Nga: Alfred PEZA

Lajmi për një fjalim të Mev lut Çovusoglu gjatë një ceremonie të ndarjes së çmimeve “Mehmet Akif Ersoy”, ku ai u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa” në Tiranë, u përcoll nga mediat pothuajse me të njëjtin titull. E ai ishte: “Ministri i Jashtëm turk: Ne kemi një kulturë, miliona shqiptarë janë turq. Nesër mund të ketë grusht shteti edhe në Shqipëri…”. Kjo më bëri kurioz për ta lexuar me vë- mendje të shtuar shkrimin, për të kuptuar nëpërmjet gojës së shefit të diplomacisë së Ankarasë, pak a shumë idenë që qarkullon në elitën e pushtetit të sotëm turk, për shqiptarët dhe për Shqipërinë. Ai citohet të ketë thënë se “një Shqipëri stabile do të thotë një Turqi e fortë”. “Kultura shqiptare është pjesë e kulturës turke, ashtu sikurse kultura turke është pjesë e kulturës shqiptare”.

“Në Turqi jetojnë miliona shtetas që janë me origjinë shqiptare”. Më pas sigurisht nuk kishte se si të mos e çonte gjuhën aty ku edhe i dhemb aktualisht dhëmbi qeverisë dhe shefit të tij, te Fetullah Gylen. “E dimë që institucionet e FETO-s kanë aktivitetet e tyre në Shqipëri, dhe shqiptarët u kanë besuar atyre edukimin fëmijëve të tyre. Pikëpyetja ime është. Pse futen në sistemin e edukimit, marrin në shkollë nxënëse dhe fëmijë të një niveli elitë? Pastaj vazhdojnë të futen në struktura siç kanë bërë në Turqi, si në drejtësi, polici, ushtri.

Atëherë duhet ta vlerësojmë shumë mirë që e njëjta situatë ekziston në Shqipëri, ku duhet të marrim masa konkrete tani që mos jetë vonë nesër”, tha ai. E gjitha kjo ndodhi në prani të Presidentit të Republikës Ilir Meta, ndërkohë që shefi i maxhorancës Edi Rama dhe ai i opozitës Lulzim Basha ndodheshin në Bruksel për çështjen e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ndërkohë që po gjatë ditës, u raportua se një pedagog i ri shqiptar në Universitetin e Ankarasë, doktorant për teologji nga Cërriku, ishte ndaluar së bashku me bashkëshorten, i dyshuar për pjesëmarrje në grushtin e shtetit në 15 korrikun e 2016, prapa së cilës Presidenti Erdogan akuzon se qëndron armiku i tij Nr. 1 publik, Fetullah Gylen.

Ajo që vihet re lehtësisht në ligjërimin e shefit të politikës së jashtme të Turqisë, është përdorimi i disa klisheve, të cilat janë një lloj steriotipi i njohur në komunikimin politik mes dy vendeve. Më së shumti për kortezi, inerci e populizëm, sesa si një realitet koherent i sotëm. Fakti për shembull që në Turqi jetojnë miliona shqiptarë, të cilët janë pasardhësit e shqiptarëve që kanë qenë dikur pjesë e administratës së Perandorisë Osmane gjatë pesë shekujve të pushtimit, përveçse si statistikë, nuk është se luan ndonjë rol të qenësishëm sot në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Me siguri më shumë rol kanë rreth 3-4 milionë turqit në Gjermaninë e sotme, për marrëdhëniet mes tyre. Por as Gjermania dhe as Turqia nuk e thonë se turqit janë gjermanë apo se gjermanët janë turq. Këtë nuk e thonë as italianët për arbëreshët, e kështu me radhë. Pavarësisht një konteksti më specifik marrëdhëniesh mes Shqipërisë dhe Turqisë, është e tepërt të thuash se shqiptarët janë turq dhe se kemi një kulturë.

Çështjet e identitetit kombëtar shqiptar dhe elementët e orientimit tonë qytetërimor drejt atij perëndimor, e bëjnë këtë tezë të një debati shumë më të thellë e profesional. E sigurt është që steriotipet e përdorura për propagandë të ndihmojnë për të qenë populist, por nuk e shpjegojnë thelbin e të vërtetës ashtu siç është plotësisht, ndaj edhe nuk duhen marrë edhe aq shumë seriozisht.

Një ministër i Jashtëm turk duket në të drejtën e vet ta thotë këtë, nëse kujton për shembull se vite më parë, po në Tiranë, një drejtor i rëndësishëm në Departamentin Amerikan të Shtetit, kur sapo ishte krijuar aleanca e madhe antiterror pas 11 shtatorit dhe kishte filluar lufta në Irak e Afganistan, e rendiste Shqipërinë në krye të “vendeve islamike” që e mbështesnin luftën e Presidentit të atëhershëm Xhorxh W. Bush kundër “boshtit të së keqes”.

Gjithsesi ajo që tërheq më shumë vëmendje dhe duket më serioze, është fraza që lihej të kuptohej se grushti i shtetit që ndodhi në Turqi, mund të ndodhë edhe në Shqipëri nesër, nëse nuk e mbështesnim kërkesën e tyre për luftën kundër rrjetit të shkollave të Gylenit dhe njerëzve që konsiderohen si mbështetës të tij këtu. Është e kotë t’i hysh historisë për të thënë se grushtet e shtetit atje kanë si specifikë rolin e elitës shumë të fuqishme ushtarake, e që këtu kjo as që ekziston.

Jo vetëm se jemi vend anëtar i NATO-s, si edhe Turqia vetë, por elita jonë politike me apo pa koshiencë, ia arriti që ta shkatërrojë me sukses çdo mundësi të tillë që pas 1990 e duke i dhënë shkelmin e fundit elitës së vjetër ushtarake më 1997, me hapjen e depove të armëve. E vetmja tentativë reale për grusht shteti në Shqipëri, ka qenë ajo e 14 shtatorit 1998, e cila u zbyth me vetëm një telefonatë të ardhur nga përtej oqeanit. Të kuptohemi që Turqia është një partner shumë i rëndësishëm për Shqipërinë në rajon në çdo aspekt, por kjo s’ka lidhje as me kulturën neotomane që ekziston akoma te ne, as me steriotipin dhe klishetë propagandistike korteziale se shqiptarët janë turq apo anasjelltas, e as me ndonjë rrezik të paqenë për grushte shteti./alpenews.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: