Nga: FATMIRA NIKOLLI*
TIRANE – Fondi për projektimin (e rikonstruksionit të operës) shkon diku tek 250 mijë euro. Ndërsa për shifrat e investimit duhet të presim fundin e projektzbatimit, i cili do të na thotë dhe koston e saktë, shifrën totale, që do të shtrihet në dy vjet.

“Ne kemi gati grantin për pjesën e parë të punimeve, që është fondi grek prej 2.5 milionë euro dhe pjesa tjetër do të merret përsipër nga buxheti i shtetit”. Kjo ishte përgjigja e ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, sa i takon kostos së rikonstruksionit të operës. Në një fjalë 25 minutëshe, në konferencën ku sopranoja Ermonela Jaho do të prezantonte masterklasin me artistët e rinj, Kumbaro bëri një bilanc arritjesh dhe përmbledhje qëllimesh të ministrisë në këtë teatër e më gjerë. Më tej, ajo sqaroi se për projektin e rikonstruksionit, gara është hapur qysh gjatë verës.

“Termat kanë qenë të botuara në të gjitha faqet e institucioneve”, tha ajo, duke sqaruar se kompania projektuese duhet të ketë parasysh akustikën, teknikën etj. Në bazë të këtyre termave është kërkuar edhe pjesëmarrja e studiove. Përgjithësisht kanë qenë miks: Midis studiove vendase dhe të huaja, në funksion të termave të kërkuara. Studioja është një bashkim studiosh që vjen me ekspertizën e saj për të realizuar projektin. Studioja akustike quhet Klan akustik”.

Gjatë fjalës së mbajtur ajo bëri me dije se në planet e afërta është edhe ndërtimi i teatrit të ri në ish-Institutin e Energjetikës, 500 metra larg gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.

Më pas, fjalën e mori sopranoja Ermonela Jaho, e cila prezantoi punën që do bëhet me 18 këngëtarë lirikë, katër prej të cilëve nga Teatri i Operës dhe Baletit, të cilët po përgatiten teknikisht dhe po përmirësohen në mënyrë që të ndërtojnë një karrierë të suksesshme artistike përtej kufijve lokalë. “Shikoj tek artistët e rinj shqiptarë, nevojën për shkëmbim eksperience, nuk duhet që të matemi vetëm me një konkurrencë lokale, sepse egoja e artistit është pa limit, por kur i çon te vlerat e vërteta që kanë, duhet shumë për të bërë. Këtë e them edhe unë, sepse mendoj se kam shumë për të bërë”.

Sopranoja Ermonela Jaho, Angelo Gabrielli (Docent në Konservator dhe ekspert vocal, Elda Laro (Dirigjent Orkestre i dytë ne Teatrin e Operës të Berlinit) dhe Paolo Andreoli (Pianist, mjeshtër bashkëpunues operistik) vunë në dukje kënaqësinë që kanë pasur gjatë punës së këtyre ditëve, pasi sipas tyre kanë mësuar shumë gjëra.

Sipas Jahos, “Nga ana teknike ka shumë për të dëshiruar. Por kjo nuk do të thotë se është problem i shkollës, edhe ne nga këtu dolëm, por që të bëhesh i shitshëm duhet shumë punë. Pedagogët shqiptarë do të japin diçka, por asnjë nuk të jep 100 për qind dhe kjo punë është si mozaiku, bëhet me copëza. Është si puna e lules edhe dashuria për artin. Një pikë ujë nuk bën një rrebesh, por me qindra miliona pika ujë bëjnë bashkimin dhe ka një fuqi së bashku. Duhet zjarri dhe pasioni që secili prej nesh të nxjerr më të mirën. Duhen gjëra të reja. Është një nevojë në të gjithë botën se duhet drejtimi i duhur, që mendoj se vetëm eksperienca me njëri-tjetrin do të rrisë farën për ta bërë lulen të jashtëzakonshme”.

Sonte në mbrëmje (e shtunë), pjesëmarrësit në masterklasin e udhëhequr nga Ermonela Jaho, i pari që zhvillohet në vendin tonë, do të japin një koncert lirik me arie të Moxart.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: