Nga: FATMIRA NIKOLLI*
NEW YORK- Ministria e Kulturës ka publikuar në sajtin e saj online 80 projektet e miratuara për vitin 2015. Sipas zyrës së shtypit, janë përzgjedhur më të mirët nga 300 aplikantë dhe janë ndarë mes tyre rreth 45 milionë lekë të rinj, çka përbëjnë 50% të buxhetit për aktivitete. Askujt nuk i është mbështetur i gjithë projekti, porse aplikantët fitues janë mbështetur pjesshëm, sipas zërave që përputhen me prioritetet e ministrisë.
Emrat
Emrat, projektet e individëve apo shoqatave të cilëve iu mbështeten projektet janë: Stefan Çapaliku, Genti Bejko, Adrian Paci, Dhimitër Orgocka, Agron Gjekmarkaj, Gentian Koçi, Jonila Godole, Kristo Frashëri, Kastriot Tusha, “Fondacioni Mapo”, Laert Vasili, Justina Aliaj, Florian Vlashi, Mimoza Hysa, Fondacioni “Pelod”, Shoqata e Botuesve Shqiptarë, një libër i Prof. Francesco Altimari-t, Shoqëria e Librit Shqip, Luljeta Lleshanaku, David Tukiçi, Romeo Kodra, Fondacioni “Dritan Hoxha”, Alfred Bualoti etj.
Si projekte financohen: Artkontakt Festival, Festivali “Butrinti 2000″, Bunkerët e Shqipërisë, Çmimet Kult, festivali “Different Trains”, Doku TIFF Film, “AniFest ROZAFA 2014″, “Flauti magjik”, Festivali i 53-të mbarëkombëtar i këngës për fëmijë Shkodër 2015, Art-Im-Pulse, Festivali i letërsisë së re ballkanike, Festivali i veprave të ndaluara, Festivali ndërkombëtar i filmit për të drejtat e njeriut në Shqipëri, Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë II, Festivali Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja”, Giffoni, Teatri Shëtitës, Informal Mind, “Jazz in Albania”, Karnavalet e Shkodrës 2015, “Muzeu i memories”, Festivali letrar për të rinj “Tiranë 2015″, Panairi XVIII i librit “Tirana 2015″, “Pianodrom”, Poeteka, Festivali i librit dhe i arteve (Pranverë 2015), Revista kulturore “Symbol” etj.
Përtej emrave
Mes shumë shoqatash a individësh që përfitojnë nga buxheti i Ministrisë së Kulturës, shohim emra a shoqata që kanë pasur përplasje me ministrinë, herë për projekte e herë për politika kulturore. Mes kritikëve që përfitojnë, a mes atyre që janë shprehur publikisht kundër politikave të saj apo në rrjetet sociale, përmendim: Ema Andra e Klod Dedja (M.A.M Foundation), Romeo Kodra, Alfred Bualoti, Laert Vasili (në një intervistë për “GSH”), Shoqata e Botuesve Shqiptarë etj., etj. (s’po përmendim anëtarë fondacionesh e shoqatash).
Sigurisht, miratimi i një sërë emrash kritikë, tregon ose të lë përshtypjen se ministria i pranon dhe të ndryshmit e vet (i financon edhe ata që i ka kundër, mbasi projektet e tyre vlejnë dhe janë në të njëjtën gjatësi vale me ministrinë, sikundër nuk janë idetë e tyre për politikat kulturore), i jep secilit hakun, paçka se ndajnë mendime të ndryshe për çështje të njëjta.
Veçse në këtë pikë ka edhe do pikëpyetje: A i kanë merituar projektet e tyre paratë që do marrin? A do i meritojnë kur të realizohen? A do ndodhë sërish që aktivitet 5-ditore të zgjasin tri ditë? Apo u miratuan se ata kritikuan dhe nuk duhet t’i lëmë të mendojnë se ministria iu mbylli dyert? E mandej, por hiç më pak të rëndësishme, a kemi të drejtë të mendojmë se ato para u dhanë për të shuar kundërshtimet? A kemi të drejtë të na kalojë nëpër mend?
Asgjë personale me askënd. Mes gjithë kritikëve të pafund, janë parë disa emra të veçantë që nuk po i përmendim, (shumë të paktë në numër), që derisa çuan projektet i nxinë rrjetet sociale me kritika, deri në fyerje personale, krejt të turpshme, për ministrinë e deri për kryeministrin, fyerje madje të dënueshme. Dje, për çudi, i kishin fshirë postimet, që të gjitha. Ashtu si me magji! Veçse ne i kemi ruajtur. Për çdo rast. (Ndodh edhe që t’i bien ministrisë a qeverisë, derisa të marrim ndonjë copë të tortës e mandej heshtim deri në aplikimet e radhës). E ministrja Kumbaro do jetë sërish në qendër të sulmeve, herë me të drejtë e herë se i duhet thënë se ata janë dhe se dinë të ngrenë zërin.
Secili prej kritikëve që mund t’i lexojë këto radhë, mund të rrudhë buzët e t’i thotë vetes se nuk është ashtu (tani që e duam ministrinë, s’na duhen gazetarë nëpër këmbë), se projekti i bërë është i rregullt, se do të shënojë një ngjarje për kulturën, se je profesionist, se ndryshe nga të tjerët ti di ç’bën (dhe shumica kanë të drejtë ta thonë këtë me plot gojën). Ashtu qoftë; për të mirën e të gjithëve, ashtu qoftë!
Mundet, por mendohuni pak, vërtet nuk është ashtu? Për të gjithë kritikët, kështu është?
Gjithsesi, gjithë ç’u tha është se edhe kritikët përfituan nga buxheti i shtetit. Kumbaro ia doli të dalë mbi kundërshtarët e vet, dhe duhet përgëzuar. Për besë po! Shpresojmë që cilësia t’ia vlejë për atë dhe për ne.
Asnjë paragjykim. Kritikët mësuan si të aplikojnë, projekti i tyre përputhet me politikat e ministrisë. Kritikët kanë të drejtë të kritikojnë deri në pikën kur kritika bëhet për hir të projektit. Jemi në mbështetje të kritikës, por jo të fyerjeve të ulëta, që nuk iu kanë hije artistëve a asaj shoqërie e cila merret me kulturë e prej kësaj kuptohet si ajka e shoqërisë.
Në fund, por jo për nga rëndësia, sekush duhet të kuptojë se gazetarët nuk janë për të mbushur ulëset në konferencat e shtypit, ku panelistët e radhës i rrahin shpatullat njëri-tjetrit mbi suksesin e madh, e as për të radhitur njoftimet e shtypit.
Diç kuptojnë edhe gazetarët, megjithëse nuk kanë nën varësi një administratë a staf të tërë që punon për ta e i urdhëron ata. (Nëse institucionet a shoqatat duan reklamë, mediat kanë departamentin e marketingut.)
Ja u thanë dy llafe edhe për projektet. Ashtu përciptazi, se në fund të fundit, gazetarët sikundër thuhet e shkruhet, “janë asgjë më shumë se veçse ‘intelektualë’ që hedhin shashka”, ndryshe prej intelektualëve organikë (lexo intelektualë të vërtetë) që po bëjnë mrekullira.
Në fakt, gazetarët s’bëjnë hiç më shumë se pasqyrimi i bëmave të intelektualëve organikë. Në këtë pikë, gjithë ç’bëjmë ne varet nga ata.
I thamë përciptazi se punët me mend e ato të thellat që duan gjithëpërfshirje ne gazetarët ia kemi lënë qeverisë, e cila, s’do mend, po sipas ne gazetarëve, po e shndrit e po e ndrin.
Në këto pak vite jetë kemi parë aq qeveri sa të ngopemi, qeveri që kanë prodhuar më shumë skandale se vetë vitet e tyre të pushtetit. Po këto janë punë të thella që nuk iu shkojnë për shtat gazetarëve që ngrenë mjegull. Këto iu shkojnë për shtat atyre që e bëjnë mjegullën e atyre që mes mjegullës fërkojnë duart.

(P.S. Autorja e këtyre radhëve nuk ka aplikuar për asnjë projekt, ndaj nuk ka konflikt interesi as me ministrinë e as me fituesit.)

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: