Këtë fundjavë nis sezoni i ri i Kategorisë Superiore. Kukësi mbetet sërish një nga skuadrat pretendente, pavarësisht sezonit të fundit që e mbylli në mes të renditjes. Presidenti i Nderit, Safet Gjici, thotë se ekipit i janë plotësuar të gjitha kushtet, duke nisur që nga trajneri dhe përforcime të shumta.

“Klubi pa diskutim ka bërë investime të mëdha në ndërtimin e ekipit. Ka marrë një trajner të mirë. Mbase nuk ka qenë i ekipeve të mëdha, por ka qenë zëvendës trajner i ekipeve të mëdha dhe ka punuar me një trajner shumë të madh që tashmë njihet në të gjithë Evropën.

Besoj se ka ndërtuar një ekip për të konkurruar denjësisht në kampionatin shqiptar. Pa diskutim që konkurrenca është e fortë. Të gjitha ekipet janë forcuar” – thotë Presidenti i Nderit të Kukësit.

Gjici thotë se titulli kampion është objektivi primar, pasi tani ekipi do të rikthehet të luajë edhe në stadiumin e ri në Kukës:

“Besoj se me kthimin e ekipit në Kukës dhe me ndihmën e tifozëve, patjetër që Kukësi do të ketë rezultatet të mira. Kemi vuajtur mungesën e fushës sonë. Janë blerë shumë lojtarë. Është bërë një investim goxha i madh. Tani i ngelet në dorë lojtarëve, stafit teknik dhe mirë menaxhimit të klubit për të marrë rezultate të mira për të shkuar drejt objektivit të Kukësit për titullin kampion.”

Kukësi do ta luajë ndeshjen e parë jashtë, teksa do të përballet me Egnatian në stadiumin e ri të Rrogozhinës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb