Laçi shtangu në fund Kukësin, duke barazuar në 2-2 sfidën e luajtur në Kamëz. Verilindorët ishin në avantazhin e dy golave, por në minutën 95’ pësuan të dytin dhe nuk morën dot maksimumin.

Sfida u zhbllokua në minutën e 30-të me Milunoviç. Pas pritjes së topit nga Sherri, ku tentoi braziliani Feijao, topi shkoi te serbi, që gjuajti saktë nga jashtë zonës, duke tundur rrjetën. Goli kontrollohet edhe nga sistemi VAR dhe akordohet i rregullt. Kaq për pjesën e parë.

Trajneri i Laçit në të dytën bën 3 zëvendësime njëherësh, por nuk japin rezultat. Është Kukësi madje që shënon edhe golin e dytë në minutën e 58-të. Kroati Edi Basha shfaqet sërish protagonist, goli i tretë për të në 3 javë.

Gjithsesi, Laçi tenton të marrë të paktën një pikë dhe hidhet para. Kurbinasit rihapin ndeshjen në minutën e 69-të me Zarubica. Malazezi vepron mirë dhe ngushton në 1-2. Ky gol hap “oreksin” e Laçit, që sulmojnë pa reshtur.

Goli do të vinte në minutën e pestë shtesë. Është sërish Zarubica që shënon pas një rrëmuje në zonë. Laçi shkon në 2 pikë, ndërsa Kukësi kryeson Superligën me 7 pikë.

Ndeshja tjetër, ajo mes Egnatias dhe Skënderbeut, e luajtur në Rrogozhinë, përfundoi në barazim 1-1. Vendasit kaluan në avantazh në 16’ me Pedro, por pa kaluar as 2 minuta, Elvi Berisha barazoi për korçarët. Të dy skuadrat ndalin njëra-tjetrën dhe kanë nga 2 pikë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb