Ashtu siç ishte paralajmëruar, nxënës të shkollës “Mehmet Akif” protestuan sot para Ministrisë së Arsimit, ku protestuan në shenjë kundërshtie ndaj vendimit të qeverisë për mbylljen e kolegjit. Siç shihet dhe nga pamjet, të shumtë ishin nxënësit dhe prindërit, dhe përfaqësues të shkollës, që u stacionuan para ministrisë gati 40 minuta. Ata njëzëri kanë kërkuar që të tërhiqet vendimi i qeverisë dhe që shkolla të vijojë mësimin.

Një prej nxënëseve i bëri thirrje ministres që të tërhiqet dhe të japë dorëheqje. “Nëse nuk jeni në gjendje të mbani këtë post, hiqni dorë. Sot unë jam një maturante dhe po rrezikoni shkollimin tim. Mos mendoni se do të dorëzohemi. Ku jeni sot zonja Evis Kushi? Dil para nesh. Boll me këto përralla që thoni në Tv. Ju bëjmë thirrje dhe jepni dorëheqje. Dilni poshtë dhe na jepni përgjigje, kaq kisha”, tha një prej nxënësve.

Më pas protestuesit nisën marshimin drejt Kryeministrisë, ku do të stacionojnë protestën e tyre.

Ndërkohë, një ditë pas vendimit të qeverisë, reagoi dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi e cila pohoi se arsyeja që ishte mbyllur shkolla, ishte për faktin se kolegji ishte transferuar në një godinë për të cilën nuk ishte marrë leje dhe se nuk plotësonte standardet.

Në debate lidhur me këtë vendim u përfshi edhe politika, ku opozita s’i kurseu akuzat për qeverinë, ndërkohë që Berisha iu bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës që po mban kolegji.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb