Kukësi nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë dhe tani e pret një ndeshje tjetër e vështirë, teksa do të përballet me Dinamon, e cila rrezikon mbijetesën.

Skuadra verilindiore ka vijuar ditën e sotme me përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Dinamos. Para stërvitjes, skuadra është vizituar nga Presidenti i Nderit, Safet Gjici, i cili ka motivuar ekipin para këtij takimi dhe pas disa minutave takim me nota humori, ekipi ka nisur stërvitjen.

Ajo që bie në sy është durimi që kësaj here ka pasur Gjici me stafin drejtues. Ndryshe nga herët e tjera, presidenti “de facto” po e mbyll sezonin me një trajner të vetëm, edhe pse Kukësi rrezikon për të dytin vit radhazi të mos marrë pjesë në Kupat e Evropës.

Shkurtaj dhe Lulaj ishin dy mungesat e vetme për shkak dëmtimesh, teksa pjesa tjetër e skuadrës ka qenë e plotë nën urdhërat e trajnerit Longo.

Ndeshja ndaj Dinamos do të luhet ditën e diel në stadiumin e Kamzës, duke nisur nga ora 13:45. Biletat për këtë takim klubi organizator i Dinamos i ka nxjerrë në shitje ditën e sotme dhe kushtojnë 500 lekë për tifozerinë tonë e cila qëndron në tribunën A.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb