Para disa ditësh ish in të ekspozuar në merkato, por ngjarjet e fundit kanë ndryshuar drejtimin e dy mbrojtësve të Kombëtares shqiptare, Gjimshitit dhe Kumbullës. Berati është kthyer përsëri në fushën e lojës si titullar në një ndeshje zyrtare pas dy muajsh me Atalantën.

Mbrojtësi kuqezi, për shkak të dëmtimeve, nuk ka kaluar një sezon të rregullt me bergamaskët, e si rrjedhojë ka humbur kohët e fundit vendin e tij në formacion. Por trajneri Gasperini vendosi t’i besonte përsëri si titullar në duelin ndaj Specias, ku Atalanta fitoi me shifrat 5-2. Gjimshiti luajti rregullisht të 90 minutat, duke bërë një paraqitje të mirë në këtë sfidë, që siguroi kalimin në turin tjetër të skuadrës, e cila në çerekfinale do të përballet me Interin. Ndërkaq, në përfundim të takimit për faqen e klubit është prononcuar 29-vjeçari.

“Ishte e rëndësishme për ne që të kalonim, sepse ky është një kompeticion që na intereson. Mendoj se pjesa e parë tregoi se çdo ndeshje nuk mund të merret kurrë si e mirëqenë, edhe nëse e kishim ndeshjen në dorë, e mbyllëm pjesën e parë 3-2. Edhe dy javë më parë kuptuam se Specia është një kundërshtar shumë i vështirë, që luan shumë mirë dhe i njihnim cilësitë e tyre, por i konkretizuam mirë mundësitë që kishim, po rritemi gjithnjë e më shumë”, thotë Gjimshiti për “Tuttoatalanta”.

E ARDHMJA- Ndërkohë, në mediat italiane është përfolur këto ditë për një transferim të mundshëm të Gjimshitit te Monza, me klubin e Berluskonit që kërkon përforcime cilësore për prapavijën. Por çdo gjë mund të ndryshojë, pasi në ndeshjen e djeshme u dëmtua në gju mbrojtësi premtues Skalvini, çka duhet të pritet për shkallën e dëmtimit. Kjo mund të ndikojë edhe tek e ardhmja e Gjimshitit.

KUMBULLA- Marashi ka qenë ndër më të mirët në fushë në dy ndeshjet e fundit të luajtura dhe të fituara nga Roma. Titullar në Kupën e Italisë ndaj Xhenoas edhe pse pësoi një thyerje të gishtit, Kumbulla nuk hoqi dorë dhe luajti titullar edhe ndaj Fiorentinës.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare mori vlerësime nga “Special One”, i cili e përgëzoi për përkushtimin e madh. Për pasojë, drejtori sportiv i verdhekuqëve, Tiago Pinto, u detyrua t’u mbyllte derën të gjitha klubeve të interesuara për qendërmbrojtësin. Në fakt, disa skuadra kërkonin shërbimet e 22-vjeçarit në këtë merkato. Paraqitjet e mira dhe fjalët e thëna nga Murinjo e detyruan drejtorin ta heqë atë nga lista e transferimeve./ Panoramasport.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: