Nga Zonja Katerina
Përbërësit

500 gr miell, 125 ml qumësht, 10 gr maja të thatë, 150 gr sheqer, 100 gr gjalpë, 1 vezë ose 2 të verdha, 1 bustinë vanilje, Cipa e 1 portokalli, Fara susami.

Pergatitja

Në një enë hedhim qumështin e ngrohtë, majanë dhe 1 lugë sheqer. E përziejmë mirë derisa të shkrijë majaja, shtojmë më pas dhe 3-4 lugë miell dhe e lemë të mbuluar me një pecetë guzhine të vijë për 15 minuta.

Në një enë tjetër përziejmë sheqerin me vezën derisa sheqeri të shkrijë. Më pas shtojmë brumin e përgatitur, cipën e portokallit, vaniljen dhe gjalpin e temperaturës së ambientit. I trazojmë mirë të gjithë përbërësit dhe në fund shtojmë miellin me pak kripë. E punojmë mirë me duar brumin e kulaçit për rreth 10 minuta në mënyrë që brumi të fitojë elasticitet.

Lyejmë një enë me pak vaj dhe vendosim brumin e kulaçit. E mbulojmë me një letër kuzhine ose pecetë dhe e lemë në ambjent të ngrohtë sa të rrisë vëllimin për rreth 1 orë e 30 minuta – 2 orë.

Pasi brumi të ketë ardhur mirë e largojmë nga ena dhe e punojmë prapë. Marrim pak brumë, bëjmë dy shirita dhe i vendosim sipër kulaçit (të cilin e kemi berë në formë rrumbullake) në formë kryqi. E vendosim kulaçin në një tavë të lyer me yndyrë dhe e lemë përsëri mbuluar me pecetë të pushojë për 30 minuta. Me pas e lyejmë sipërfaqen e kulaçit me pak vezë, e spërkasim me fara susami dhe e vendosim në furrë të piqet në temperaturën 180 gradë Celsius.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb