Kryeministri Edi Rama foli për procesin e rindërtimit, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë në Lezhë. Një qytetare e prekur drejtpërdrejt nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit e pyeti kryeministri se kur mund të ketë edhe ajo, bashkë me banorët e tjerë të lagjes “Beslidhja” në Lezhë, çelësat e banesës.

Në përgjigjen e tij, kryeministri Rama tha se procesi i rindërtimit do kohën e tij, ndërsa iu kërkoi qytetarëve të kenë edhe pak durim, pasi nuk do të presin sa kanë pritur deri më tani, por më pak.

“Kur bëmë provat në aeroportin e Kukësit për uljen e avionëve, ata djemtë e Kukësit në Londër pyesnin se “pse e le për tani”? Puna nuk ka nisur tani, po për njerëzit puna është kur nis eskavatori. Ne kemi pasur një volum pune të jashtëzakonshëm. Nuk e kam gjetur një eksperiencë të vetme rindërtimi pas tërmetit falas. Në Itali, Greqi e kudo familjet që marrin shtëpi mas tërmetit, marrin një kredi të butë, ku shteti jep një kontribut, por apartamente falas jo. Ne të gjithë këtë po e bëjmë që të gjithë ata që kanë humbur shtëpinë do ta marrin dhe do ta marrin falas. Madje, ku do ku në një kulm ka pasur disa kurora, ne nuk ndërtojmë një kulm, por aq kurora sa ka pasur. Për këtë duhet durim akoma. E rëndësishme është se procesi është i pandalshëm. Akoma nuk kemi dhënë asnjë apartament, sepse nuk i kemi akoma gati, por unë besoj se nuk do të prisni aq sa keni pritur deri tani, por më pak. Të gjithë ju do të keni një pallat të ri, që do të jetë më i mirë, më i fortë dhe më i bukur se ai që kishit”, tha Rama.

Më tej, kryeministri foli për pagën minimale, duke thënë se ajo do të vijojë të rritet, nëse PS fiton mandatin e tretë. Mes të tjerash, Rama bëri dhe një premtim, teksa u shpreh se në mandatin e tij të tretë do të çtaksojë rrogën deri në 400 mijë lekë të vjetra.

“300 mijë lekë paga minimale është shumë pak, në raport me nevojat e atyre njerëzve që punojnë realisht dhe rregullisht. Unë nuk e shoh të rrezikshme për investimet, sepse kjo do të shkojë gradualisht dhe paralelisht me rritjen e kapaciteteve produktive. Dikush që ka fëmijë për të rritur patjetër që vjen e punon me një pagë minimale. Ne do ta rrisim patjetër pagën minimale, por nuk e shoh si rrezik për ardhjen e investitorëve të huaj. Koha kur mjaftoheshim vetëm me investitorë të huaj duhet lënë pas. Koha kur vinin investitorë të huaj për të marrë në punë vajza të reja e nëna dhe i mbanin në punë përtej orarit e me pagë në të zezë, është kohë e shkuar. Nuk duhet të na tundojë ky lloj pozicioni. Ne nuk kemi pasur mundësi ta rrisim më shumë pagën minimale, por kemi krijuar mundësi në cdo hap ta rrisim nga pak dhe e kemi rritur. Ne duam që në mandatin e tretë ta rrisim më tutje. Ne nuk jemi një parti që pas 8 vjetësh në opozitë, në një proces ripërtëritje e riorganizimi kthehet për të marrë detyrën sic ishte para 8 vitesh. Ne jemi në një proces ripërtëritje dhe nuk mund të bëjmë një program elektoral tipik. Do ta çtaksojmë rrogën 400 mijë lekë në vitin 2022 ose 2023. Sot ne duam të kemi taksë zero mbi rrogën në 300 mijë lekë dhe këtë duam ta cojmë në 400 mijë lekë”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb