Publikohen disa dokumente të panjohura të nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së që i përkasin muajt mars të vitit 1974, ku bëhet fjalë për një raport-informacion që i dërgohet Komitetit Qëndror të PPSH-së nga një ekip i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës që ka marrë në analizë punën e bërë në disa prej institucioneve kryesore artistike dhe kulturore të vëndit, si: Teatri Popullor, Cirku i Tiranës, Teatri i Estradës, Teatri i Kukullave, etj. Të gjitha çështjet kryesore që janë diskutuar dhe analizuar në mbledhjen e Teatrit Popullor të marsit të vitit 1974, ku ka marrë pjesë si i deleguar kandidati i Byrosë Politike dhe sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Xhaferr Spahiu, të cilat janë pasqyruar me detaje në atë raport-informacion, duke filluar nga: numri i shfaqjeve dhe spektatorëve që i kanë ndjekur ato, të ardhurat monetare që janë arkëtuar, seleksionimi i pjesëve teatrale, angazhimi i dramaturgëve, regjizorëve dhe aktorëve të atij teatri, si: Naim Frashëri, Pirro Mani, Sulejman Pitarka, Ndrek Luca, Prokop Mima, Gjon Karma, Anastas Kristofori, Shkëlqim Basha, Vladimir Prifti, Roland Trebicka, Bashkim Kozeli, etj., e deri tek honorarat që ata kanë përfituar duke u angazhuar në Radio-Televizionin Shqiptar.

(Ky shkrim është marrë nga libri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist” të gazetarit Dashnor Kaloçi, që pritet të dalë së shpejti dhe botohet me lejen e autorit.)

Ashtu siç kemi vënë re në mjaft dokumente arkivore të pasqyruar në kapituj të këtij libri dhe jo vetëm, duket se udhëheqja e lartë e PPSh-së dhe të gjitha strukturat e tjera në varësi të saj, nga të gjitha institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës dhe gjithë vendit, i kanë kushtuar një vëmendje dhe prioritet të veçantë Teatrit Popullor. Ashtu si “La Scala” e Milanos, Opera Shtetërore e Vjenës, apo “Balshoj Teatër” i Moskës etj, duket se “Meka” e kulturës në Shqipëri gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të para viteve ’90-të, është konsideruar dhe ka qenë realisht Teatri Popullor në Tiranë. Brezi i atyre shqiptarëve që e kanë jetuar në moshë madhore periudhën e viteve 1960-’70, e mbajnë mënd shumë mirë se teatri asokohe ishte bërë pjesë e pandarë e jetës së tyre, aq sa me të drejtë mund të thuhet se “teatromania” ishte bërë “kryefjala” e propagandës së regjimit komunist në fuqi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Aq në modë ishte teatri në atë kohë, saqë aktorëve i’u duhej të dilnin në skenë pothuaj të gjitha ditët e javës, gjatë gjithë vitit, duke pasur vetëm një ditë pushimi në javë. Ose më saktë po t’ju referohemi shifrave të dokumenteve arkivor, vetëm në vitin 1972, aktorët e Teatrit Popullor kanë dalë në skenë për të dhënë shfaqje, plot 284 ditë të atij viti. Kjo për sa i përket anës sasiore të shfaqjeve, ndërsa lidhur me përmbajtjen, cilësinë dhe gjithë problematikën që përmbante Teatri Popullor (por dhe ato të rretheve), në analizat e punës së tij merrte pjesë vazhdimisht një nga anëtarët e Byrosë Politike të PPSH-së, si p.sh., në një nga mbledhjet e zhvilluara në 27 dhjetor të vitit 1973, aty ka marrë pjesë Xhaferr Spahiu, një nga figurat tepër të njohura të udhëheqjes komuniste të asaj kohe, ish-sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe zv/kryeministër. Kjo gjë veç të tjerash si duket ka ardhur edhe për vetë impaktin e madh që kanë pasur në jetën e vendit aktorët e Teatrit, aq sa në atë kohë ata njiheshin dhe gëzonin një popullaritet më të madh edhe se vetë anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së. Kjo gjë, pra vëmendja dhe prioriteti i madh që i kushtonte asokohe teatrit regjimi komunist në fuqi me anë të mjeteve të saj të propagandës, veç të tjerash duket edhe nga numri i madh i dokumentesh arkivore që gjenden në Fondin 14 të Arkivit Qendror të Shtetit (Aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së), ku janë me qindra raporte, informacione, relacione, letra, analiza, mbledhje, etj. etj., ku bëhet fjalë vetëm për teatrin. Edhe dokumenti në fjalë që po publikojmë me shkurtime në këtë kapitull të këtij libri, është një raport-informacion prej 25 faqesh, me konkluzionet e një ekipi të Ministrisë së Arsim Kulturës, për disa nga institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës, (ku pjesa më e madhe i kushtohet Teatrit Popullor), i cili i dërgohet Komitetit Qëndror të PPSH-së.

Raport-informacioni i Ministrisë së Kulturës, drejtuar Komitetit Qëndror të PPSH-së për gjëndjen e Teatrit Popullor, Estradës, Cirkut dhe Teatrit të Kukullave

KONKLUZIONE TE EKIPIT TE MINISTRISE SE ARSIMIT DHE KULTURES MBI GJENDJEN E INSTITUCIONEVE ARTISTIKE TE TIRANES PER VITIN 1973 DHE DISA PROBLEME TE DREJTIMIT TE TYRE NGA ANA E KOMITETIT EKZEKUTIV TE KP TE TIRANES
Një ekip i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës kontrolloi veprimtarinë e vitit 1973 në Teatrin Popullor, në Teatrin e Estradës, në Cirk dhe në Teatrin e Kukllave. Paralelisht u pa edhe udhëheqja e tyre nga ana e seksionit të kulturës të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tiranës. Ekipi u njoh konkretisht me aktivitetet e këtyre institucioneve në drejtim të përmbajtjes dhe nivelit ideo-artistik të veprimtarisë së zhvilluar, të punës që është bërë për edukimin ideologjik e profesional të punonjësve, si dhe problemet e drejtimit të tyre.

Për këtë qëllim, ekipi mori takime me shokë të seksionit të kulturës të Komitetit Ekzekutiv, me drejtuesit dhe udhëheqjen artistike, këshillat artistike, kolektivat artistike dhe punonjësit e tjerë të këtyre institucioneve, asistoi në shfaqje dhe prova që u zhvilluan gjatë kësaj periudhe, studjoi dokumentacionin dhe repertorin ekzistues, organizoi konsulta dhe takime me specialist dhe forcat krijuese, ballafaqoi mendimet në reparte dhe në udhëheqjen artistike e shtetërore. Në përfundim dhe konkluzionet përkatëse për çdo institucion.

Nga e gjithë puna e zhvilluar, ekipi arriti në këto përfundime:
Trupat artistike profesioniste të Tiranës, (Teatri Popullor, Teatri i Estradës, Cirku dhe Teatri i Kukllave), të frymëzuara nga fjalimet e fundit të shokut Enver, vendimet e Pleniumit të 4-të të Komitetit Qëndror të PPSH-së, “Mbi luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja e qëndrimeve liberale ndaj tyre”, të cilat u zbërthyen në aktivet e partisë të rrethit e të rajoneve dhe të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit, gjatë vitit 1973 kanë arritur një sërë rezultatesh në punë për zhvillimin e mëtejshëm të artit tonë socialist dhe në vënien e tij në shërbim të edukimit ideo-estetik të masave.’

“TEATRI POPULLOR KA VENE PIRRO MANIN TE BASHKEPUNOJE ME DRAMATURGUN BASHKIM KOZELI”
Duke bërë spastrimin e tij nga pjesët e papërshtatëshme që ishin ndikuar nga influencat e huaja, për të siguruar një repertor sa më militant dhe me frymë të shëndoshë socialiste dhe kombëtare.

Si rrjedhim, Teatri Popullor, hoqi nga repertori shtatë vepra të tilla dhe nëpërmjet rivënieve, rifresikimeve dhe dublimit të roleve në disa nga pjesët tona nacionale, brenda një kohe të shkurtër siguroi një repertor prej 10 veprash.
Ka përpjekje dhe janë shënuar rezultate në ngritjen e nivelit artistik të shfaqjeve. Teatri Popullor realizoi me një nivel shumë të lartë ideo-artistik rivëniet për dramën “Sinjali i kuq” dhe komeditë “Prefekti”. Përpjekjet për repertorin po vazhdojnë. Kështu, p.sh. pavarësisht se Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit nuk ka aprovuar akoma planin tematik dhe repertorin, Teatri Popullor po rivëjë paralelisht dramën “Familja e peshkatarit”, dhe “Toka jonë”.
Një punë e mirë po bëhet me autorët. Kështu p.sh. Teatri Popullor ka vënë shokun Pirro Mani të bashkëpunojë me dramaturgun Bashkim Kozeli për dramën “Rrufjanët”. Po kështu është ndihmuar me vërejtje bindëse dhe duke i vënë si konsulent gjatë procesit të ndreqjeve shokun Naim Frashëri, autorit Hamza Minarolli për dramën “Gjuhët e pushkës”, etj.

“TEATRI POPULLOR NE RAPORT PARA XHAFERR SPAHIUT”
Teatri Popullor dha 284 shfaqje nga 238 që realizoi në vitin 1972 dhe rriti numrin e spektatorëve në 144.000, nga 100.000 që kishte vitin e kaluar.
Hartimi, shqyrtimi dhe aprovimi i repertorit është zvarritur. Teatri Popullor ndonëse e ka paraqitur planin tematik qysh me 27 dhjetor 1973, akoma nuk ka marrë përgjigjje. Institucionet e Tiranës po ecin akoma pa një plan tematik të aprovuar e të njoftuar zyrtarisht. Kjo nuk përputhet me orientimet e Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe të Qeverisë për forcimin e kontrollit paraprak në fushën e botimeve dhe të ekzekutimeve. Përveç Ministrisë kjo detyrë iu vu në dukje shokëve të kryesisë së Komitetit Ekzekutiv nga shoku Xhaferr Spahiu me 30 nëndor 1973 kur ishte në raport Teatri Popullor.
Kur u analizua në Komitetin Ekzekutiv më datë 22.XII.1973 veprimtaria e Teatrit Popullor dhe Estradës së Tiranës, Kryetari dha porosi që menjëherë të mblidheshin dramaturgët nga Komiteti Ekzekutiv dhe kjo detyrë u zvarrit shumë, aq sa edhe kur u tentua të mblidheshin, takimi me ta nuk u realizua. Në repertorin aktiv të Teatrit Popullor mungon tema e klasës punëtore, ajo e transformimeve socialiste në Bujqësi, dhe Luftës Nacional-Çlirimtare. Për shtatë vjet me rradhë, ky teatër nuk ka dhënë asnjë shfaqje për fëmijë, që në bazë të urdhërit të Ministrit, duhet të vërë një në vit.

“U PEZULLUAN DRAMAT E PETRO MARKOS E NDREK LUCES PER GABIME IDEORE”
Megjith kujdesin e madh që është treguar për pastërtinë ideologjike të veprave e materialeve të tjera artistike që vihen në skënë gjatë vitit 1973 në Teatrin Popullor, këshilli artistik aprovoi dhe filloi nga puna me dramën “Niku i Martin Gjinit”, një vepër me të meta të rëndësishme ideore e cila më pas u anallua nga organizata bazë, drejtoria, Komiteti Ekzekutiv dhe Komiteti i Partisë. Seksioni i kulturës këtë vepër duhet ta kishte lexuar me kohë dhe të mos lejonte fillimin e punës pa aprovimin e tij. E njëjta gjë ndodhi edhe me rivënien e dramës “Votra e huaj” të Ndrek Lucës.
Në Teatrin Popullor u punua dobët për rifresikimin e dramës “Fytyra e dytë” dhe pati rënie në krahasim me realizim in e mëparshëm. Nga katër premiera që ishin në plan, janë realizuar dy rivënie, ndërsa tri janë anulluar për gabime ideore. Janë dhënë 284 shfaqje me 144.000 spektatorë dhe me 206.037 lekë të ardhura. Kanë mbetur pa u realizuar 106.964 lekë të ardhura. Dobët ka punuar për realizimin e planit në turne e fshatra, Teatri Popullor, i cili ka shkuar vetëm në Shkodër, Durrës dhe Fier, duke mos vajtur në rrethe të vogla e qëndra punëtore si Dibra, Mati, Gjirokastra, metalurgjia etj. Në fshat kjo trupë ka dhënë vetëm 17 shfaqje.

“AKTORI PROKOP MIMA, KA MARRE PJESE VETEM NE 55 SHFAQJE DHE MERR 2.428 LEKE NE RADIO-TELVIZION”
Ne Teatrin Popullor (dhe sallën Rinia) punojnë 106 veta, nga të cilët vetëm 53 janë fuqi artistike. Teatri Popullor ka disporopocion midis aktorëve meshkuj dhe femra. Në këtë trupë ka 19 aktore femra, që për shkak se dramat kanë personazhe femrash të kufizuara, ato aktivizohen shumë pak. Në trupat profesioniste të Tiranës ka fryrje të theksuar të fuqisë punëtore e cila mund të shkurtohet. Në prapavijat e këtyre institucioneve punohet pa norma dhe sorrollatje e ditë të tëra pa punë për munngesë organizimi. Më të theksuara këto ndodhin në sektorin e rrobaqepsisë, marangozëve, skenografëve e piktorëve, mekanikëve, rrobalarësve magazinierëve, etj. Shkurtimi mund të bëhet duke koperauar sektorët prodhues të Teatrit Popullor, Estradës, Cirkut dhe Teatrit të Kukllave.

Ekipi i Ministrisë e konstatoi disa shkelje të së drejtës për të marrë amatorë në shfaqje e recital. Shpesh herë janë tërhequr në recital persona të jashtëm e të brendshëm si: këpucarë, magazinierë, pastruesja, etj, ndërsa lihen pa u angazhuar vetë aktorët që nuk kanë role. Kjo praktikë nuk i sjell asnjë dobi nivelit të shfaqjeve në Teatrin Popullor, ndërsa i jepet rrugë shpërblimit me recital të punonjësve të brendshëm të prapavijës, disa artistë profesionistë shkojnë e marrin recital në Radio e Televizion. Aktori Prokop Mima, i cili gjatë vitit 1973 ka marrë pjesë vetëm në 55 shfaqje, ka marrë 2.428 lekë recitale në Radio-Televizion. Po kështu ndodh me aktorët Vladimir Prifti, Shkëlqim Basha, Roland Trebicka, Gjon Karma, Sulejman Pitarka, Anastas Kristofori etj.

“NE TEATRIN POPULLOR KA 14 ARTISTE ME ARSIM FILLOR DHE 8-VJEÇAR”
Një problem që duhet zgjidhur është ai i vendosjes së normave për artistët dhe punonjësit e prapavijës së trupave, për të cilat Ministria ka dërguar orientimet për cdo institucion. Në Estradë dhe në Teatrin e Kukllave ky problem është marrë më seriozisht dhe po ecet në bazë të normave. Teatri Popullor këtë çështje e ka zvarritur së tepërmi. Aty u ndeshëm me koncepte intelektualiste kundër vendosjes së normave dhe u vu në lëvizje vetëm pas vajtjes së ekipit. Në Teatrin Popullor ka 14 artistë me arsim fillor dhe 8-vjeçar dhe asnjë prej tyre nuk ndjek shkollën. Nga ana jonë në bashkëpunim me drejtoritë janë përcaktuar konkretisht detyrat për arsimimin e artistëve që duhet të fillojnë në shtator të këtij viti. Këtë problem ta ndjeke dhe kontrollojë edhe sektori i Kulturës.

Ka shumë anomali në mbajtjen e dokumentacionit në të gjitha institucionet. Nga kontrolli i bërë rezulton se dokumentet kanë të meta të rëndësishme. Për vite të tëra nuk janë pasqyruar ndryshimet që kanë pësuar punonjësit. Për asnjë rast nuk janë bërë karakteristika pune. Disa kuadrove të transferuar qoftë edhe me masa ndëshkimore nuk u janë dërguar dokumentet dhe karakteristikat e përkatëse atje ku punojnë tani. P.sh. në Teatrin e Estradës, Bujar Kapexhiut nuk i është bërë asnjë karakteristikë me rastin e heqjes së tij nga ky institucion. Po në Estradë ka mbi pesë kuadro të trasnferuar që dosjet e tyre qëndrojnë akoma aty, ndërsa për dy të tjerë, të emëruar po prej disa muajsh, nuk janë marrë akoma dokumentete përkatëse. Si në Estradë, Cirk dhe në Teatrin Popullor, në flet-anketat personale të kuadrove nuk janë pasqyruar ndryshimet. Tipik ishte rasti i artistes Melpomeni Çobani, që qysh nga viti 1948 nuk i ishte pasqyruar asnjë ndryshim që e ka pasur ajo në jetën e saj.

“DRAMATIZIMI I ROMANIT “LUMI I VDEKUR”, 15 DITE PER T’U SHUMFISHUAR”
Komiteti Ekzekutiv ka marrë në analizë dy herë gjendjen e Estradës dhe njëherë Teatrin Popullor, duke ndikuar kështu për një përmirësim të mëtejshëm të gjendjes. Por, këto analiza do të ishin më të efektëshme nëse seksioni i kulturës do ta kishte evidencuar më të plotë e të qartë gjëndjen e këtyre institucioneve në raportet e paraqitur. Kështu Komitetit Ekzekutiv do t’i krijoheshin kushte për të marrë masa konkrete dhe studjuar për të mënjanuar të metat që u konstatuan. Fakti që disa nga problemet kardinale si ai i repertorit, i tematikës së tij, përbërjes së trupave, interpretimit, disa anomalive e shkeljeve etj, nuk kanë gjetur zgjidhje, dëshmon për një analizë të pathelluar.

Teatrit Popullor, sikundër dhe të gjithë trupave të tjera, akoma dhe sot nuk i është dhënë ende përgjigjie për aprovimin e planit tematik të vitit 1974, dramatizimi i romanit “Lumi i vdekur” mbahet më tepër se 15 ditë vetëm për t’u shumfishuar. E metë më me rëndësi në punën e seksionit është se ai kërkon që të shqyrtojë e zgjidhë problemet e shumta e të ndërlikuara vetëm me forcat artistike të seksionit. Ai nuk ka tërhequr në këtë punë specialistët e aftë që ka në Tiranë. Komiteti i Kulturës dhe Arteve ka funksionuar dobët, për të mos thënë se nuk ka funksionauar fare dhe nuk është vënë si duhet në rolin e vet, gjatë vitit 1973 është mbledhur vetëm dy herë, për planin dhe në tjetrën ka shqyrtuar disa problem të institucioneve.

Teatri Popullor dhe Estrada e Tiranës do të jenë në raport në Qeveri në muajin shtator të këtij viti. Eshte detyrë e vetë këtyre dy institucioneve që në këtë analizë të venë me një bilanc sa më të pasur rezultatesh. Seksioni i Kulturës dhe Komiteti Ekzekutiv të ndjekin nga afër zbatimin në kohë të gjithë detyrave që la ekipi ynë në çdo institucion dhe në të njëjtën kohë të zgjidhin ato problem që varen prej tyre.

Më pak se tre muaj kanë mbetur nga dita kur do të festohet 30 vjetori i Teatrit Popullor. Kjo është një ngjarje e shënuar e që duhet përkujtuar me dinjitet. Prandaj propozojmë që kryesia e Komitetit Ekzekutiv ta shqyrtojë në një mbledhje të shpejtë të saj punën e bërë deri tani, masat që duhen marrë për kohën e pakët që ka mbetur dhe të aprovopjë përfundimisht programin e aktiviteteve.
Tiranë, më Mars 1974
Ekipi i Ministrisë Arsim Kulturës /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb