Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Vlorës, pasi akuzohet se kundërshtoi me dhunë efektivët, ndërsa tentoi të largohej me mjetin që e drejtonte pa leje drejtimi. Bëhet fjalë për shtetasin me inicialet R.M., banues në Hysoverdhë, Vlorë, i cili u kap dhe prangos pas disa minutash ndjekjeje.
Në aksin rrugor Vlorë-Gjorm, shërbimet e Policisë Rrugore, i kanë bërë shenjë ndalimi mjetit tip “Benz”, drejtuesi i të cilit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe është larguar.

Pas disa minuta ndjekjeje, punonjësit e Policisë Rrugore e kanë ndaluar dhe në momentin që po i komunikonin shkeljen ky shtetas ka dalë nga makina dhe ka dhunuar fizikisht punonjësin e Policisë.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme të kolegut është prangosur dhe shoqëruar në Komisariatin e Policisë Vlorë shtetasi R. M., dhe nga verifikimi i kryer ka rezultuar se drejtonte mjetin pa lejen përkatëse.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, dhe “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb