TIRANË

Kreu i grupit demokrat Myslim Murrizi ka deklaruar votën e tij kundër ligjit të ndryshuar për Policinë e Shtetit, të kthyer nga Presidenti i Republikës Ilir Meta. Nisur nga deklaratat e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj se dekreti për kthimin e ligjit është politi, Murrizi tha në seancën e sotme se nuk sheh ndonjë betejë individuale dhe se dekreti është shterues.

Sipas tij, preket privatësia e qytetarëve shqiptarë dhe shkelen të drejtat e njeriut. Murrizi tha se atributi i përgjimeve duhet të jetë në duart e prokurorisë dhe të asistohet nga gjykata.

“Nuk e shoh as si betejë individuale as politike me presidentin që zgjodhët ju me maxhorancën e sotme. E gjej me vend dhe shumë shterues dekretin. Argumentet e këshilltarëve të zotit Meta me të drejtë shoh që cenohet liria dhe të drejtat e njeriut, preket privatësia e jetës së qytetarëve shqiptarë. Shkelet neni 17 i Kushtetutës.

Kodi i procedurës penale, 221-222, atributin për përgjime ia jep prokurorisë, por me vendim gjykate. Çdo hetim nuk është më thjesht në duart e prokurorisë, ndiqet dhe asistohet nga gjykata.

Pse erdhi në këtë moment ky ligj dhe pse 5 muaj para zgjedhjeve. Sa për paanshmërinë e policisë të sotme, të djeshme, por dhe të nesërme me mentalitetin e elitës vendimmarrëse politike shqiptare, unë nuk besoj që kemi polici as sa 1% i standardeve të paanshmërisë që kanë policitë e vendeve të BE-së.

A mund të bëjmë zgjedhje pa policë, po zoti Lleshaj mund kemi bërë një palë zgjedhje pa policë, por ju keni qenë në Gjermani. Kanë qenë ca të KFOR-it, të Pelikanit, të forcave Alba, kanë qenë zgjedhjet e ’97 ku tanket ngelën rrugës si gomerët e Peqinit dhe ku nga Shkumbini deri në Janinë drejtonin sovjetët supremë, komitetet e bandave. Nuk ka pasur policë se nuk kishte policë shteti dhe zgjedhjet kanë qenë më pak të vjedhura sa të 2001 apo 2017 kur me urdhër të kryetarit të PS-së, me detyrë kryeministër iu tha policëve jo të votojnë, por ai i urdhëroi që deri në 4 të mbajnë kapelën në kokë dhe pas orës 4 të dalin në fushatë të bëjnë vota për PS”, tha Murrizi.

Ai theksoi se me ndryshimet e ligjit ministri përzihet në ndarjen e pushteteve duke ngritur dyshime për trupën policore që do të marrë në dorë përgjimet. Sa i përket bërjes së policisë më të fortë, Murrizi tha se kupola e Policisë së Shtetit drejtohet nga grupi “Çiftelia”.

“Sa e besueshme është trupa policore për hatër të elitës drejtuese të policisë. Unë nuk flas që ne na lind korrupsioni tek 15079 punonjës që ka ministria e Brendshme. Drejtuesit e qarqeve janë drejtues të cilët kanë cent. Kanë qenë të shkarkuar nga qeveritë socialiste të vitit ‘97-2005. Janë rikthyer në 2013. U shkarkua nga një ministër i juaj për shkelje, kanabizim, për trafik dhe shqiptarët e dinë mirë se shefa, drejtora policie, kufiri, antikontrabande, trafiqesh kanë ndenjur 2-3-4-6 muaj në arrati nga kjo drejtësi. Nga komisari Jaeld Çela, Sokol Bode e me radhë. Deri tek polici, shefi i qarkullimit, një kontingjent që bënte klering me 70 mijë euro kilen e të bardhës apo të kuqes. Pra për këta lloj individësh është e pamoralshme që të çosh në dorë të këtyre, të një oficeri. Shefi i komisariatit të Vlorës, Agim Basha, shumë problem e ka mbiemrin por jo për ty miku im Taulant Balla por për kryetarin tënd. Ka qenë shef i komisariatit në Kukës, e keni pezulluar, ka qenë për ndjekje penale. Ka tre javë a katër, ta

kanë emëruar shef komisariati në Vlorë. Për çfarë ka qenë në kërkim sepse nxori nga Komisariati qytetarin Naser Adem Gashi, të dënuar në Kosovë për 70 mijë euro dhe i dënuar për trafik ndërkombëtar. Çfarë kredibiliteti do kenë qytetarët e Vlorës të jenë të qetë se do t’i përgjojë Agim Basha? Ke drejtorin e Policisë së Vlorës që ke sot në detyrë. Ka qenë i pezulluar me arrest shtëpie sepse e kërkoi prokuroria speciale për atë veglën e famshme që paraardhësi jot e futi në mënyrë klandestine dhe përgjonte kë t’i donte dhe mirë bënte se me ato përgjime ia hodhi damllasë së madhe.

Kush do ta implementojë këtë ligj? Për të pastruar policinë nga reminishencat e së kaluarës.

Si mund të jesh kapoja e tavolinës kur të diskutohet lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Kur subjekt je ti, Rama dhe unë. Do përzihesh në ndarjen e pushteteve që Kushtetuta ka sanksionuar. Ti thua dua të drejtoj unë. Pse nuk e paskemi policinë e fortë si vendet e BE-së. Bëje të fortë, pastroje. Kush ka ngelur nga grupi ‘çiftelia’ i pagraduar në qeverinë e tyre. I ke në kupolën e policisë e Shtetit. Ti kërkon t’i varësh këtyre 200 vetave kontributin e përgjimeve. Pse këta do e ulin numrin e vrasjeve. Vijnë të gjithë nga periudha famëkeqe e inkuizicionit.
Ti u nise ta pastrosh barkderrat dhe e mbushe me drejtues derra bark, nuk le anëtarë të grupit të çiftelisë, qemanesë e nuk le sigurims pa i promovuar, nëse i emëron ti. Jam kundër këtij ligji sepse prek liritë e të drejtat themelore dhe nga fakti se kush e drejton këtë trupë policore”, deklaroi Murrizi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb