Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE- Kulla e Abat Doçit në Mirditë u dëmtua para se të shpallej monument. Ndërtimi me tulla të kuqe është bërë mbi shtesën e ngritur katër vite më parë.” Kjo ka qenë deklarata e drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale të Kulturës Shkodër, Majlinda Lajçaj, e pyetur nga “GSH” në lidhje me ndërtimin e bërë në kullën e Abatit të Mirditës. Denoncimi për ngjarjen u bë publik nga arkitekti Artan Shkreli. Teksa sillte imazhet e shndërrimit të kullës, ai shkruante: Trishtim! Dëmtohet shumë rëndë, kryesisht nga indiferenca, por edhe nga injoranca, shtëpia ‘monument kulture’ e Preng Doçit, Abatit të Mirditës”.

DREJTORIA E MONUMENTEVE
“Mund t’ju them saktësisht, se pjesa ku po bëhet ndërtimi pa leje, nuk ka lidhje me kullën e Abat Doçit. Shtesa që duket, është një shtesë e bërë para katër vitesh, në kohën kur kulla nuk ishte shpallur monument kulture. Kur punonjësit e DRKK-së kanë shkuar të bëjnë rilevimin e shtëpisë, nuk janë lejuar nga pronarët të fotografojnë pjesën e pasme, sepse ka pasur problematika mes pronarëve, siç ndodh me shumë monumente. Në shtator 2014, kur u shpall monument, shtesa ka qenë. Ndërtimi i ri, ai me tulla të kuqe, ka lidhje me shtesën ekzistente, jo me kullën e Abat Doçit”, – deklaroi Lajçaj. Pyetjes nëse kulla është dëmtuar, ajo iu përgjigj: “Jo, nuk është dëmtuar. Edhe suvatimi është bërë në pjesën pas shtëpisë, në shtesën që sqarova më lart. Tani po bëhej vetëm pjesa me tulla, që ka lidhje me shtesën që nuk është monument”. Pyetjes tjetër, nëse ndërtimi është me leje dhe cilat janë masat e marra, drejtoresha Lajçaj iu përgjigj: “Është ndërtim pa leje. Shtëpia u shpall monument kulture dhe, për fat të keq, për të nuk kemi ende një zonifikim, nuk ka një perimetër që rrethon shtëpinë dhe ku nuk duhet ndërhyrë. Në momentin që nuk ka zonifikim, janë kompetenca të INUK-ut që mund të ndërhyjë aty, por jo Ministria e Kulturës. Ne e menaxhojmë dhe e ndjekim si problem. Ditën e premte ua kemi dërguar shkresat institucioneve përkatëse dhe janë ato që merrem me këto problematika. Detyrimi ynë është njohja e institucioneve përkatëse me gjërat që ndodhin”. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe reagimi i punonjësit të kësaj drejtorie, Paulin Zefi. Ai theksoi se kulla monumentale nuk është prekur aspak. “Më datë 24 kam ndërhyrë duke bllokuar punimet që po kryhen te shtesa e ndërtuar përpara 4 vitesh pranë kullës monument kulture të Abat Preng Doçit, që e kemi marrë në mbrojtje më 19.09.2014. Pronarët u shprehën se kishin marrë leje të rregullt nga bashkia, ndërkohë që pas shqyrtimit të kësaj dosjeje, evidentova shumë mangësi, pasi leja ishte e pafirmosur dhe e pavulosur e në të njëjtën kohë nuk kishin as certifikatë pronësie. Menjëherë kam bllokuar punimet dhe i kam dërguar një relacion DRKK Shkodër”, – sqaroi Zefi. Më tej, ai bëri me dije se kjo kullë është në pronësi të katër familjeve që janë kushërinj. “Bëhet fjalë për disa shkallë betoni dhe një shtesë që po ndërtohej me tulla. Këto ndërtime nuk dëmtojnë pjesë të kullës, sepse janë të bashkëngjitura me shtesën e përpara 4 viteve dhe në të njëjtën kohë ky monument nuk ka zonë muzeale”. REAGIMI I LAMES Ditën e djeshme, ka reaguar edhe Artan Lame, dashamirës i trashëgimisë kulturore, e deri para dy vitesh drejtues i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë. “(Artan) Shkreli flet për injorancë e indiferencë. As njëra e as tjetra nuk mund t’u falen dot institucioneve, se janë emëruar duke u prezumuar që nuk janë injorantë dhe rrogën e marrin për të mos qenë indiferentë”. Lame e kërkon problemin më thellë, duke vënë në dukje atë që duket të jetë edhe filli prej ku nis lëmshi i madh që nuk zgjidhet më: për gjithë çfarë ndodh me trashëgiminë, nuk ka asnjëherë fajtorë. Ndonëse nuk e thotë qartë, ai lë të kuptohet atë që të gjithë e dimë: askush nuk dënohet për dëme të kësaj natyre, askush nuk dënohet se monumentet bien, shemben, me ekskavator, nga natyra a nga leje të paligjshme. Shteti shqiptar njeh raste denoncimesh e hetimesh për shumëçka, por jo për këtë pjesë: jo për ruajtjen e monumenteve e trashëgimisë, anipse mëkatet në këto anë janë bërë mal. “Problemi i radhës në këtë vend, është mosmbajtja përgjegjësi për mosveprim. Pra askush nuk mban përgjegjësi për moskryerje të detyrës. Më e shumta, do dalin të thonë se ndërtimi është pa leje dhe davaja do mbyllet këtu. Sa për injorancën, ajo nuk është më turp, por është shpallur ‘veti’ në këtë vend që kur s’mbahet mend…”, e mbyll ai postimin e tij në rrjetin social “Facebook”. Abat Preng Doçi është një ndër personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes dhe i fillimit të shek. XX në historinë e Shqipërisë, i cili ka luajtur një rol madhor në disa nga momentet më vendimtare të zhvillimeve politike e kulturore, e posaçërisht të gjuhës e letërsisë shqipe. Bashkëpunëtor i De Radës dhe Kamardës, ai njihet si mendimtar, poet, publicist, veprimtar politik e kulturor, themelues i shoqërisë kulturore “Bashkimi” dhe Komisisë Letrare nga e cila trashëgojmë alfabetin latin të shqipes.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: