Ish-bomberi i Serisë A dhe rekordmeni i golave me Kombëtaren komenton lëvizjet e para të merkatos së Kombëtares. Erjon Bogdani për “Panorama Sport” analizon situatën e portierëve në serinë A, Kumbullën dhe Gjimshitin, por ndalet edhe tek ecuria e Armando Brojës dhe pritshmëritë për të.

Bogdani, cila prej lëvizjeve të merkatos nga kuqezinjtë ju bën përshtypje?

Hysaj që gjeti një skuadër si Lacio dhe trajner si Sarri. Sipas meje, me lëvizjet që ka bërë, Lacio ka si objektiv që të renditet sërish mes katër më të mirave në Itali. Shpresoj që për këtë, kontribut të japë jo vetëm Strakosha që ka qenë një nga pikat e forta, por edhe Hysaj.

Si e prisni Hysajn në kryeqytet?

Unë shpresoj vetëm që të luajë siç ka bërë te Napoli, kur në krye kishte Sarrin. Tashmë ai është një mbrojtës i sprovuar dhe Sarri nuk do ta ketë aspak të vështirë që të bëjë Hysajn të japë më të mirën.

Kumbulla nën drejtimin e Murinjos, mund të fitojë besimin e tij?

Situatën e Kumbullës e shoh pozitive, pasi pavarësisht moshës që ka, Roma ka investuar shumë tek ai. Me ardhjen e Murinjos është edhe e pritshme që të marrë shumë futbollistë, pasi kudo ku ai drejton, ndërton skuadrën sipas ideve të tij për të fituar. Them se do të ketë konkurrencë edhe të shtuar te Roma. Por unë kam besim sepse Marashi ka kualitet dhe shpresoj që të ketë vazhdimësi. Pse jo, ta fitojë vendin për të qenë një nga shtyllat kryesore të ekipit.

19-vjeçari Broja firmos kontratë pesëvjeçare me Çelsin. Shihni shanse të qëndrojë me blutë apo kampionët e Europës mund ta huazojnë sërish?

E kam ndjekur ditët e fundit, por e kam parë Brojën me ecurinë që ka pasur. Për mendimin tim ishte zgjedhja e duhur vjet që u huazua te Viteshe dhe pati atë ecuri pozitive me gola, por mbi të gjitha, mori minuta dhe luajti thuajse të gjitha ndeshjet. Çelsi është kampionia e Europës në fuqi dhe ekipet e mëdha pretendojnë gjithmonë për të fituar, ndaj Brojën e pret një konkurrencë shumë, shumë e fortë.

Me syrin e një bomberi, çfarë pëlqeni te stili i Brojës?

Të mos harrojmë, mjaft të përmendësh Verner apo Haverts, pa diskutuar kë do të afrojnë. Megjithatë unë kam besim që do të jetë pjesë e ekipit, pasi një prezantim i tillë nuk mendoj se bëhet për ta huazuar apo shitur tani shpejt. Them se Çelsi ka besim te Broja dhe ka kualitete shumë të mira, është në një moshë shumë të re që ka vend për rritje, por them se do të ketë shanset e tij për të “bezdisur” sulmuesit e tjerë dhe për të mos i lënë të qetë. Kjo sepse nuk është nga ata sulmues që rri vetëm në zonë dhe pret, por është një lojtar që bashkëvepron shumë mirë me ekipin./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: