TIRANE

Ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume e ka konsideruar një akt kurajoz vendimin e pritur sipas tij të Presidentit Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Në një intervistë për Neës24, Kume u shpreh se KQZ në zbatim të dekretit duhet të ndërpresë punën në vijim për administrimin e procesit.

“Pres pas kësaj takime të Presidentit me forca politike për ridekretuar një datë të re zgjedhjesh.” U shpreh Kume, ndërsa komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se i vendosur se më 30 qershor do të votohet.

“Ishte e pritshme deklarata e kryeministrit, flakë për flakë, por kjo nuk do të thotë që edhe maxhoranca zhvishet nga detyra për t’iu përgjigjur e realizuar zgjidhje që duhet të kryhen pas kësaj situate. Besoj e nuk pres të ndodhë ndryshe, palët duhet të ulen në tavolinë, me Presidentin, dhe të bisedohet. Të shihet kjo si një mundësi e madhe për të ulur palët që të trajtojnë ngërcin politik e të gjejnë rrugëzgjidhje, le ta përdorin forcat politike këtë si një mundësi jo për të shkuar në zgjedhje dy apo tre muaj më vonë po për të zgjidhur një situatë të tillë.” tha Kume, ndërsa theksoi se situata del jashtë kontrollit, nëse shkohet sipas deklaratës së kreut të qeverisë.

“Në vlerësimin tim është i mirëpritur vendimi i Presidentit, përballë situatës me të cilën po ndeshet shoqëria në përgjithësi. Presidenti i është referuar të drejtës së tij për datën e zgjedhjeve, e më shumë se kaq është referuar, se janë arsye të tjera që kushtëzohen nga situata e krijuar në vendin tonë, si pasojë e keqqeverisjes nga forcat tona politike në përgjithësi. Është shumë e rëndësishme që kështu të pranohet ky veprim kurajoz i Presidentit, për hir të një date të thjeshtë për zgjedhje të radhës.”-përfundoi Kume.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb