Ambadorja e SHBA-ve Yuri Kim deklaroi sot se kur dikush kërcënon një aleat të NATO-s, kur dikush kërcënon Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen. Duke folur për sulmet kibernetike në Shqipëri, Ambasadorja e SHBA siguroi se Irani qëndron pas tyre dhe se është i shqetësuar nga strehimi i opozitës së Teheranit në Shqipëri.

Ajo tha se do të ndërmarrim më shumë hapa për të trajtuar kërcënimet.

Blendi Fevziu: Le t’u rikthehemi tani komenteve mbi Iranin dhe marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Iranit. Ne morëm një vendim shumë të fortë dhe shumë të vështirë për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Sipas informacionit që qeveria jonë ka me agjenci dhe institucione të ndryshme, Irani ka ndërhyrë dhe ka shkatërruar sistemet dhe institucionet tona. A jeni të sigurt që ishte Irani pas gjithë këtij veprimi?

Ambasadorja Kim: Jemi, jemi të sigurt. Jemi të sigurt. Vetëm pak ditë më parë, FBI dhe CISA, Agjencia për Sigurinë Kibernetike, publikuan një raport. Është mjaft i hollësishëm, mund të ta dërgoj nëse dëshiron. Është shumë i detajuar dhe shumë teknik, dhe tregon se sulmi nisi nga Irani. Ju e patë në deklaratat tona, të cilat dolën nga Shtëpia e Bardhë, shprehjen e sigurisë se sulmi erdhi nga Irani, se ne do të qëndrojmë krah Shqipërisë dhe do të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të ndërtuar mbrojtjen e saj kibernetike, dhe se do të ndërmarrim hapa konkretë për t’iu përgjigjur sulmit të Iranit. Menjëherë pas kësaj, Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara vendosi një sërë sanksionesh kundër Ministrisë Iraniane për Inteligjencën dhe Sigurinë, si edhe ministrave…

Blendi Fevziu: Për këtë rast?
Ambasadorja Kim: Është e lidhur me këtë rast, nuk është vetëm për këtë rast, por po.
Blendi Fevziu: Po, po, lidhur me këtë rast, po.
Ambasadorja Kim: Po. Dhe do të ndërmarrim më shumë… do të vazhdojmë të ndërmarrim më shumë hapa për të trajtuar kërcënimet. Kur dikush kërcënon një aleat të NATO-s, kur dikush kërcënon Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen, ne do të përgjigjemi.

Blendi Fevziu: Mendoj se ka pasur edhe dy njoftime të tjera mbi akte terroriste nga Irani, disa vjet më parë dhe më i fundit, ishte në qershor, gjatë konferencës së MEK në Durrës. A mendoni se Shqipëria është në shënjestër le të themi të akteve terroriste nga Irani? A ekziston ky rrezik?

Ambasadorja Kim: Iranianët janë qartazi të pakënaqur nga vendimi i Shqipërisë për të strehuar ata që kundërshtojnë regjimin Iranian.
Blendi Fevziu: Opozita politike e Teheranit.
Ambasadorja Kim: Po. Dhe është shumë e rëndësishme që Shqipëria të bëjë punën e saj ashtu e gjykon më mirë, pa pasur frikë nga kërcënimet e vendeve si Irani. Prandaj ata janë të padëshirueshëm kudo në botë, sepse sillen kështu. Prandaj ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë, përfshirë edhe duke punuar me ekspertët tuaj për të ndërtuar mbrojtjen tuaj kibernetike dhe për të korrigjuar kërcënimet që mund të kenë ekzistuar.

Blendi Fevziu: Por problem është se, dhe e pyeta edhe Kryeministrin për këtë, opozita iraniane në Shqipëri, nuk flas për numra pasi nuk i di, por problem është se ata janë mirëpritur nga ne. Ata këtu kanë ardhur si refugjatë për të jetuar, jo për të vepruar politikisht nga Shqipëria. Nuk është problem ky?
Ambasadorja Kim: Kjo është diçka që qeveria shqiptare dhe organizata duhet ta trajtojnë.
Blendi Fevziu: Nuk është… nuk keni asnjë koment për këtë.
Ambasadorja Kim: Nuk kam asnjë koment tjetër për këtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: