STAMBOLL- Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, mori pjesë në takimin e Ministrave të Kulturës së Europës Juglindore (CoMoCoSEE) për “Nxitjen e Kulturës për Zhvillimin e Qëndrueshëm”, që u zhvillua në 24-25 shkurt në Stamboll.

Në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Kulturës, të shtunën theksohet se “forumi aprovoi një plan të përbashkët sipas “Strategjisë së Ohrit”, ku parashkohet punë e detajuar në menaxhimin e kulturës dhe trashëgimisë kulturore duke përdorur indikatorët e fushës si instrument për politika zhvillimi; nxitur partneritetet me botën e biznesit, të niveleve të ndryshme të pushteteve dhe shoqërinë civile dhe duke i dhënë rëndësinë e merituar trashëgimisë jomateriale si element i rëndësishëm identitar, por edhe si instrument i fuqishëm i diversitetit kulturor”.

Objektivat u përfshinë në deklaratën e përbashkët të Ministrave, ku u theksua me forcë kultura si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, në botën e trazuar nga terrorizmi, ekstremizmat, zhvendosjet e refugjatëve dhe shkatërrimet e trashëgimisë kulturore në vendet në konflikt.

Moment i rëndësishëm i forumit ishte edhe Letra e Përbashkët e Ministrave të Kulturës të Europës Juglindore drejtuar Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn, në mbështetje të projektit të përbashkët të UNESCO-s me Komisionin Europian në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore.

Në përfundim të Forumit Shqipëria mori presidencën e radhës të Këshillit, me temat prioritare: Vlerësimi i pasurive kulturore në dritën e mbrojtjes, ruajtjes dhe rijetëzimit të tyre si vlerë, pasuri e gjallë dhe burim ekonomie;Shkëmbimi i praktikave më të mira dhe inovative në menaxhim dhe rregullave më të sigurta për zhvillimin e formave të reja të partneriteteve publik-privat dhe forcim i kapaciteteve të regjistrimit, identifikimit dhe parandalimit të trafikimit të pasurive kulturore.

Temat paraqitën interes dhe u mbështetën nga gjithë ministrat, sikundër edhe nga UNESCO, e përfaqësuar nga Nëndrejtori i Përgjithshëm për Kulturën, Francesco Bandarin dhe nga Drejtoresha e Zyrës e Unesco-s në Venecia për Shkencën dhe Kulturën, Ana Luiza Thompson-Flores. Ndërsa do të zhvillohen një sërë takimesh në nivel teknik mbi temat prioritare të përcaktuara në Kroaci, Serbi dhe Shqipëri, Forumi i tretë do të mbahet në Shqipëri në fillim të vitit 2017.

Në kuadrin e reformës strukturore të kryer në sistemin e trashëgimisë në Shqipëri në këto dy vite, të reformës ligjore në proces dhe rritjes së ndjeshmërisë dhe interesit të publikut ndaj Kulturës, partneritetet janë një çelës suksesi jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin që ndan të njëjtat problematika.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: