NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- Në një takim të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro me median, ajo iu përgjigj interesimit mbi trashëgiminë kulturore. Sa i takon pyetjes mbi cilësinë e restaurimeve, Kumbaro tha se “kemi kaluar nga niveli i debatit që nuk mirëmbahen monumentet, që janë të harruara, e janë të braktisura, vidhen, grabiten etj., te diskutimi i cilësisë, estetikës, teknikës. E dyta, dua të them se debatet që janë bërë, janë për kantiere në proces, të cilat s’kanë mbaruar. Flas për projektet e këtyre dy viteve. Jemi ende në proces dhe procesi ka mundësinë e mbikëqyrjes, supervizimit, ndërhyrjes”.

Sipas ministres, vetëm kur mbaron i plotë restaurimi, mund të ulemi të diskutojmë nëse është bërë mirë, nëse është bërë keq apo jo. “Ka një ligj për trashëgiminë dhe ka një ligj për prokurimet të cilat na diktojnë se si ndërhyhet në restaurime. Këto janë të detyrueshme për t’u zbatuar”, – tha ajo.

Pyetjes së “GSH”, nëse do mbetet në fuqi restaurimi i monumenteve me tendera kompanish private, dhe jo me specialistë, siç ka qenë dikur, Kumbaro iu përgjigj: “Modeli që ka qenë dikur, dhe që e përdor me kaq nostalgji Emin Riza, është modeli i brigadave kur në çdo qytet kishte nga 200 vetë. Sigurisht, ka ndryshuar tërësisht sistemi dhe nuk mund të pretendojmë, sepse nuk ka ushtri me njerëz që mund të punojnë. Do të ishte shumë mirë, nëse doni të dini mendimin tim, që ky proces të ishte i kontrolluar brenda drejtorive”. Sipas Kumbaros, “sot kemi arritur që mirëmbajtjen e përditshme ta bëjmë me specialistët tanë të drejtorive rajonale dhe të Institutit të Monumenteve të Kulturës, ndërsa ndërhyrjet më masive sipas ligjit të prokurimeve dhe atij të trashëgimisë jemi të detyruar t’i kalojmë në të gjitha proceset siç parashikohen nga ligji”.

RESTAURIME TË BËRA KEQ, PA PENALIZIME
“Ajo që ne bëjmë është që në dhënien e licencave jemi rigorozë dhe të kujdesshëm. Licencat, edhe pse janë atribut i ministrit të Kulturës, i nënshtrohen gjithnjë gjykimit të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, i ndjekim me shumë skrupolozitet mbrapa, dhe çdo ndërhyrje në monument e ndjekim po vetë”, – tha ajo. Vetëm këtë vit restaurimet e përfunduara e të debatuara kanë qenë disa. Ministrja foli për dhënie licencash, por jo për heqje të tyre. Parë nga ky këndvështrim, “GSH” u interesua të dijë, se çfarë u bë me firmën restauruese e cila ka ndërhyrë në godinën e gjashtëkëndëshit në Gjirokastër(te qafa e Pazarit).

Godina në fjalë, e restauruar pak vite më parë, këtë vit rrezikoi shembjen, dhe fajin për këtë Ministria e Kulturës ia faturoi restaurimit të bërë. Por çfarë ka ndodhur më tej me firmën? Duket se deri tani asgjë. “Jam tronditur nga cilësia dhe rezultati që ne shohim, sa u takon punimeve që janë bërë në Gjirokastër në vitin 2010. Shteti shqiptar ka nxjerrë nga buxheti 1 milion euro për ndërhyrje restauruese në Gjirokastër, në godina që sot mezi mbahen. Banesa Çabej, e restauruar pak vite më parë, i është nënshtruar tani një ndërhyrjeje për ta shpëtuar nga shembja. Gjashtëkëndëshi ka qenë po ashtu objekt i një ndërhyrjeje të tillë dhe sot nuk ka rënë, por pati dëmtime, siç thonë specialistët. Por, nëse iu kthehemi letrave, ato janë të firmosura nga specialistë, të cilët s’mund t’i gjykoj unë si i kanë firmosur, por, më bën fort të dyshoj për cilësinë e raportimit dhe menaxhimit të monumenteve”, – tha Kumbaro.

Por, ndërsa restaurimet e bëra keq, jo vetëm që nuk ndihmojnë, por dëmtojnë më tepër, pyetjes së “GSH”, nëse kemi raste restaurimesh që sjellin probleme, çfarë do të bëhet, çfarë masash merren, mund të vijë e njëjta kompani sërish, ministrja Kumbaro tha: “Në asnjë mënyrë jo! Nuk është korrekte nga ana ligjore që unë të paragjykoj, por kompani të cilat na kanë lënë histori të tilla, nuk janë të mirëpritura në proceset e garës”. Kumbaro tha “nuk janë të mirëpritura”. Por përtej mosmirëpritjes, nuk u fol për penalizime, gjoba, e asgjë më shumë. Deklarata e ministres Mirela Kumbaro u bë dje, gjatë një ‘mëngjesi kulture’ me gazetarët e medias së shkruar dhe asaj elektronike, në ambientin më të ri të Bibliotekës ArtVision, ku u shkëmbyen disa mendime dhe ide për artin, kulturën dhe trashëgiminë, çfarë është realizuar në dy vjet MK dhe çfarë pritet të realizohet në vitin 2016.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: