Nga: FATMIRA NIKOLLI*TIRANE-(Vijon nga numri i djeshëm) A duhet legalizuar kanabisi? Rexhep Qosja thotë për “GAZETA SHQIPTARE” se nëse do të bëhej një referendum, ai do të votonte kundër, megjithëse i duket se në këtë kohë “çdo gjë është e mundur”. Në pjesën e tretë të intervistës së tij, ai ndalet edhe te shpërthimet në Marinzë dhe masat që duhen marrë, reformën në arsim, dhe këshillon që në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive, do të donte të kishte më pak estradë se ç’kishte në mbledhjen e 23 marsit. Akademiku, nuk lë jashtë vëmendjes as zhvillimet në Kosovë, qeverinë Thaçi-Mustafa pas 100 ditësh, apo deklaratat e një imami në Prizren për shqiptarët në Ballkan.
Pyetjes nëse do të votojë më 21 qershor si nënshtetas i Shqipërisë, ai i përgjigjet: “Në jetën tonë, mjerisht, edhe pushtetari më i kufizuar mund të gjejë boll puthadorë të palodhshëm që përtokas do ta lajkatojnë, dhe e dyta, në jetën tonë intelektuale ende nuk është krijuar vetëdija për fajin e heshtjes”.
Ka një ide nga një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, Koço Kokëdhima, për legalizimin e kanabisit në vend. E shihni të mundur materializimin e këtij propozimi?
-Jetojmë në një kohë kur, si po shohim e po dëgjojmë, të gjitha, ama bash të gjitha, janë bërë të mundshme. Po të organizohej referendum për këtë propozim unë do të votoja kundër.
Shpërthimet e gazit në Marinzë pranë Elbasanit, duket se kanë dëmtuar jo vetëm banorët e zonës por edhe më gjerë. Ndërkohë që problemet e zonës me firmën Bankers Petrolium, kanë rënë në vesh të shurdhër për kaq vite. Sipas jush, a ka ardhur koha të shihet me përparësi kjo çështje?
-Jo se ka ardhur koha që kjo çështje të shihet me përparësi, por kjo çështje është dashur të shihet me përparësi prej se nxirren nafta dhe gazi në Marinzë dhe kudo në Shqipëri.
Reforma në arsim dhe mbështetja e universiteteve private nga shteti ka hasur në mjaft kundërshti në Shqipëri. Ju, si njohës i mirë i çështjeve të arsimit, kulturës dhe nevojave të studentëve, si mendoni, ç’duhet bërë me universitetet private?
-Në arsimin e lartë shqiptar, në Shqipëri dhe në Kosovë, janë bërë shumë, shumë ndryshime. Domethënë është bërë reformë rrënjësore. Dhe, këto ndryshime, kjo reformë, ka sjellë disa të mira, por, siç shihet e siç dëgjohet, ka sjellë më shumë të këqija. Ishin këto ndryshime, ishte kjo reformë, jo e natyrshme, por e shpallur e domosdoshme prej faktorëve të jashtëm evropianë. Këto ndryshime kanë sjellë sasi por kanë cenuar cilësitë. Kjo reformë e kërkuar prej përjashta, e quajtur sistemi i Bolonjës, ka sjellë shumë universitete, shumë fakultete, shumë mastere, shumë doktorata, duke ulur cilësitë në të gjitha: në universitete, në fakultete, në mastere, në doktorata. Tani dihet sesi janë dhënë diplomat në një varg fakultetesh në Shqipëri e në Kosovë; tani dihet sesi janë blerë diploma, mastere e doktorata në Kosovë dhe në Shqipëri! Po dëgjoj se në Kosovë plagjiaturat pothuaj janë bërë të ligjshme: me to fitohet titull shkencor në fakultete dhe me to bëhesh anëtar në Akademinë e Shkencave e të Arteve.
Korrupsioni, thuhet, ka shtrirje të gjerë e të thellë në universitete, sidomos në universitetet publike.
Po i përcjell përpjekjet reformuese që po bëhen në arsimin e lartë në Shqipëri. Me shumë nderim i shikoj paraqitjet e ministres së arsimit, Lindita Nikolla, kur e shpjegon reformën arsimore në Shqipëri. Ajo është ministre që ka mendim të sistemuar, që ka parimësi, që mendimet e veta gjithnjë i shpreh me maturi, dinjitetshëm, që di të jetë plotësisht e bindshme. Por, megjithatë, shumë nga argumentet e saj, sado të arsyeshme, sado të dobishme për shërimin e arsimit të lartë, po mohohen! Pse? Sepse të paligjshmet, privilegjet, korrupsionet, lehtësirat që cenojnë cilësitë, janë më të leverdishme se ndryshimet që propozon ajo!
Si e patë ju mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës më 23 mars në Tiranë?
Nuk është mirë që t’i përsëris ato që kam thënë e shkruar më parë për atë mbledhje, por lejohem ta shtoj një fjali: në mbledhjet e ardhshme të këtyre dy qeverive ndoshta do të ishte mirë që të ketë më pak estradë se ç’pati në atë të 23 marsit.
Kosova duket se i harroi largimet masive të shqiptarëve drejt Evropës. Çfarë po ndodh? A po bëhet Kosova një vend më i mirë për të jetuar?
-Largimet masive të shqiptarëve prej Kosovës drejt Evropës dhe, kush kishte mundësi, drejt Amerikës e Kanadasë nuk u harruan, jo. Nuk po lënë që ato largime të harrohen ata që vazhdojnë të bëjnë përpjekje për t’u larguar prej Kosovës. Mbrëmë, me 15 prill, në Top Channel dëgjova lajmin se për nga numri i atyre që kërkojnë azil në Evropë shqiptarët nga Kosova zënë vendin e parë, në vendin e dytë janë sirianët e në vendin e tretë janë shqiptarët nga Shqipëria; në vendet e tjera janë qytetarë nga Maqedonia, Serbia e nga disa ish-republika të tjera të Jugosllavisë.
Nuk ka dyshim se si Kosova ashtu edhe Shqipëria do të bëhen dy vende, me të mira për të jetuar e dikur, të shpresojmë, do të bëhen një vend më i mirë se sot për të jetuar. Por, sot për sot, edhe Kosova, edhe Shqipëria janë vende të mira për të jetuar njerëzit e klasës politike, familjarët, miqtë dhe shokët e tyre, biznesmenët dhe të afërmit e tyre, në përgjithësi oligarkia, që fëmijët e vet i shkollon në shkolla të huaja, që shkollat shtetërore ia ka “falur” fukarenjve, që po i sundon këto dy vende me pushtetin politik dhe me pushtetin e pasurisë, që kur bëhen bashkë janë pushteti më i padurueshëm.
Domethënë: largimet masive të bashkatdhetarëve tanë në muajt e fundit të vitit të kaluar dhe në muajt e parë të të këtij viti nuk janë harruar e nuk mund të harrohen qoftë edhe pse, në numër më të zvogëluar, po vazhdojnë edhe më tej. Mjerisht.
Aleanca Thaçi – Mustafa i mbushi 100 ditët e para. Si i vlerësoni ju vendimet e tyre, nismat e tyre, politikat e tyre?
-Kam folur më gjatë për njëqind ditët e para të kësaj Qeverie në bisedën e botuar në gazetën Epoka e Re në Prishtinë, prandaj nuk e do rendi që t’i përsëris ato që kam thënë. Opozita po tregon shumë pakënaqësi me njëqind ditët dhe, në përgjithësi, me politikën e kësaj Qeverie, prandaj këtë pakënaqësi të madhe ndaj kësaj politike ajo e ka shprehur në protestën që u mbajt të shtunën më 18 prill. Unë mund të them se gjatë 100 ditëve të kësaj qeverie është shtuar dhuna gjuhësore politike, është shtuar frika e njerëzve; është shtuar kontrolli i medieve,është shtuar kontrolli i veprimtarisë së studentëve, prandaj si thonë disa studentë është shtuar edhe numri i policëve në veshje civile që qarkullojnë nëpër fakultete, është shtuar numri i ish zyrtarëve dhe i bijve të ish zyrtarëve të regjimit të Millosheviqit në Kosovë, në kuvend, në qeveri, në prokurori, dhe në institucione të tjera, është shtuar numri i gazetarëve dhe i intelektualëve të blerë që tani për tani me gënjeshtra, shpifje e fyerje i përndjekin kritikët e pushtetit, është shtuar numri i çaushëve të ashtuquajtur mondialistë që e mohojnë si të tejkaluar, romantik, dhe sidomos të pakoniunkturueshëm ndaj zotërinjve të moçëm e të rinj, pikëvështrimin kombëtar në historiografinë shqiptare sidomos prej Rilindjes Kombëtare e deri sot, është shtuar droja prej protestave të opozitës dhe të qytetarëve, prandaj protestën e fundit të, si tha policia, 2500 protestuesve e siguruan, si thanë disa medie, afër 4000 policë. Kjo drojë prej protestës së fundit ishte e kotë: takimet e fundit midis disa nga prijësit e opozitës dhe pushtetarëve të pozitës treguan se sorra sorrës nuk ia nxjerrë sytë.
Prejse është krijuar qeveria e re, Kosova, mjerisht, iu largua shumë, shumë demokracisë!
Si e mendoni të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian?
-Të ardhmen e Kosovës dhe të ardhmen e Shqipërisë si shtete të veçanta në Bashkimin Evropian e mendoj si anëtarësim që pas disa vjetësh do të sjellë bashkimin e tyre në një shtet pikërisht në Bashkimin Evropian. Dhe këtë bashkim të Kosovës dhe të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në qoftë se nuk e kërkojnë vetë shqiptarët (e unë do ta kërkoja po të isha deputet në Parlamentin Evropian) do ta kërkojnë anëtarë të tjerë të këtij Bashkimi. Dhe, do ta kërkojnë sepse do t’u duket e paarsyeshme, e palejueshme që dy shtete të të njëjtit popull të ndarë në dy shtete ta kryesojnë nga gjashtë muaj Bashkimin Evropian; dhe do t’u duket e paarsyeshme, dhe e pakuptueshme, që dy shtete shqiptare të mbrojnë interesat e një populli të ndarë e të pabashkuar në atë Bashkim; dhe do t’u duket e paarsyeshme, e pakuptueshme, që vetëm shqiptarët edhe në BE të jenë të ndarë në dy shtete. Mund të besohet se ky bashkim i dy shteteve shqiptare në një shtet do t’i gëzojë edhe fqinjët ballkanikë, përpos Serbisë, dhe përpos atyre shqiptarëve që po dëshirojnë dhe po përpiqen tani e sa kohë që prej një Kombi, prej Kombit shqiptar, të bëjnë dy kombe: kombin shqiptar dhe kombin kosovar!
Materialet që ka publikuar lideri i opozitës maqedonase, Zaev, sa po i ndihmojnë partitë shqiptare në Maqedoni, apo e mendoni të kundërtën?
-Megjithëse kam parë dhe kam dëgjuar në televizione se disa nga partitë shqiptare në Maqedoni kanë protestuar, ndonjëra ashpër, ndaj paraqitjeve të tij, sipas mendimit tim, materialet që ka publikuar ai janë më shumë të dobishme se të dëmshme për partitë shqiptare.
Kryeimami i një xhamie në Prizren ka deklaruar se në Kosovë nuk kishte shqiptarë para ardhjes së Turqisë. Çfarë i nxit këto deklarata?
-Të papranueshme fort e konsideroj deklaratën e kryeimamit të një xhamie në Prizren sipas të cilit në Kosovë nuk kishte shqiptarë para ardhjes, domethënë para pushtimit të Kosovës prej Perandorisë Otomane! Një deklaratë të tillë e nxit: e para, vetëdija skajshëm fetare dhe, e dyta, mosdija e të vërtetës se në Kosovë kishte Ilirë që prej kohës së lashtë e, mandej, trashëgimtarë të ilirëve shqiptarë para pushtimit të saj prej Perandorisë Otomane.
Meqenëse jeni nënshtetas i Shqipërisë, a do të merrni pjesë në zgjedhjet e 21 qershorit?
Në vend të përgjigjes në këtë pyetje unë dua të them edhe dy gjëra: e para, në jetën tonë, mjerisht, edhe pushtetari më i kufizuar mund të gjejë boll puthadorë të palodhshëm që përtokas do ta lajkatojnë, dhe e dyta, në jetën tonë intelektuale ende nuk është krijuar vetëdija për fajin e heshtjes. Për këtë arsye ne me të madhe vazhdojmë të heshtur të jetojmë edhe në kushtet e barbarisë demokratike.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: