Nga ATJON V. ZHITI*

Tash u bane shum net e dit që jam largue prej asaj shpie e atij vendi në gjueti të diçkaje ma tmadhe, që dhe me ma shujtë mninë që kisha kundrejt kullanëve të mi andej nga Bjeshkët e Epërme tKombit tem.

Shka mbante inatçor me vedin e me ttjerët ishte arsyja se ttanë ne knaqeshim me lirinë tonë vetore, lirinë e tdashtunve ton e të gjanave që kishim mbledh ndër mote, knaqeshim nga çka shisnim npazar e çka blenim e ma vonë, nsaj tksaj gjaje, nxuna se na kena qindra mijra të drejta mbi kët dhé shekullnor, por sa ma shumë terre tdillit shkonin, siç thoshte gjyshi em për eklipset, aq ma shumë bindesha se ne nuk e meritojmë këtë tokë njikshtu. Ndërkohe, kur kam mujt me rafigurue kombin tem, mendoj për kët popullnajë, e cila respekton veç njata që dijnë me i fut veç frigën atyne me kamzhig dhe gjaja ma e dhimbshme që arrij me kqyr edhe sot, asht fakti se te ne mbizotnon një farë anarkijet, pasi ne i privojmë vedit konceptin e nji bashkësije të nalt interesash e idealesh tpërbashkta, pasi nshpirtin tonë mbizotnojnë ndjenja rivaliteti ttheksueme nga krenarija e pamvarsisë vetanake e jo tpërbashkët. Krijimi i një vetëdije e të tanve na mungon dhe sot e ksaj dite. Ky dhé mujt me ba ma shumë, po kurrë skena dit me e frymzue e me shfrytzue.

Ati em asht kan i nxanun dhe nvoglin teme mshoqërojshin librat n’veçanti, kur kullotja bagtine, edhe pse jo fort tpërhapun kto tekste, po prapë kishin vlerën e tyne e për ma tepër ishin ken libra tgjyshit e para tij tbabës smadh. Kto libra për ma sshumti ishin tekste tvjetra tpara lufte e kta autorë kishin gdhi jetën para ardhjes së Naltmadhnisë.

Tue studiue, kuptova që kishin ttana tiparet e analizës antropoligjike, etnologjike e politike. Falë ktyne lëçitjeve, dija eme për kombin tem u shtue tej mase, si fmij i vocër un nuk e kuptojsha shumë mirë çka ishte feja e Zoti, pasi dhe baba mthoshte tmos flisja me shokët e mi, nëse nuk dishroja që ay tpërfundonte si mos ma keq, por ma vonë, kur i kisha mbush dy dekada jet, kur i famshmi Mur i Berlinit ra e ne ringritëm murin rrëxuem që rrethonte kullën tone, kisha mundësi me fol e me studjue gjana shumë e më shumë tbujtme edhe për kët arsye shkova kjamet larg.

Në kto tekste tlartpërmenduna, kur flitej për kulturën e Shqypnisë në qerthulllin e realitetit të asokohshëm, nuk lihej pa u përmendun skamja, vorfnija, konfliktet, pasigurija e rendit publik, ama viheshin npah gjana shumë tmdhaja siç kje dhe asht me ba lëshime në besim, sidomos në besimin e tjetrit, që sot e quejnë toleranca fetare, që ne sot gabimisht e me mllef e ngatrrojmë me mënjanësinë, me indiferencën: “duke udhtue nëpër Shqypni, u binda se me tri fetë e veta e me tri kleret që bashkjetojnë, asht vendi ma me harmoni që mund tpërfytyrohet”, do shkruente prifti italian Gjakinto Amati në ditarin e tij.

Bashkëkombsit tanë janë luftëtarë krenarë prej natyre, por jo shumë puntuer, kena për zemër nderin tonë e tarmve tona dhe me krijue elegji mbi kto sende asht bukur mirë dhe joshse. Luftësia te na asht nji gjendje e vazhdimtë e shoqnisë, rrallherë asht edhe e rritun prej ndamjes fetare, ndërsa ndisa raste ttjera nga shpirti, gjaku dhe ligji i malit.

Krijuesi, kur po endej mbi tokën që kishte ba me duert e veta, nuk arriti me njoftë asnji prej trojeve që kishte krijue, sepse kaq shumë kishte ndërhye dora e njeriut e kur mbërriti nShqypni ma n fund, mujti me thane: “Përnjimend e kremte, vendi i parë që rinjoh, ka ngel njashtu siç e kisha krijue”, kjo lloj gjendje nuk mban shumë krenar… At’here nket gjendje shtazore dishroj tkallzoj ma shum per kullanët e mi.

Jeta e malcorit asht gati homerike, u shmanget punvet tranda me shum zell dhe dishron ma shumë nje jetë bariu, tue drejtue bagtinë nkullota, siç banin herojt antikë grekë. Ama ne si nGegni e si n Toskni kena nji identitet kombtar tonin, boll tshperndamun mirë, anipse anejna ka nji fare tkeqe helenike dhe smungon ndikimi si ajo e shkjaut, por Shqiptari, kjoft i krishten a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort tek gjuha e kombsija e vet, ne ndër mote kemi dit trrojmë dhe e shpëtueme trashgimnin tonë gjenetike nga përvetsimet e asgjasimet.

Mendoj se edhe si shoqni jemi mjaftueshëm interesant, po tpërsiatësh që mbas prishjes s’administrates otomane, roli i fiseve/tribuve ka ken diçka shumë pozitive, “regjimi” patriarkal nuk duhet me u konsiderue nji stad inferior i qytetnimit, por për me kenë objektiv, bashkue degjenerimeve, shpalohen koncepte morale shum tnalta, nji mënyre origjinale me pa jeten, nji organizim shoqnor dhe ekonomik, nji poezi me vlera te pakontestueshme, sado që mundet me u dukë antitez e progresit.

Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale, ka dhe nji kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi shum ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj ia vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje t’virtutshme. Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu…

NJE SHENIM NGA STAFI I “MILOSAO”-s

Ky është një shkrim i veçantë i Atjon Zhitit, jo vetëm pse i ngjan një legjende dhe një metafore bashkëkohore, por ka dhe rrekjen që të ishte i shkruar në gegërisht. Që të ndjehej më i besueshëm, autori kishte zgjedhur për emër letrar Dardan Shkrelin, ku kishte shtuar se ai “është duke përfunduar doktoraturën në Near East University në Qipro për semiotikën interpretative.” Një ëndërr apo një apel për ndokënd? Gjithsesi Dardania ishte vendi që Atjoni e donte shumë e i pëlqente të shkonte atje. E tërhiqte gegërishtja, i kuptonte fare mirë mangësite e veta dhe kishte vendosur të studionte Veprën e Martin Camajt që të mund të shkruante dhe në dialekt, por fare prane letrarishtes, duke e parë atë si pasuri, jo vetëm gjuhësore.

Gegërisht donte ta nxirrte shkrimin e tij të pare, ky i mësipërmi, në gazetën elektronike që kishte themeluar po vetë, “Mesi Radikal”, ndërkaq hapi rubrikat e gazetës, ku i bënte thirrje lexuesit dhe priste shkrime prej tyre. Kaq. Se jeta e tij u ndërpre në moshën 19 vjeçare nga një aksident tragjik. Pas nje feste, hipi në motorin e një moshatari dhe në mugëtirën e 20 dhejtorit të shkuar, ai goditi njërën nga burduarat e mëdha, të betontaen, kur riparohej austrada Tiranë-Durrës dhe sinjalistika ishte pa ndiçimin e duhur dhe fati zi, Atjono Zhiti iku në terr.

E tani në qiell, përveç të tjerash, mbase pret ta shohë të botuar parabolën “Kulla ime nuk asht e vetme”, i shkruar në Milano,ku dhe studionte për filozofi në Universitetin Katolik “Sacro Cuore”.
Dashuria moderne e Atjonit për vendin shkon dhe më në thellësi të kohërave, ku nisin rrënjët e traditave. E donte vendin, sa europian, po aq dhe vetvete, në identitet me virtytet e rralla e të lashta.

Mbase ky shkrim i shpalos ato që deshi, sado pak, pa e ditur në do prekte apo shtonte këtë parabolë të veçantë…

Botuar sot në Gazetën Shqiptare
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: