamzës në orën 14:00, hyrja do të jetë falas për tifozët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb