AXHENDË EUROPIANE

Më 9 qershor, Presidenti Bajden (Joe Biden) nisi udhëtimin e tij të parë jashtë vendit si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai zgjodhi Europën për të treguar përparësinë që u jep Amerika rivendosjes të aleancave tradicionale, ku do të takohet me shumë udhëheqës të vendeve partnere, me udhëheqësit e vendeve të G7-ës, Aleatët e NATO-s, udhëheqësit e Bashkimit Europian dhe Presidentin e Rusisë.

Në çdo etapë të këtij udhëtimi, që nga Gjiri piktoresk Karbis (Carbis Bay), në Kornuoll (Cornwall) të Britanisë, ku u mbajt takimi i Liderëve të G7-ës në Bruksel, në Samitin e NATO-s dhe në Presidencën e BE-së, deri në Gjenevë, ku do të takohet me Presidentin Putin, Presidenti Bajdeni ka si qëllim të forcojë familjaritetin e vet me liderët europianë në përpjekje për të rinisur angazhimin e Amerikës në çështjet e rëndësishme globale. “Ai ka 50 vjet që po bëhet gati për këtë gjë …”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Ky është një udhëtim, që dëshmon riangazhimin e Amerikës ndaj aleatëve dhe partnerëve të vet, si dhe për të demonstruar se demokracitë tona janë në gjendje të përballojnë sfidat dhe të shkurajojnë kërcënimet e ditëve të sotme: të përballen me regjimet joliberale (si Kina dhe Rusia) dhe me aktivitetet dëmtuese të qeverive të tyre, të mbrohen nga sulmet kibernetike, t’i japin fund pandemisë Covid-19, të realizojnë kërkesat e krizës klimaterike dhe krizat e refugjatëve. Me të mbërritur në bazën ushtarake ajrore Mildwnholl, Britani (R.A.F. Mildenhall), ai u tha forcave ushtarake amerikane: “E ardhmja e botës varet nga rivendosja e aleancave të hershme me vendet europiane, të cilat janë farkëtuar në zjarrin e luftës dhe forcuar nga breza të tërë amerikanësh”.

Në Europë, pothuajse, të gjithë liderët janë mirënjohës për rikthimin e Amerikës te një axhendë më e parashikueshme. Presidenti i Këshillit Europian, Sharl Mishel, u tha gazetarëve se kjo do të thotë se kemi përsëri një partner shumë të fuqishëm për të çuar përpara marrëdhëniet shumëpalëshe.

I

Gjatë katër ditëve të qëndrimit në Britaninë e Madhe, Presidenti Biden, pos Samitit të G-7, takoi veças Kryeministrin Xhonson (Johnson) dhe vizitoi Mbretëreshën Elizabet II në Kështjellën Uindsor (Windsor). Monarkia britanike ende vazhdon të ushtrojë magjinë e vet më tërheqëse se zyrat xhamta qeveritare.

Presidenti Bajden dhe Kryeministri Xhonson gjallëruan “Kartën e Atlantikut”: deklarata e bashkëpunimit që Presidenti Franklin D. Ruzvelt (Franklin D. Roosevelt) dhe Kryeministri Uinston Çërçill (Winston Churchill) nënshkruana gjatë Luftës së Dytë Botërore, më 14 gusht 1941. Karta 80-vjeçare thekson: “Modeli demokratik është i drejtë, korrekt dhe më i miri për t’u përballuar me sfidat botërore”.

“Rigjallërimi i Kartës nuk parashikon një Luftë të Ftohtë të re ndërmjet fuqive të mëdha, por një botë, problemet e së cilës, përfshirë ndryshimet klimaterike, pandemitë, teknologjitë ushtarake dhe gara ekonomike janë komplekse dhe shpesh të larmishme”.

Kryeministri Xhonson e përshëndeti Kartën e rinovuar si një mundësi për një bashkëpunim të ardhshëm midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian dhe më tej ai tha: “Nuk besoj se e ekzagjeroj të them se marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat janë të mishëruara në këtë Kartë Atlantiku të 1941, të cilën po e rigjallërojmë sot, kanë një rëndësi strategjike të jashtëzakonshme për përparimin, sigurinë e botës, për të gjitha gjërat që ne besojmë së bashku: demokraci, të drejtat e njeriut, shteti ligjor. Ka kaq shumë gjëra që ata (amerikanët) kërkojnë të bëjnë bashkë me ne që nga siguria në NATO, te ndryshimet klimaterike. Është fantastike. Është një frymëmarrje me ajër të freskët”.

II

Pjesa më e rëndësishme e axhendës së Presidentit Bajden është Samiti i NATO-s i 14 qershorit, i cili është pika kulmore e ‘rikthimit’ të Amerikës në Europë. Vlerat e përbashkëta demokratike janë themelet e Aleancës më të suksesshme në histori dhe në Samitin e Brukselit, ai do të ripohojë angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara te Neni 5 i Traktatit të Uashingtonit për të siguruar Aleancën tonë përballë çdo sfide, përfshirë kërcënimet kibernetike në infrastrukturën tonë kritike.

Neni 5 është shkëmbi i granitit i NATO-s, është një detyrim i shenjtë që buron prej tij, është zemra e Aleancës. Ai thotë se një sulm kundër një aleati konsiderohet si sulm kundër të gjithë aleatëve. Planet për një mbrojtje europiane ‘strategjikisht autonome’ kanë përparuar vitet e fundit, por, çdo përpjekje për të ndarë Europën nga Amerika e Veriut (Amerika dhe Kanadaja) do të ishte shumë e rrezikshme; do të dobësonte NATO-n dhe, më e rëndësishmja; do të ndante Europën; gjë që e kundërshtojnë pjesa më e madhe e aleatëve. Por, një mbrojtje europiane më e fortë kontribuon për një NATO më të fortë, sigurisht, pa dubluar dhe dobësuar Aleancën (Samitin e kam trajtuar më hollësisht në artikullin “Lind nga Perëndon”, gazeta “Panorama”, 9 qershor 2021).

III Grupi i të shtatëve (G-7) është një forum ndërqeveritar i formuar me iniciativën e Francës, në 1975, ku bëjnë pjesë Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Samiti, që u mbajt në Gjirin Karbis, më 11–13 qershor, dëshmoi se institucionet e krijuara në një periudhë tjetër ndihmojnë të drejtojnë botën për të dalë nga krizat dhe për t’u bërë ballë sfidave të sotme, duke koordinuar politikat perëndimore kur ekuilibri i fuqive të mëdha po zhvendoset drejt Lindjes.

Në këtë Samit, Liderët e G-7 dhe vendeve mike u angazhuan për të siguruar më shumë se 1 miliard vaksina kundër koronavirusit për gjithë botën, duke filluar që këtë verë. Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë gjysmën e kësaj sasie, 500 milionë doza, sasia më e madhe e dhuruar ndonjëherë. Kjo është një ngjarje shumë e mirëpritur për të vënë nën kontroll virusin në arenën globale.

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se ndihma për të mbështetur vendet në zhvillim të luftojnë pandeminë kushton rreth 50 miliardë dollarë. Pos shpëtimit të jetëve të panumërta, FMN beson se ky investim mund të rritë shumë ekonominë botërore me rreth 9 trilionë dollarë.

Gjatë tri ditëve, Liderët e G-7 i kushtuan një vend tepër të rëndësishëm ndryshimeve klimaterike. Ata propozuan masa të rëndësishme për të zvogëluar ndotjen e mjedisit në atë shkallë saqë në vitin 2030 të biem në nivelin e ndotjes të vitit 2010; deri në vitin 2030 t’i kthejmë natyrës 30% të tokës globale dhe rajoneve të marinës; të marrim masa për të pakësuar ndotjen, që vjen nga aktiviteti bujqësor, transporti, prodhimi i çelikut dhe çimentos. Të ashpër Liderët u treguan ndaj ndotjes që vjen nga qymyri. Ata u zotuan të ofrojnë rreth 2.8 miliardë dollarë për të ndaluar përdorimin e tij.

Në këto vite vendimtare, është e rëndësishme, gjithashtu, të kuptojmë nevojën që ka Perëndimi për të zgjeruar aleancat e veta, sidomos në rajonin e Indopaqësorit, ku projekti kinez “i rrugëve të reja të mëndafshit” kërcënon lirinë e lundrimit dhe sigurinë e rrugëve të mëdha detare, të cilat janë jetësore për Europën. Zotërimi i pjesshëm i Detit të Kinës Jugore (Mesdheu i Azisë) i jep zë këtij shqetësimi dhe për këtë qeveria britanike pati largpamësinë për të ftuar në Samitin e Gjirit Karbis Australinë, Korenë e Jugut dhe Indinë për një aleancë të re të demokracive: “D-10”. E vërteta e madhe, që po ngre krye, është se Pekini duhet të përmbahet, prandaj, spiranca duhet të hidhet në Indopaqësor.

Edhe pse ende ka ndryshime të rëndësishme ndërmjet anëtarëve të G-7, demokracitë më të mëdha të botës ranë dakord të ofrojnë një alternativë të standardeve të larta kundrejt asaj që po ofron Kina. Kësisoj, Samiti miratoi një plan ambicioz për të financuar ndërtimin apo përmirësimin e infrastrukturës fizike, dixhitale dhe shëndetësore. Presidenti Bajden tha se ai dëshiron që ky plan: “Të Ndërtojmë një Botë më të Mirë (Build Back Better World – B3W)”, i mbështetur nga SHBA, të jetë me cilësi dhe standarde të larta.

Liderët e G-7 tërhoqën vëmendjen, gjithashtu, për t’u siguruar që teknologjitë e reja dhe normat e sjelljes në hapësirën kibernetike, duke përfshirë edhe kërcënimet në rritje të sulmeve kibernetike, të drejtohen nga vlerat tona demokratike, jo nga autokratët, që po i lejojnë dhe, bashkërisht, të drejtojmë axhendën kundër çështjeve kritike për sigurinë tonë të vitit 2021.

IV

Në Bruksel, Presidenti Bajden do të takohet me Presidentin e Komisionit Europian dhe Presidenten e Këshillit të Europës për të diskutuar se si Amerika dhe Europa të mund të punojnë në koordinim të ngushtë kundër sfidave globale, të cilat kërkojnë gjithë potencialin e partneritetit transatlantik.

Të dyja palët kanë si qëllim (i) t’i japin fund pandemisë COVID-19 dhe të përgatiten për sfida të tjera shëndetësore, duke udhëhequr përpjekjen për të dalë globalisht nga pandemia; (ii) të mbrojnë planetin nga ndotja dhe të nxitin zhvillimin e gjelbër; (iii) të forcojnë tregtinë, investimet dhe bashkëpunimin teknologjik; (iv) të zhvillojnë një botë më demokratike, paqësore dhe të sigurt. Diplomatë me përvojë mendojnë se ky samit do të ketë dy audienca:

E para do të jetë për çështjet e brendshme, ku do të venë në dukje se Aleanca transatlantike, Amerika dhe Europa, u ofron përparim dhe siguri qytetarëve në një botë që asgjë nuk mund të përballohet vetëm. Refreni i Bajdenit është se nuk mund të jemi të fortë në arenën ndërkombëtare pa qenë të fortë në shtëpinë tonë, iniciativa e vaksinës është një shembull në këtë drejtim. Po kështu, Presidenti Bajden do t’u kumtojë drejtuesve të BE-së se Shtetet e Bashkuara mbështesin qëllimin dhe përpjekjet për një Europë të plotë, të lirë dhe në paqe, ku të anëtarësohet Shqipëria dhe të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Audienca e dytë do të trajtojë problemin e autokratëve: “Në qoftë se shpresa e dikujt është të kthejë autoritarizmin, duhet të kuptojë se kjo aleancë do të bëjë të pamundurën që ta ndalojë”.

V

Më 16 qershor, Presidenti Bajden do të takojë Presidentin Putin në Gjenevë. Pritshmëritë janë të vogla.

Sot, gjashtë vjet pasi Rusia sulmoi Ukrainën, Krimeja është ende e aneksuar dhe Ukraina Lindore është kthyer një tjetër konflikt të ngrirë brenda vendit. Procesi i Normandisë, marrëveshja diplomatike e realizuar nga Gjermania, Franca, Rusia dhe Ukraina për t’i dhënë fund konfliktit, ka arritje shumë të pakta në terren. Ndërkaq, Bjellorusia drejtohet nga një diktator, i cili mund ta kthejë vendin e vet në një tjetër Kore të Veriut ose do të rrëzohet duke u përpjekur. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet europianë duan që Bjellorusia të bëhet një vend demokratik, kurse Rusia, që ka një prani të qenësishme ushtarake brenda vendit dhe këmbëngul që të mbetet i lidhur me Moskën. Në Siri, ushtarakët amerikanë dhe rusë kanë objektiva krejt të kundërta.

Për këto çështje, ende nuk vihet re ndonjë zgjidhje e qartë, por ato nuk mund të lejohen të zgjerohen. Ky është mandati i Bajdenit në Gjenevë: të fillojë udhëtimin e vështirë drejt parashikimit dhe stabilitetit, duke u përpjekur që në të ardhmen të normalizojë marrëdhëniet Amerikë-Rusi.

Presidenti Bajden shkon në këtë takim me mbështetjen e Aleancës në mbrojtje të vlerave demokratike, kundër ndërhyrjeve në zgjedhje, sulmeve kibernetike dhe kundër dhunimit të drejtave të njeriut. Nga ana tjetër, ai do t’i kërkojë Presidentit rus një bashkëpunim më të madh në armëkotroll për të siguruar stabilitet strategjik, si dhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

Siç thotë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, qëllimi i Bajdenit nuk është të transformojë marrëdhëniet me Rusinë, por për të mënjanuar të papriturat dhe të rivendosë stabilitet në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse.

Shtojësit e marrëdhënieve ruso–amerikane vënë në dukje se Presidenti Putin do të përpiqet të përcjellë samitin si një takim midis të barabartëve dhe të demonstrojë se Rusia është një fuqi i madhe. Kësisoj, vendimi i qeverisë ruse për të bllokuar të gjitha lëvizjet politike, që drejtohen nga opozitari i burgosur Aleksej Navalni, është një fakt në këtë drejtim. Ky veprim duket të jetë një mesazh për Bajdenin se Putini nuk do të jepet ndaj trysnisë së huaj. Nga ana tjetër, Putini nuk mund të përballojë një intensifikim të konflikteve ndërkombëtare, veçanërisht, me Shtetet e Bashkuara. Ai kërkon mjete për të menaxhuar konfliktet. Studiues të ndryshëm vënë në dukje se një bashkëpunim me Bajdenin nuk do t’i kushtonte asgjë, por mund t’i sigurojë kohën, që i nevojitet për të qetësuar situatën brenda vendit.

Në lidhje me armëkontrollin, Bajden dhe Putini kanë rënë dakord të rinovojnë Traktatin “New START” (New START Treaty), por ka ende vend për përmirësim. Armëkontrollet jo vetëm që kursejnë para, por janë një shembull i mirë edhe për vendet e tjera. Në qoftë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, fuqitë më të mëdha atomike të botës, nuk do të ishin në gjendje të merreshin vesh mbi zvogëlimin e arsenalit të tyre, atëherë marrëveshjet e armëkontrollit me Iranin dhe Korenë e Veriut do të dështonin. Por, duket se kjo çështje do të përparojë. Nga vet natyra, armëkontrolli kërkon një punë të ngadalshme dhe skrupuloze, që bëhet nga shkencëtarë, të cilët janë më pak të preokupuar për marrëdhëniet dypalëshe se sa janë politikanët apo diplomatët. Si hap i parë, të dy liderët mund të vendosin për të ngritur grupe pune, disa syresh shumëpalësh, për të konceptuar sfidat e ardhme të armëkontrollit.

Situata e sotme midis dy vendeve është e vështirë dhe për ta ndrequr, Presidenti Bajden mund të ofrojë të zbutë disa nga kushtet, duke ndihmuar të hapen konsullata ruse në Shtetet e Bashkuara ose, të paktën, të zgjerojë shërbimet konsullore amerikane në Rusi, duke shpresuar t’u japin fund veprimeve tit-for-tat të disa viteve të shkuara.

Në përfundim të takimit, nuk do të ketë konferencë shtypi të përbashkët, Presidenti Bajden do të dalë para gazetarëve vetëm.

AMERIKA PO BËN BASHKË DEMOKRACITË E BOTËS

Një problem përcaktues i kohës sonë është: a munden demokracitë të bëhen bashkë për të ofruar rezultate reale për popujt e një bote që po ndryshon me shpejtësi? A do të jenë në gjendje aleancat dhe institucion demokratike, të cilat kanë ndryshuar kaq shumë shekullin e fundit, të dëshmojnë aftësitë e tyre kundër kërcënimeve të ditëve të sotme dhe kundërshtarëve të tyre? Unë, thotë Presidenti Bajden, besoj se përgjigjja është po. Dhe ai pati shansin ta provonte këtë gjatë vizitës në Europë dhe, siç kemi venë në dukje në artikullin “Nesër”, gazeta “Panorama”, 2 nëntor 2020, në fund të këtij viti apo në vitin tjetër ai do të përpiqet të thërrasë në Uashington “një samit të demokracive”.

Xho Bajden kërkon t’i diskreditojë ata që mendojnë se koha e demokracisë ka përfunduar dhe po përpiqet të bëjë të qartë falsitetin e kësaj narrative, që trumbeton se qeverisja autoritare mund të arrijë shpejtësinë dhe hapin e sfidave të shekullit 21. Ai do të dëshmojë të kundërtën se demokracia mundet dhe ende jep rezultate për popullin.

Ky tur europian provoi se demokracitë mund të bëhen bashkë dhe të arrijnë konsensusin. Në përshëndetjen që u bëri trupave amerikane në bazën ajrore të Mildënhollit, ai i quajti aleancat demokratike të Amerikës jetësore për të ardhmen botërore dhe në terma më të gjerë, ai e përcaktoi udhëtimin e tij në Europë si një përpjekje të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të vet në një betejë ekzistenciale midis demokracisë dhe autokracisë. Ndër të tjera, ai tha: “Mendoj se jemi në pikën e kthesës të historisë botërore, në pikën ku duhet të provojmë se demokracitë jo vetëm që përballojnë, por ato mund të ndriçojnë, ndërsa ne përpiqemi të ecim me mundësitë që ofron koha jonë”.

Sipas think tank-ut Pew, Presidenti Bajden me politikën e tij të brendshme dhe të jashtme ka transformuar imazhin e Amerikës në botë dhe në vendet aleate vihet re një rikthim i paparë i besimit ndaj Amerikës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb